Gruaja

Mjekja e re nga Kosova, me përvojë karantine në Gjermani

Dr. Yllkë Salihu, mjeke në një spital gjerman, flet për përvojën e saj me koronavirusin, karantinën, qasjen e mjekësisë gjermane ndaj pandemisë etj.

Yllkë Salihu është një mjeke e re nga Kosova, e cila prej disa vitesh punon në një klinikë gjermane. Gjithë shkollimin, përfshirë studimet në Fakultetin e Mjekësisë, e ka mbaruar në Kosovë. Pas diplomimit në vitin 2016, për shkak të papunësisë dhe mungesës së perspektivës në Kosovë ka emigruar në Gjermani për specializim. Që nga qershori i vitit 2019 jeton në qytetin universitar në Bavari, Bayreuth. Është e punësuar në klinikën e qytetit “Klinikum Bayreuth”, në drejtimin “Anestezion dhe kujdes intensiv”.

Dr. Yllka për albinfo.ch flet lidhur me shkuarjen në Gjermani, peripecitë e saj, si shtetase kosovare për integrimin në sistemin e atjeshëm shëndetësor dhe në veçanti, për përvojat e saj me koronavirusin.

Rrugë e vështirë për integrim në profesion

Duke folur për rrugën që ka ndjekur për të punuar mjeke dhe për të siguruar një vend specializimi në Gjermani ajo thotë se kjo ka qenë një rrugë e gjatë mbi 2-vjeçare, e kushtueshme dhe e mundimshme. “Menjëherë pas përfundimit të studimeve, kam filluar t’i ndjek mësimet e gjuhës gjermane në kurse intensive në Prishtinë, pa ndonjë njohuri paraprake të saj. Njëkohësisht, është dashur të informohem në imtësi për procedurat administrative dhe dokumentet që kërkoheshin për të aplikuar për lejen e punës. Gjermania ka ligje jo të thjeshta dhe të veçanta për shtetasit jashtë BE-së. E vërteta e dhimbshme është se shumica e vështirësive administrative kanë qenë të lidhura me faktin që jam shtetase e Kosovës.

Një nga kërkesat vendimtare për t’u pajisur me lejen e punës në Gjermani është përfundimi i suksesshëm i provimit për gjuhën profesionale mjekësore (gjermanisht: Fachsprachenprüfung). Ky provim mbahet vetëm në Gjermani dhe për të caktuar terminin nevojitet një kontratë pune dhe natyrisht vizë për udhëtim. Mungesa e lejes së punës paraqet vështirësi të mëdha për mjekët e rinj dhe të huaj sepse i dekurajon punëdhënësit gjermanë që t’i punësojnë në kushte kur ata duhet të presin me muaj që kandidati ta kryejë provimin suksesshëm. Në anën tjetër, marrja e një kontrate pune pa e pasur lejen për ushtrimin e profesionit është tejet e vështirë…”.

Koronavirusi ka rreth katër muaj që po përcakton jetët e njerëzve në gjithë botën. Gjermania, është ballafaquar po kështu me pandeminë dhe e ka luftuar atë me sukses të konsiderueshëm. Edhe dr. Yllka Salihu ka rrëfimin e saj personal për koronavirusin. “Në spitalin tonë kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi raste me COVID-19. Në fillim të muajit mars, atëherë kur masat shtrënguese kundër pandemisë nuk ishin  shumë të rrepta, kam pasur kontakt me një paciente (pa maskë dhe mjete tjera mbrojtëse) e cila dy ditë më pas doli pozitive për COVID-19. Nga ky kontakt u obligova të futem në karantinë për 14 ditë. Deri më tani rreth 8 kolegë (vetëm në klinikën e anestezionit) i janë nënshtruar karantinës, por fatmirësisht asnjëri nuk doli pozitiv”, tregon Yllka.

Përse Gjermania konsiderohet “Fituesja e pandemisë” në Evropë?

Por, çfarë e bën Gjermaninë që të jetë model sa i përket trajtimit të koronavirusit, konstatim ky i pranuar tashmë gjerësisht nga kompetentët e mjekësisë? Duke qenë pjesë e sistemit shëndetësor gjerman, edhe bashkëbiseduesja jonë ka shpjegimin e saj lidhur me këtë “rrëfim suksesi”. “Për shumë njerëz Gjermania ka qenë “fituesja” e pandemisë në Evropë, kryesisht për shkak të një numri relativisht të vogël të vdekjeve në krahasim me vendet e tjera. Në anën tjetër, numri i të infektuarve ka qenë i lartë dhe me potencial për krijimin e imunitetit të tufës. Është spekuluar se arsyet për këtë sukses lidhen ngushtë me dy shpërthimet kyçe të infeksionit në Gjermani. Shpërthimi i parë ka qenë nga të infektuarit që e kanë sjellë virusin nga qendrat e skive në Austri dhe Itali, që nënkupton se shumica e këtyre rasteve kanë qenë të moshave të reja dhe të mesme, persona sportiv dhe pa sëmundje kronike shoqëruese. Pak nga ta kanë përfunduar me vdekje për shkak se dihet që potenciali i vdekshmërisë së këtij virusi lidhet ngushtë me moshën e shtyrë. Shpërthimi i dytë ka qenë në festën e karnavaleve në rajonin Nordrhein-Westfalen, ku kryesisht njerëz të rinj kanë festuar duke kënduar e kërcyer së bashku, në grupe të mëdha dhe në kontakt të afërt me njeri-tjetrin. Edhe këtu natyrisht vlen parimi i moshës.

Numër i madh i testimeve

Shkallën e ulët të vdekshmërisë në Gjermani e shpjegon edhe numri i madh i testimeve të kryera. Duke testuar shumë njerëz, në statistika janë përfshirë edhe rastet pa simptoma ose ata me rrjedhë të lehtë të sëmundjes. Kjo automatikisht e ka ulur shkallën e vdekshmërisë. Për ironi, ka pasur zëra që suksesin gjerman ia kanë përshkruar rastësisë dhe fatit sepse, sipas tyre, sistemi shëndetësor në Gjermani nuk mund të jetë shumë më i mirë se, shembull, ai në Angli. Mirëpo nëse i keni ndjekur mediat, keni mundur të hasni në një dokument zyrtar të Institutit “Robert Koch” (një agjenci federale gjermane përgjegjëse për parandalimin dhe kontrollimin e sëmundjeve) i cili qysh në vitin 2015 e ka parashikuar një pandemi të tillë dhe pikërisht me koronavirus. Mendoj se kjo është dëshmi që Gjermania ka qenë e përgatitur për një skenar të ngjashëm dhe se dikush në të kaluarën ka menduar dhe është angazhuar seriozisht për menaxhimin e krizave të shëndetit publik. Personalisht, nisur nga përvoja ime në vendin e punës mund t’ju them se kolegët e mi kanë pasur një qasje shumë gjakftohtë dhe racionale sa i përket kësaj pandemie. Qasja e një profesionisti shëndetësor duhet të jetë e bazuar në fakte të verifikueshme shkencore dhe e vërteta është se ne ende nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për këtë pandemi. Prandaj është ende herët për të nxjerrë përfundime sepse na duhen më shumë studime për ta ndriçuar të vërtetën.

Në Kosovë, kjo pandemi ka shpërfaqur deficitet tona si shoqëri

Duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me Kosovën dhe duke qenë mjeke me formim kosovar, dr. Yllka Salihu e njeh edhe funksionimin e shëndetësisë në Kosovë. Rrjedhimisht, ajo ka çfarë të thotë për trajtimin e koronavirusit në Kosovë.

“E kam ndjekur me vëmendje të veçantë situatën e atjeshme. Kosova me të drejtë është rreshtuar në grupin e vendeve që kanë reaguar me masa drastike ndaj rrezikut të pandemisë. Pamjet që i kemi parë në Itali na kanë frikësuar të gjithëve dhe ne asnjëherë nuk do të mund ta dimë se në çfarë drejtimi do të shkonin gjërat nëse vendi nuk do të mbyllej siç është mbyllur deri pak ditë më parë”, shprehet dr. Yllka. “Megjithatë, ajo që më ka shqetësuar më së shumti është se ashpërsia e masave të ndërmarra ka qenë e nxitur nga ndjenja e panikut. Kjo pandemi i ka shpërfaqur të gjitha deficitet tona si shoqëri, e veçanërisht ato në sistemin shëndetësor, i cili krizave të këtij lloji mund t’u bëjë ballë vetëm përmes një strategjie totale defensive. Po ua jap një ilustrim të thjeshtë. Përderisa Gjermania merret me parashikimet e krizave eventuale të shëndetit publik, në Kosovë që nga viti 2016 nuk është ofruar as edhe një vend i vetëm i ri për specializime. Pra, një vend të cilit po i largohen çdo ditë mjekët në perëndim dhe që ka më pak mjekë se sa Gjermania për kokë banori, nuk ka menduar në katër vitet e fundit për krijimin e kuadrove të reja. Kolegët e mi në Kosovë të cilët janë të papunë, do të duhej të ishin tani në prag të përfundimit të specializimit. Kriza e mungesës së personelit shëndetësor është kriza e ardhshme që shumë shpejt do të trokasë në dyert tona dhe ne si gjithmonë do të jemi krejtësisht të papërgatitur. Kjo është tragjedia moderne kosovare. Prandaj, ky është momenti i fundit për të menduar për shëndetësinë në Kosovë sepse një gjë është e sigurt: faturat do të vijnë!”.

Karantina na bën të kuptojmë se sa të brishtë jemi

“Karantina ka qene një eksperiencë e çuditshme. Kohën e lirë mund ta shfrytëzosh për t`i bërë gjërat të cilat ke dashur t`i bësh gjithmonë, megjithatë, me një kusht të vetëm: që të gjitha këto aktivitete të kryhen brenda katër mureve. Në Bavari kanë qenë të ashpra dënimet për thyerjen e karantinës dhe ato kanë arritur vlerën deri në 25 000 euro. Në momente të tilla e kupton vlerën e kontaktit social, se sa të brishtë jemi si qenie njerëzore dhe sesa shumë kemi nevojë për njëri-tjetrin”.

Gjermania kishte parashikuar koronavirusin që në vitin 2015

Një dokument zyrtar i Institutit “Robert Koch” (një agjenci federale gjermane përgjegjëse për parandalimin dhe kontrollimin e sëmundjeve) tregon se Gjermania  qysh në vitin 2015 e ka parashikuar një pandemi të tillë dhe pikërisht me koronavirus. Mendoj se kjo është dëshmi që Gjermania ka qenë e përgatitur për një skenar të ngjashëm dhe se dikush në të kaluarën ka menduar dhe është angazhuar seriozisht për menaxhimin e krizave të shëndetit publik