Kosova

Ndikimi social e psikik i koronavirusit tek njerëzit

Vendimi për distancimin shoqëror në situatën aktuale të pandemisë konsiderohet i domosdoshëm. Mirëpo si ndikon ky distancim, duke ditur që njeriu në thelb është qenie shoqërore?

Në mars të këtij viti, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli pandeminë për shkak të numrit të madh të infektimeve me Koronavirus në nivel global.

Jeta jonë ka ndryshuar në mënyrë të shpejtë dhe drastike si rezultat i Koronavirusit. Në këta muaj, shumë shtete në botë kanë rritur përpjekjet për të miratuar masa të distancimit social, siç janë mbyllja e shkollave, kufizimi i tubimeve të mëdha dhe mbyllja e kufijve. Shumë shtete kanë zbatuar bllokime totale, urdhra për të qëndruar në shtëpi dhe mbyllje të të gjitha bizneseve jo thelbësore.

Vendimi për distancimin shoqëror në një situatë të tillë konsiderohet i domosdoshëm. Mirëpo si ndikon ky distancim, duke ditur që njeriu në thelb është qenie shoqërore?

Bekim Selishta, sociolog në Kosovë, shpjegon se e gjithë kjo situatë në të cilën gjendet e gjithë bota ka impakt të pashmangshëm në aspektin social tek njerëzit.

Izolimi, një “e keqe e domosdoshme”

“Në aspektin social ky izolim ngërthen në vete një mori aspektesh negative, si moszhvillimi i punës në rrethana normale, bllokada ekonomike, shfrytëzimi i kohës së lirë etj. Kjo shkakton ndryshim tek sjelljet e njerëzve, kjo mund të shpjegohet pjesërisht nga frika, por edhe nga dëshira për të shmangur infektimin, kësisoj angazhimi personal për të ndihmuar në uljen e përhapjes së sëmundjes,” potencon Selishta.

Veç tjerash ai shton: “Mbyllja nuk është e lehtë, por duhet të adaptohemi me rregullat dhe rekomandimet nga profesionistët shëndetësorë, është e rëndësishme që duhet të kemi qasje pozitive për rrethanat që janë krijuar pa fajin tonë, por për shëndetin tonë. Nuk duhet të krijojmë panik apo pakënaqësi brenda habitatit familjar. Është e domosdoshme qasja pozitive brenda familjes  në mënyrë që të evitohen probleme të panevojshme familjare”.

Nuk është e papritur që në situatën aktuale të pandemisë njerëzit e gjejnë veten duke u përballuar me frikë për shëndetin e tyre apo të familjarëve të tyre, me varfëri apo pasiguri ekonomike, me pyetje të tilla si: sa do të zgjasë kjo gjendje, cilat do të jenë pasojat afatgjate, kur do t’i kthehemi normalitetit.

Veç pandemisë reale kemi dhe një “pandemi mediale”

Ardiana Shala, psikologe nga Kosova e shpjegon frikën tek njerëzit si normale. ”Është e natyrshme që njerëzit të kenë frikë e rritje të stresit në një situatë të tillë, e cila ka ndryshuar relativisht shpejt dhe në përmasa të mëdha në përditshmërinë tonë”.

Situata aktuale është gjithashtu e shoqëruar nga një “pandemi” mediale të informacioneve të shumta që qarkullojnë në internet për Koronavirusin. Mes tyre ka  edhe shumë lajme të pasakta e konspirative, ose gjysmake e të paqarta, dhe kjo jep kontribuon shtesë në rritjen e nivelit të stresit, frikës.

“Për disa njerëz që vuajnë nga sëmundje të ndryshme psikike, si p.sh. depresioni apo çrregullime ankthi, por jo vetëm, kjo situatë, e shoqëruar me ngarkesën e informatave negative rreth saj, mund të jetë shumë e vështirë për shkak tendencës që personi të fokusojë vëmendjen më shumë tek lajmet negative, dhe të ekzagjerojë përmasat e pasojave negative, në një realitet ku ‘pozitivja’ mbizotërohet nga lajmet negative dhe është më vështirë të definohet e dallohet” thotë Shala.

Të mos nënvlerësohet nevoja për këshillime psikologjike

Prandaj, edhe gjatë pandemisë kur po përballemi me një rrezik për shëndetin tonë fizik, nevoja për këshillime psikologjike profesionale nuk duhet të nënvlerësohet. Shala thotë që Kosova ka mjaft organizata të ndryshme jo-qeveritare, shoqata dhe klinika të shëndetit mendor, private e publike, që kanë përvojë të madhe në fushën e shëndetit mendor. Ndërsa me përkrahjen e institucioneve përkatëse shtetërore në një bashkëpunim të ndërsjellë, eventualisht edhe me ndihmën e profesionistëve vullnetarë, do të mund të krijoheshin programe të përbashkëta emergjente të ofrimit të shërbimeve psiko-sociale në forma alternative online, apo përmes telefonit, për ata që kanë nevojë.

Një mjet tjetër i rëndësishëm, sipas Shalës, në përballjen e suksesshme me pandeminë dhe pasojat e saj të ndryshme për shoqërinë, duke përfshirë ato psikologjike që rezultojnë nga ky distancim social, është gjuha që përdoret.

“Gjuha nuk shërben vetëm për shkëmbim të njohurive, informatave e ideve, por afekton direkt të menduarit, bindjet, ndjenjat dhe sjelljen tonë”, potencon ajo.

 

Kujdes me gjuhën!

Shala këshillon që në gjuhën që përdoret, qoftë nga zyrtarët shtetërorë, por edhe nga grupe tjera të shoqërisë civile dhe mediave, duhet të ketë një përgjegjësi më të madhe.

“Duhet mbrojtur çdo njeri nga pasojat negative të mundshme, edhe psikologjike, gjatë këtij përjetimi kolektiv të distancimit social, duke informuar saktë, duke mos etiketuar njerëzit të cilët konsiderohet se nuk respektojnë rregullat, (apo vetëm duket ashtu) në kategori paragjykuese si “të pamarrë vesh”, apo “Covidiot” e të tjera”, shton ajo.

Se si do të dalim nga përvoja e ballafaqimit me këtë pandemi, do të jetë një mësim i rëndësishëm për shoqërinë tonë. Është e rëndësishme të theksojmë që kemi shumë shembuj të mirë të solidaritet shoqëror, të vullnetarizmit të ndryshëm, të njerëzve që grumbullohen (virtualisht) rreth ideve të ndryshme për të ndihmuar, përkrahur, informuar, apo edhe thjeshtë argëtuar të tjerët; dhe këto shembuj duhet t’i ndajmë për të fuqizuar kohezionin social në shoqërinë kosovare.

Ngarkesë informatash negative

“Për disa njerëz që vuajnë nga sëmundje të ndryshme psikike, si p.sh. depresioni apo çrregullime ankthi, por jo vetëm, kjo situatë, e shoqëruar me ngarkesën e informatave negative rreth saj, mund të jetë shumë e vështirë për shkak tendencës që personi të fokusojë vëmendjen më shumë tek lajmet negative, dhe të ekzagjerojë përmasat e pasojave negative”.

Nevojë për këshillime psikologjike profesionale

Edhe gjatë pandemisë kur po përballemi me një rrezik për shëndetin tonë fizik, nevoja për këshillime psikologjike profesionale nuk duhet të nënvlerësohet. Shala thotë që Kosova ka mjaft organizata të ndryshme jo-qeveritare, shoqata dhe klinika të shëndetit mendor, private e publike, që kanë përvojë të madhe në fushën e shëndetit mendor.

*Artikulli është publikuar numrin e fundit të revistës albinfo.ch dhe është shkruar në fillim të majit