Lajme

Mjekja shqiptare tregon për trajtimin e pacientëve shqiptarë me Covid 19 në Suedi

Geriolda Topi është mjeke në Shërbimin e Endokrinologjisë, Diabetit dhe Infertilitetit, rrëfen për situatën e pandemisë së koronavirusit në Suedi, trajtimin e pacientëve dhe strategjinë për të fituar betejën me virusin, përcjell albinfo.ch.

Fotografia e Gazeta Dielli

Suedia është vendi i vetëm që ndoqi një strategji të hapur ndaj virusit Covid-19 me qëllimin për të krijuar imunitetin e popullatës, duke shmangur kështu një valë të dytë të epidemisë dhe duke u përpjekur të ruajë “normalitetin e jetës” edhe gjatë kohës së pandemisë.

Fakti që Suedia ndoqi strategjinë e ekspozimit ndaj Covid-19, nuk do të thotë që nuk u morën masa parandaluese për të zvogëluar shpejtësinë e përhapjes së virusit në popullatë. Njerëzit kanë tentuar të vazhdojnë aktivitetet e përditshme duke zbatuar rregullat e higjenës dhe distancimit social në punë, supermarkete, transport publik etj., dhe duke u mësuar të “bashkëjetojnë” me situatën e Covidit.

“Suedia, që kur mori vendimin për të ndjekur strategjinë e imunizimit të popullatës, nuk po i mban shpresat tek vaksina. Realizimi i një vaksine të sigurt dhe efektive është një proces i komplikuar, që kërkon shumë studime eksperimentale dhe një kohë të gjatë për t’u realizuar. Për të mos harruar riskun e çdo vaksine për efekte anësore, të cilat mund të jenë edhe të paparashikuara. Kjo për arsyen se studimet e ashtuquajtura clinical trials, shumë rrallë zhvillohen në individë të shëndoshë (që është kontigjenti target për vaksinën), që zakonisht paguhen për pjesëmarrjen në studim dhe që janë shumë të pakët në numër” tha ajo.

Fotografia e Gazeta Dielli

Sidoqoftë, kërkimet në fushën e vaksinës ndaj Covid-19 janë duke u zhvilluar intensivisht, por personalisht mendoj që do të duhet akoma kohë që vaksina të aprovohet si një mjet profilaktike efikas dhe të sigurt.

“Suedia është një vend me një mjekësi konservative përsa i përket përdorimit të medikamenteve tek pacientët. Nuk përdoret asnjë preparat që është akoma në fazë eksperimentale dhe që nuk është aprovuar ende si një preparat i efikas dhe i sigurtë”, u shpreh mjekja shqiptare.

Sa u përket shqiptarëve në Suedi, Geriolda Topi në një intervistë për gazetën Diell, tha se ka shumë shqiptarë në Suedi dhe se deri tani vetëm dy pacientë shqiptarë kanë qenë me virus dhe se nuk ka pasur ndonjë info të ketë dëgjuar ndonjë rast tjetër.

“Në Malmö, qyteti ku unë jetoj, ka shumë shqiptarë. Kryesisht shqiptarë të Kosovës, por nuk janë të pakët edhe shqiptarët e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Nuk kam dijeni për statistika apo shifra përsa i përket infektimit apo vdekshmërisë së shqiptareve në Suedi nga Covid-19. Në rrethin e miqve dhe të njohurve shqiptarë që unë kam në Malmo, por edhe në qytete të tjera të Suedisë, fatmirësisht nuk ka pasur asnjë person që të ketë pasur simptoma të rënda apo të jetë testuar pozitiv me covid-19. Në spitalin ku punoj kam hasur vetëm dy pacientë shqiptarë me covid-19, një burrë dhe një grua të grupmoshës 50-60 vjeç, të shtruar në shërbimin e sëmundjeve infektive. Të dy këta pacientë nuk paten komplikacione të rënda dhe u shëruan plotësisht, duke dalë nga spitali negativ për covid-19”, u shpreh Topi. /Albinfo.ch.

Fotografia e Gazeta Dielli