Lajme

Në Ambasadën e Kosovës në Austri u mbajt program kulturor i përgatitur nga nxënësit e Shkollës Shqipe

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka njoftuar se me rastin e 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, në ambientet e ambasadës u mbajt një program kulturor i përgatitur nga nxënësit e Shkollës Shqipe, si dhe u hap ekspozita me vizatime “Atdheu në sytë dhe mendjen time”.
Sipas njoftimit, përmes këngëve dhe punimeve të tyre artistike, fëmijët shprehën me shumë kreativitet dhe emocion mënyrën se si e shohin, e ndjejnë dhe e përfytyrojnë atdheun.
“Punimet e ekspozuara u përcollën me interes nga të pranishmit dhe dëshmuan lidhjen e veçantë që brezat e rinj ruajnë me vendin, gjuhën dhe kulturën tonë. Atmosfera në Ambasadë ishte festive, e mbushur me gëzim, krenari dhe emocion, teksa nxënësit prezantuan para prindërve dhe mysafirëve programin e tyre artistik. Falënderim i veçantë për mësuesesit: znj. Miradije Berisha, z. Osman Ademi dhe z. Ibrahim Hasani për përkushtimin e tyre në edukimin e brezave të rinj. Falënderime të veçanta për të gjithë prindërit që me angazhimin e tyre mbështesin aktivitetet e fëmijëve”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.at.