Lajme

Protestohet kundër planit për dëbimin e të huajve në Gjermani

Në Gjermani është protestuar në kundërshtim të planit për dëbimin e të huajve, transmeton albinfo.ch.

Shkak për nisjen e protestave masive u bë zbulimi nga gazetarë investigativë të institutit kërkimor “Correctiv”, se anëtarë të AfD ishin takuar në 25 nëntor në Potsdam për të diskutuar një plan “riemigrimi”, nëse AfD arrin pushtetin në Gjermani.

Ekstremisti i djathtë austriak, Martin Sellner, propozoi në atë takim të fshehtë një plan me të cilin “të kthehej mprapsht, vendosja e të huajve” në Gjermani, ndërsa me të huaj nënkuptonte azilkërkuesit, persona me leje qëndrimi në Gjermani, por edhe shtetas gjermanë “të paasimiluar” me origjinë të huaj, shkruan DW.

Të gjithë këta do të dëboheshin në një “shtet model” në Afrikën e Veriut. Procesin ekstremistët u quajtën me eufemizëm “riemigrim” (riemigrim = lexo: dëbim). Kjo është ide analoge me idenë e nazistëve, të cilët kishin zgjedhur ishullin e Madagaskarit, si vend deportimi për personat e padëshiruar. Përfaqësuesit e AfD-së në takim jo vetëm që nuk e kundërshtuan planin, por e mbështetën.

Kur u publikua raporti, gjashtë shoqata juristësh gjermanë, ndër ta Federeta e Gjyqtarëve Gjermanë dhe Dhoma Gjermane e Avokatisë, kanë deklaruar se takimi është sulm kundër Kushtetutës dhe shtetit juridik. Ata thanë se takimi mund të kthehet në një “konferencë të dytë Wannsee”.

Kjo lidhet me konferencën e Wannsee, të vitit 1942, e cila vendosi të ashtuquajturën “zgjidhje përfundimtare” kundër hebrenjve: koordinimin e shfarosjes sa më efikase të hebrenjve të Evropës.

Pak orësh pas botimit të artikullit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se çdo plan për të dëbuar migrantët është “një sulm kundër demokracisë dhe kundër të gjithëve ne”. Pak ditë më vonë, Scholzi dhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, morën pjesë vetë në protestën e mbi 10.000 vetëve në Potsdam, kundër ekstremizmit të djathtë. Një sërë politikanësh janë pozicionuar, me fjalime, edhe si pjesëmarrës në demonstrata.

Masivitet historik i protestave

Në protesta deri tani, kanë marrë pjesë rreth 1 milion vetë: ministria e Brendshme foli për 900.000, organizatorët për 1.4 milionë vetë.

Sipas ekspertëve, këto janë protestat më të mëdha në historinë e Gjermanisë, pas protestave kundër luftës së Vietnamit dhe lëvizjes qytetare në RDGJ. Në disa qytete, si në Mynih dhe në Hamburg, organizatorët u detyruan madje t’i ndërpresin demonstratat për shkak të mbingarkimit të qyteteve nga numri i jashtëzakonshëm i njerëzve. Në Berlin kundër AfD-së demonstruan 350.000 vetë, në Mynih demonstruan 250.000 vetë; në Hamburg 160.000 vetë; 70.000 vetë demonstruan në Këln; 60.000 në Leipzig; 50.000 vetë në Dresden.

Protestues nga të gjitha grupet sociale

Me demonstratat masive pjesëmarrësit përcjellin mesazhin se ka një kufi për të gjitha fantazitë ekstreme, të cilat në fund mund të çojnë në dhunë.

Demonstruesit e këtyre ditëve kundër AfD-së kanë përbërje shumë heterogjene: janë të rinj, të vjetër; liberalë, konservatorë; migrantë; familje, beqarë; gjermanolindorë, gjermanoperëndimorë; çifte homoseksuale. Janë, pasqyra e kundërt e tabllosë së homogjenitetit të popullit, të cilën e kërkon AfD.

Ata organizohen shpesh në formë solidariteti: protestat në një qytet nxisin shtetas në qytete të tjera të bëjnë të njëjtën gjë.