Lajme

Ndahet nga jeta Erica Bauhofer – Schader, një mike e përkushtuar ndaj arsimit shqiptar

U angazhua e mblodhi donacione nga sponsorët zviceranë dhe së bashku me bashkëshortin e saj Shader realizuan një sërë projektesh me përkushtim për shkollat në veri të Shqipërisë për gjatë dy dekadave

Erica Bauhofer- Schader, e njohur për kontributin e madh ndaj arsimit shqiptar, lindi më 7 janar 1950 në Weinfelden / TG. Dje më 10 gusht 2022 u nda nga jeta në Hagenbuch / ZH.

Ndarja e parakohshme është një humbje e madhe për botën zvicerane sepse ajo tregoi gjithmonë cilësitë më të mira të gruas zvicerane dhe për botën shqiptare kishte një përkushtim humanitar si rrallë ndokush tjetër ndaj arsimit shqiptar.  Shquhet si mësimdhënëse e shquar e gjermanishtes dhe frëngjishtes.

Krahas veprimtarisë si pedagoge ajo do të jetë shumë aktive me projektet humanitare të herëpashershme për të dhënë standarde të reja shkollave në Shqipëri.

Duke qenë bashkëshortja e Prof. Dr Basil Schader shumë shpejt u afirmua në hapësirat shqiptare si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë Veriore dhe gjithçka që mësoi gjatë vizitave për problemet arsimit shqiptar, më pas këto njohuri i përdori për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve të shkollave në kuadër të projekteve që drejtonte. Ajo përkrahu pa kursim kulturën shqiptare sepse i donte shumë shqiptarët.

U angazhua e mblodhi donacione nga sponsorët zviceranë dhe së bashku me bashkëshortin e saj Shader realizuan një sërë projektesh me përkushtim për shkollat në veri të Shqipërisë për gjatë dy dekadave. Është i njohur kontributi i tyre i  çmuar në komunën e Balldrenit, në ndërtimin e dy shkollave të reja dhe kanë mbështetur ngritjen e standardeve të infrastrukturës në tri shkolla tjera. Bashkëshortet Schader janë shpallur qytetarë nderi në komunën e Balldrenit.

Zonja Erica me zemrën e saj bujare arriti e para nga zviceranet të krijoj miqësi me mësimdhënësit shqiptarë në Zvicër dhe ishte anëtare nderi i LAPSH-së në Zvicër prej 2 mars 2003.

Ajo luftoi mjaftë me sëmundjen e gjatë e të lodhshme!

Lamtumirë,  Erica Bauhofer- Schader !

Qoftë i paharrueshëm kujtimi për TY!

Gjenevë, 11. 08. 2022                                    Nexhmije Mehmetaj


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI