Lajme

Në cilat vende paguhet taksë turistike për t’i vizituar?

Disa shtete në botë kanë aplikuar taksë turistike, ku vizitorët duhet të paguajnë për hyrjen në vend.

Nga vera e këtij viti për të vizituar Venecian duhet paguar nga 3 deri në 10 euro, në varësi të sezonit.

Nga fundi i vitit 2022, qytetarët që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, përfshirë amerikanët, australianët, britanikët dhe ata jashtë zonës Schengen, duhet të paguajnë 7 euro për të hyrë në vendet e Unionit. Përjashtohen personat nën 18 vjeç dhe mbi 70 vjeç.

Tajlanda synon të aplikojë pagesë prej 8 euro për të hyrë vend nga muaji prill. Sipas autoriteteve, paratë do të përdoren për t’u kujdesur më shumë për turistët dhe për të financuar pikat turistike.

Taksa turistike ekziston në disa vende. Përballimi i numrit të lartë të turistëve është një ndër arsyet e vendosjes së taksës.

Në shumicën e rasteve kjo taksë i mbivendoset biletës së avionit, ose faturës së hotelit.

Taksa turistike në Greqi bazohet në numrin e yjeve të hotelit ose numrin e dhomave. Pagesa është deri në 4 € për dhomë. Kjo nismë u prezantua nga Ministria Greke e Turizmit për të ndihmuar në uljen e borxhit të vendit.

Kroacia rriti taksën e saj turistike më 2019. Vizitorët paguajnë rreth 1,33 € për person në natë. Norma zbatohet vetëm gjatë sezonit të verës.

Bullgaria aplikon një tarifë turistike prej 1.50 euro për qëndrimet gjatë natës.

Në Francë duhet paguar një “taxe de séjour”. Kjo taksë shtohet në faturën e hotelit dhe ndryshon në varësi të qytetit ku jeni. Çmimet variojnë nga 0,20 € në rreth 4 € për person, për natë. Pikat e nxehta turistike, si Parisi dhe Lioni, i përdorin paratë për të mirëmbajtur infrastrukturën turistike.

Taksat turistike në Itali varet nga vendi. Tarifa e Romës varion nga 3 deri në 7 euro për natë, në varësi të llojit të dhomës, por disa qytete më të vogla paguajnë më shumë.

Nëse shkoni në Ibiza ose Majorca, taksa mund të arrijë deri në 4 € për natë.

Taksë turistike ka edhe në Belgjikë, Austri, Çeki, Gjermani, Hungari, Indonezi etj.