Shqipëria përtej bregdetit

Mysafir te miqtë 

Shqipëria: Një popull i vogël, i cili i bashkon paqësisht tre besime – dhe është krenar për këtë; një kulturë, ku mikpritja përbën vlerën më të lartë

Në rastet kur unë, më herët, i thosha dikujt se do të udhëtoja për në Shqipëri, çdoherë përballesha me shumë skepticizëm. “Shqipëri?” Zviceranët, të cilët, ndryshe janë shumë të hapur ndaj botës dhe të cilët i gjen në shumë destinacione ekzotike turistike, shfaqnin ende një rezervë të madhe ndaj Ballkanit –tek ata ishin ende të pranishme pamjet e luftës dhe paragjykimet. Por sot, mvrenjtja e ballit në këtë drejtim është bërë më e vogël: Dalëngadalë , gjithnjë e më shumë zviceranë po mësojnë se Ballkani Perëndimor dhe në veçanti Shqipëria, ka për të ofruar shumë që ia vlen të shihet dhe se paragjykimet janë të pabaza. Për këtë ka kontribuuar sigurisht edhe fakti se shumë shqiptarë në Zvicër po perceptohen gjithnjë e më pozitivisht dhe janë gjithnjë e më mirë të integruar.

Më shumë se vetëm plazhe

Shqipëria është shumë më tepër se vetëm plazhet në Adriatik dhe riviera përrallore në jug, në Detin Jon. Këtu, në një hapësirë të vogël gjeni një peizazh shumë të larmishëm, që nis me detin dhe vazhdon me malet e larta. Kësaj i shtohet edhe një histori shumëvjeçare dhe një kulturë e pasur. Ndikimet nga lindja dhe nga perëndimi kanë lënë gjurmët e tyre, kanë identifikuar vendin dhe njerëzit si dhe kanë sjellë një përzierje mbresëlënëse: rrënojat antike nga periudha të ndryshme – edhe sot pothuaj të pavizituara – që “garojnë” për superioritet me monumentet osmane, ortodokse dhe italiane – nën hijen e rrokaqiejve modernë; një popull i vogël, i cili i bashkon paqësisht tre besime – dhe është krenar për këtë; një kulturë, në të cilën mikpritja përbën vlerën më të lartë – të gjitha këto mund t`i shijoni si turistë.

Malet shqiptare të kujtojnë Zvicrën dhe të ftojnë për aktivitete nën qiell të hapur. Këtu gjen liqene të mëdhenj të rrethuar me male, lugina piktoreske alpine dhe maja të larta malesh, si Liqeni i Komanit, i cili gjarpëron si një shirit i ngushtë mes mureve shkëmbore. Këtu gjen malet në jug, të cilat bien rrëpishëm nga më shumë se 2000 metra drejt rivierës shqiptare. Në shumë vende, bota malore është pothuaj e paprekur, dhe më e shumta që mund të takosh atje janë barinjtë me kopetë e tyre.

Ndërkaq, Shqipëria nuk ka vetëm peizazhe natyrore por edhe qytete dinamike. Disa syresh si Berati dhe Gjirokastra, që janë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, të joshin me qendrat e tyre historike. Qytetet e tjera të ofrojnë mbi të gjitha gjallëri: Mbrëmjeve mund të kalosh në zonën e këmbësorëve në një shëtitje ose për një birrë. Në qytetet e mëdha radhiten pranë njëra-tjetrës kafenetë ndërsa për urinë tuaj, restorante të shumtë ofrojnë ushqime të freskëta.

Shqiptarët, të predispozuar shumë miqësisht ndaj zviceranëve

Ndonëse Shqipëria për shumicën e zviceranëve është një fletë e bardhë, ajo ka kohë që nuk është më një perlë e pazbuluar. Vitet e fundit ajo ka zhvilluar një ofertë të pasur turistike. Mysafirët janë shumica shqiptarë, që vijnë të shlodhen në breg të detit. Ndërsa nëpër male qarkullojnë shumë çekë. Po ashtu gjithnjë më shumë evropianë perëndimorë, aziatikë dhe australianë po e vizitojnë Shqipërinë. Ata të gjithë duan të zbulojnë një vend të panjohur, një kulturë të huaj dhe priten përzemërsisht. Kjo ndodh pasi mikpritja është rrënjosur thellë në kulturën shqiptare. Njerëzit janë të gatshëm për ndihmë dhe të sjellshëm. Ata që u qasen njerëzve në mënyrë të hapur, mund të përjetojnë takime të paharrueshme, dhe në veçanti si zviceranë, ndaj të cilëve shqiptarët janë të predispozuar shumë miqësisht. Falë edhe traditës, udhëtimi është i sigurt, edhe natën dhe në rrugët periferike e të errëta, ose për gratë që udhëtojnë vetëm. Në përgjithësi, Shqipëria nga vizitorët e saj kërkon kureshtje dhe kënaqësi të zbulimit. Ndonëse vendi është i gatshëm për turistë, ardhja këtu vazhdon të jetë e lidhur me një frymë aventure. Në një vend, i cili brenda një kohe të shkurtër ka bërë ndryshime kolosale, është e natyrshme që të mos presësh kudo standardet më të larta. Kështu, Shqipëria është një vendpushimi për zbuluesit, ata që duan të njihen me të renë dhe me vendet që ende nuk janë gllabëruar nga turizmi masiv, një vend për turistët që nuk kanë nevojë që të gjitha t`i kenë si në shtëpi. Shqipëria është një vend për shijuesit, të cilët dëshirojnë që ndonjëherë të përjetojnë diçka të veçantë.

  • Autori është kryetar i shoqatës Zvicër-Shqipëri

 

 

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI