Lajme

NATO-s i shterojnë rezervat

Dy të tretat e vendeve të NATO-s kanë ezauruar kapacitetet për të furnizuar me armatime Ukrainën. Kështu shkruan e përditshmja amerikane “New York Times”, që citon një funksionar të lartë të Aleancës.

“Rezervat e armatimeve të 20 nga 30 vendet anëtare të NATO-s kanë përfunduar”, ka deklaruar funksionari, i cili ka ruajtur anonimatin.

Megjithatë, ka vijuar ai, 10 vendet e mbetura kanë ende mundësi të ofrojnë më shumë, sidomos aleatët e mëdhenj të Ukrainës, mes të cilëve Italia, Franca, Gjermania dhe Holanda.

Konkretisht, situata e rezervave të armatimeve është e vështirë për Poloninë dhe vendet baltike, shkruan “New York Times”, që saktëson se në tërësi vendet e NATO-s i kanë dhënë Ukrainës armatime me vlerë 40 miliardë dollarë, shifër kjo e barabartë me buxhetin vjetor të mbrojtjes së Francës.

Sa i takon situatës në terren, në 24 orët e fundit në rajonin e Donjeckut kanë mbetur të vrarë të paktën 5 civilë si pasojë e bombardimeve ruse.

Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarët vendas, të cilët kanë saktësuar se për momentin është e pamundur të përcaktohet numri i saktë i viktimave.

Nga ana tjetër, Kievi akuzon Moskën se po përgatit një mobilizim të ri dhe të fshehtë trupash për t’i dërguar si përforcime në vijën e frontit.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ukrainase, lëvizja pritet të aplikohet si në Rusi, edhe në territoret e pushtuara të Ukrainës./Euronews