CH-Ballkani

Ministri prorus serb, me banesë në “Bregun e artë” të Liqenit të Cyrihut

Ana interesante për Zvicrën e gjithë kësaj ka të bëjë me adresën zvicerane (në Küsnacht të Cyrihut) të ministrit serb, që figuron në dokumentet e Paradise papers

Në Komunën Küsnacht, buzë liqenit të Cyrihut, në “bregun e artë”, të privilegjuar të këtij liqeni, është adresa zyrtare e banimit, e një ministri serb. Kjo del nga dosjet famoze “Paradise Papers” të cilat po bëjnë bujë të madhe në mediet botërore për shkak të manipulimeve të personaliteteve të njohura nga politika dhe biznesi që ato zbulojnë.

Gazeta zvicerane “SonntagsZeitung” ka hulumtuar rreth kësaj gjetjeje dhe komuna përkatëse ka konfirmuar se ministri Nenad Popiviç me të vërtetë është i regjistruar si banor i saj.

Nga qershori i këtij viti, Popovic është ministër për Inovacion dhe Teknologji ne Qeverinë e Serbisë. Ai është pronar i ndërmarrjes ruse ABS Electro e cila ka 3000 punëtorë, transmeton albinfo.ch. Ndërsa kompania audituese PWC (PricewaterhouseCoopers) në Zvicër punon për Popoviçin. Ajo, sipas “Paradise Papers” planifikon për të konstrukte tatimore në të ashtuquajturat “oaza tatimesh”, vende ku tatimet janë të ulëta.

E pyetur nga “SonntagsZeitung”, PWC ka deklaruar se këtu nuk ka asgjë të kontestueshme. Thjesht, ajo po u përmbahet ligjeve në fuqi.

Si një “njeri i fortë i Serbisë”, Popoviç synon ta forcojë vendin e vet nga pikëpamja teknologike, për çfarë edhe emërohet ministër për Inovacion dhe Teknologji. Rreth bizneseve jo shumë transoarente të tij ka shkruar në fillim të nëntorit edhe ekipi hulumtues i Serbisë “Krik.rs”. Aty theksohet se emri i Popovicit është zbuluar disa herë në “Paradise Papers”.

Ana interesante për Zvicrën e gjithë kësaj ka të bëjë me adresën zvicerane të ministrit serb, që figuron në dokumentet e Paradise papers. Faktin se në komunën e tij banonte një ministër serb nuk e kishte pasur të njohur as kryetari i komunës Kusnacht, Markus Ernst, tranmseton albinfo.ch. Por autoritetet komunale ndërkaq kanë konfirmuar se ai është i regjistruar në këtë komunë që prej katër vitesh.

Një mungesë e tillë informacioni për një personalitet me peshë në biznes dhe në politikë, konsiderohet, të paktën e çuditshme, nga njohësit e problematikës. Sipas tyre kjo flet për mundësinë që Popoviç të ketë bërë larje parash dhe për këtë ka pasur indikacione prej kohësh. Kështu, zyra avokatore Offshore “Appleby” e kishte kategorizuar Popobviçin si “një klient me rrezikshmëri të lartë, shkruan “Krik.rs”. Po ashtu në Serbi dhe në Rusi ka pasur raportime kritike mediale lidhur me magnatin dhe ministrin serb, raportime këto që PWC nuk i ka vënë re.

Popoviç nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës zvicerane ndërsa për “Krik.rs” kishte thënë se ideja për konstruktin Offshore ka ardhur nga PWC dhe se ai vetë e ka stopuar projektin. Por PWC nuk ka pranuar ta komentojë këtë gjendje, duke iu referuar rregullave të rrepta që ekzistojnë në këtë fushë.

Ministri aktual serb, Nenad Popovic, njëri ndër njerëzit më të pasur në Serbi, në mediet në gjuhën gjermane identifikohet si një politikan dhe afarist me qëndrim të qartë prorus. Në një intervistë për gazetën austraike “Presse” ai kishte deklaruar se “Serbia ka qenë gjithmonë në anën e Rusisë dhe do të vazhdojë të jetë”. Popoviç si politikan prorus dhe populist ka kryesuar edhe grupin parlamentar të miqësisë me Rusinë, në kohën sa ka qenë deputet në Parlamentin e Serbisë. Ai kishte kërkuar që në kufirin e Serbisë me Maqedoninë të ndërtohej një mur për ndalimin e refugjatëve.