Lajme

Ministri Latifi kërkon bashkëpunim nga mjekët shqiptarë në Vjenë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u bëri thirrje mjekëve shqiptarë në Vjenë të Austrisë për bashkëpunim për ndryshimin, zhvillimin dhe transformimin e sistemit shëndetësor të Kosovës.

Këtë thirrje Latifi e bëri gjatë takimit që pati me mjekët shqiptarë në Vjenë, e ku temë diskutimi, siç njofton ministria, ishte kontributi dhe bashkëpunimi i të gjithëve për përmirësimin e gjendjes në sistemin shëndetësor të Kosovës.

“Meqë ndër shtatë shtyllat e transformimit të sistemit shëndetësor në Kosovës është edhe kthimi i trurit, ministri Latifi u premtoi mjekëve shqiptarë në Vjenë se nëse të gjithë veprojmë për përmirësimin e kësaj situate në shëndetësi, atëherë rezultatet pozitive nuk do të mungojnë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Ai citohet të ketë thënë se “jam shumë optimist se shumë gjëra kanë me ndodhë për përmirësimin e sistemit shëndetësor, nëse të gjithë kontribuojmë dhe bashkëpunojmë në këtë aspekt”.

“Prandaj, ju ftoj juve të gjithëve dhe të tjerët, të na bashkëngjiteni në këtë rrugëtim për të punuar bashkë për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend”, tha Latifi.

Ai veçoi se ky transformim i sistemit shëndetësor kërkon ekip dhe bashkëpunëtorë, “prandaj mjekët shqiptarë jo vetëm në Austri, por edhe në vendet tjera të botës, duhet të japin kontributin e tyre për zhvillimin e shëndetësisë në Kosovë”.

“Ndërkaq, mjekët shqiptarë, i premtuan ministrit Latifi se janë të gatshëm bashkë të jenë pjesë e rrugëtimit që ka të bëjë me zhvillimin dhe transformimin e sistemit shëndetësor në Kosovë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e ministrisë.