Lajme

Ndeshje historike Kosovë-Zvicër në Beach Soccer

Do të zhvillohet edhe një ndeshje miqësore ndërkombëtare, këtë herë mes Kosovës dhe Zvicrës në Beach Soccer që do të jetë e para e pranuar nga FIFA.

Më në fund FIFA i dha pëlqimin për garat miqësore ndërkombëtare edhe ekipit të Kosovës në Beach Soccer.

Një ndeshje e tillë cilësohet të jetë historike, ndërsa është mundësuar nga ekipi shqiptar Beach Soccer Club “Illyrian” në Zvicër, që do të përfaqësojë Kosovën në ndeshjen e parë miqësore me Zvicrën, që do të realizohet më 9 korrik në ZüriCabana në Hauptbahnhof Zürich.

Ndeshja e këtillë vjen në përvjetorin e 5-të të ekipit shqiptar Beach Soccer Club “Illyrian”, i cili luan në ligën zvicerane Suzuki Swiss Beach Soccer League.

Meritor për këte ndeshje janë dy vëllezërit, Selami dhe Rabit Rexhepi nga Kamenica e Kosovës, të cilët e formuan ekipin „Illyrian“ në vitin 2009 në Zvicër, ndërsa me vite e kishin ëndërr një ndeshje historike në mes të Kosovës dhe Zvicrës në „Beach Soccer“.

„Federata zvicerane, duke e njohur mirë historikun e ekipit  Beach Soccer Club “Illyrian”, duke e cilësuar si ekip integrimi i të huajve në sport ka marrë parasysh kërkesën tonë që në përvejtorin e 5-të të klubit të mundësojë këtë ndeshje miqësore. Fillimisht ishte menduar për Valis, por për shkak largësisë ishte ndërrruar me Cyrihun, në ZüriCabana, ku frekuentojnë mbi 400 mijë njerëz për cdo ditë“, ka bërë të ditur ekskluzivisht për albinfo.ch Selami Rexhepi, i entuziazmuar me përgjigjen pozitive të FIFA-s.

Një përgjigje pozitive nga FIFA klubi kosovar në Zvicër e kishte marrë në prill, duke kërkuar plotësimin e një formulari nga Federata e Kosovës në Futboll.

Formulari i ishte dërguar Arlind Grantollit, i deleguar nga Federata e Kosovës në Futboll për Beach Soccer që kërkesa të dorëzohet në mënyrë institucionale në FIFA.

Arlind Grantolli për disa vite me radhë organizon një turne në kryeqytetin e Kosovës me emrin « Beach Soccer Kosova »

Për shkak të stërzgjatjes së procedurave për përgatitjet e ndeshjesh historike Kosovë-Zvicër Future nuk ka mbetur edhe shumë kohë.

Selami Rexhepi tha për albinfo.ch se në këtë kohë të shkurtër po bëjnë përpjekje që të pergatisin një ekip dinjitoz që do të përfaqësohet nga shumica e lojtarëve që luajnë në Zvicër, ndërsa nga Kosova pritet të vijnë 2 deri 3 lojtarë në kuadër të delegacionit të Federatës së Futbollit që do të udhëhiqet nga Arlind Grantolli.

Shumica e ekpit kosovar që do përballet në ndeshjen miqësore ndërkombëtare me Zvicrën do të jenë nga ekipi i Beach Soccer Club “Illyrian”, por do të grumbullohen edhe futbollistë të njohur shqiptarë që luajnë në ekipe të njohura në ligën zvicerane Suzuki Swiss Beach Soccer League.

Zvicra në 2009 ka humbur finalen në kupën e botës me Brazilin në Dubai, kurse aktualisht figuron në vendin e 5-të në radhitjen botërore të FIFA-s.

Liga zvicerane Suzuki Swiss Beach Soccer League njihet si ndër ligat më të forta dhe mirë të organizuara në botë.

Në ekipet zvicerane luajnë më shumë amerikano-jugorë, prej nga e ka prejardhjen Beach Soccer, për këtë arsye dhe lojtarët e ekipit „BSC Illyrian“ kanë përfituar nga përvojat e tyre pasi që për dise vite me radhë kanë luajtur kundër këtyre ekipeve me lojtarë të njohur  latino-amerikan.

Tashmë në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës janë caktuar edhe datat seleksionuese për përzgjedhjen e lojtarëve që do të shkruajnë hisorinë, duke lujatuar ndeshjen e parë ndërkombëtare  të Kosovës në Beach Soccer me Zvicrën.

Bëhet fjalë për datat 25 (Juchhof ZH) dhe 28 qershor (Birr AG).

Para lojës kryesore të 9 korrikut do të zhvillohen edhe dy ndeshje testuese me BSC Havana Shots dhe BeachKings Emmen, dy ekipe të premierë ligës zvicerane.

Për këtë lojë historike kanë marrë mandatin Beach Soccer Club “Illyrian”, ndërsa udhëheqës të klubit premtojnë se edhe në të ardhmen mund të organizojnë edhe ndeshje të tjera miqësore, edhe pasi FIFA të japë dritën e gjelbër që Kosova mund të luajë në ndeshje ndërkombëtare.

Të gjithë lojtarët Future Schweiz janë aktivë në premierë ligën zvicerane.

Me këtë ndeshje do të shkruhet edhe një herë historia, ngase për herë të parë me pëlqimin e FIFA-s Kosova do të luajë një ndeshje ndërkombëtare në Beach Soccer me Zvicrën.

Në Kosovë luhet Beach Soccer, futboll në rërë, vetëm nëpër turnire, ndërsa qëllimi i organizatorit është ndërkombëtarizimi i futbollit kosovar, më konkretisht Beach Soccer.

„Eshtë një hap i madh në drejtim të ndërkombtarizimit të sportit „Beach Soccer“, si dhe një porosi që Kosova ka potencial edhe në diasporë, të cilët mendojnë për njohjen e sportit shqiptar. Duke pas parasysh qe nga tetori 2014 nisin kualifikimet e para për Olimpiadë, pasi „Beachsoccer“ është pranuar të jetë sport në lojërat e ardhshme olimpike, Federata e Kosoves me pak investime mundet me arrit shumë me talentet shiqtarë që rreth 25 prej tyre luajnë në premierë ligën zvicerane. Shpresojmë në një bashkëpunim të mirëfillt dhe të shëndosh në të ardhmen, pasi ketu janë strukturat e Ligës ku lojtarët munden të marrin përvojen e nevojshme ndërkombëtare“, pohon Selami Rexhepi.

Selami Rexhepi, kryetar dhe lojtar i klubit shpreh dhe një herë falënderimin  Federatës së Kosovës për besimin e dhënë në organizimin e kësaj ndeshje, në vecanti Fadil Vokrrit, Eroll Salihut si dhe Arlind Grantollit. Po ashtu dhe albinfo.ch për bashkëpunim të shkelqyeshëm qe nga themelimi i ekipit „BSC Illyrian“ e deri sot.

Biletat tashmë janë në shitje. Pritet të ketë interesim të madh nga shikuesit për lojën historike të parë të Kosovës në « Beachsoccer » me 09.07.2014 në Hauptbahnhof Zürich.

Të interesuarit për seleksionim munden të paraqiten në [email protected]


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI