Gruaja

Mirë se vini në “Universin e Lindës”

Mirlinda Dinaj, 24 vjeçe, me profilin e saj në instagram, Linda`s Universe ka përfituar një publik të konsiderueshëm përmes ilustrimeve të saj dhe është gjithashtu bashkëdrejtuese e magazinës online “OG – “o gocë”

Ngjitem me ashensor në katin e pestë dhe ndërsa ec korridorit, hapet një derë. Me flokët e ngritura lirshëm lart dhe me veshje të thjeshtë, ajo më del përballë dhe më përshëndet përzemërsisht. Mirlinda Dinaj, 24 vjeçe, me profilin e saj në instagram, Linda`s Universe ka përfituar një publik të konsiderueshëm përmes ilustrimeve të saj. Ajo është gjithashtu bashkëdrejtuese e magazinës online “OG – “o gocë”. Ta quajë për këtë arsye veten artiste, i vjen vështirë, por ajo e di se çfarë dëshiron: Me artin e saj shumëngjyrësh të tërheqë njerëzit dhe t`i bëjë ata që  të vënë re se: Hej, këtu diçka nuk po shkon mirë!

Është hera e dytë që takoj Lindën. Ndërkohë që në takimin e parë ishte e tërhequr, sot ajo shkëlqen, përkundër një gripi të lehtë dhe, e emocionuar, ndan mendimet e saj me mua. Ne komunikojmë bashkë në një kaos gjuhësh të përbërë nga anglishtja, shqipja dhe disa dromca në gjuhën gjermane e frënge. E rritur në afërsi të Lozanës, Linda po bën një praktikum në Cyrih. Jeta në këtë qytet të ri, e vë atë para një sfide: Si grua, shqiptare dhe zvicerane frankofone, nuk ka si të shpëtojë nga “arsyetimi” i vazhdueshëm: Së pari duhet shpjeguar përse flet në gjuhën frënge, prej nga vjen emri i saj dhe së fundi, të dëgjojë pyetjet si: a është OK për prindërit e saj shqiptarë që ajo, si vajzë, të dalë kaq vonë? A do të shkojë në pushime në Kosovë për t`u martuar? Nën të gjitha këto pyetje vlon mendimi: Ti nuk je zvicerane. Ndonëse Linda është rritur në këtë vend dhe do të mund të përshkruhej si 100% zvicerane dhe 100% shqiptare. Përse do ta pohonte njërën dhe ta përjashtonte tjetrën, pyet ajo. Ajo thotë se merr më të mirën nga të dyja kulturat dhe se kritikon atë që e pengon. Ashtu sikundër e bën edhe në ilustrimet e saj: aty mund të shohësh njerëz duke fërshëllyer, gra të nevrikosura dhe burra që gulçojnë. Imazhet e saj janë përgjigje për atë që, sipas Lindës, shkon keq: martesa me detyrim, pozita e gruas në shoqëri, presioni mbi fëmijët e familjeve emigrante shqiptare në Zvicër, qasja me sëmundjet psikike dhe bartja tradicionalisht e pamundur e trashëgimisë për gratë shqiptare.

Në këtë vazhdë ajo e sheh me rëndësi të theksojë se me këtë nuk dëshiron t`i akuzojë të gjithë. Por është realitet që edhe më tutje vazhdon të ketë shumë njerëz dhe para së gjithash gra, që vuajnë nën strukturat shtypëse, patriarkal dhe nuk kanë mundësi zgjedhjeje. Kjo i shërben asaj si argument i fortë kundër kritikave që i drejtohen. Shprehjet sikur ajo: “Paj, nëse nuk dëshiron të martohesh, thjesjt, mos u marto – Përse kjo gallatë?”, nuk kanë vend në një botë në të cilën jo të gjithëve u mundësohet, thjesht, njëherë të thonë “jo”. Ndryshe, reagimet janë shumë pozitive, që domethënë se persona nga të dyja gjinitë shprehin mbështetje. Kështu, Linda ka gjetur krejt papritur publikun e vet – përmes ripostimit të materialeve të saj në mediat sociale dhe përmes lajmeve dhe komenteve trimëruese: “Vazhdo kështu, kjo ndihmon!”.

Edhe prindërit e mbështesin në qëllimet e saj, edhe pse një kohë të gjatë ata nuk kanë pasur qasje në krijimtarinë e saj artistike. Linda vizatonte në fakt, qëkur ishte fëmijë, por vetëm për veten e saj. Ajo që përjetonte, sillej me larushi ngjyrash, në letër. Ajo që e shqetësonte si fëmijë, i tingëllon edhe sot. Pyetjet si “a po të lypin” ajo i ka përkthyer në gjuhën frënge dhe i dukeshin të gabuara, nuk është në rregull që një mënyrë e tillë shprehjeje të përdoret në raport me njerëzit. Ajo kërkonte të bisedonte me prindërit rreth kësaj, të cilët pranonin dhe bisedonin me të rreth kësaj. Këtë vetëdije të ndjeshme e saj në raport me gjuhën shqipe ajo e bart sot në ilustrimet e saj, me ç` rast jo çdo gjë vjen e menduar në mënyrë kritike. Shprehjet si “ta hongsha zemrën”, të cilat ajo i vizaton fjalëpërfjalshëm (një burrë që ha një zemër), ajo i gjen thjesht qesharake dhe disi makabre. Arti i Lindës në fakt gjithnjë fillon me të – ajo që asaj i bie në sy, që e argëton ose e shqetëson. Në këtë kontekst, shpeshherë janë problemet shoqërore ato që më së shumti e vejnë në lëvizje. Është pikërisht kjo lidhje në mes politikës dhe personales që karakterizon ilustrimet e saj – Është me të vërtetë “Universi i Lindës”, në të cilin ne hyjmë kur shikojmë artin e saj.

Xhemile Asani