Lajme

Në janar hapet qendra e parë në Zvicër për vaksinim kundër Covid-19

Mjeku i kantonit të Bazelit Thomas Steffen ka konfirmuar për SRF se së shpejti do të ngrihet qendra e vaksinimit. Nga kur fillon vaksinimi, është ende e hapur

Vaksina pritet me padurim dhe në të njëjtën kohë ka ende shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me të, shkruan srf.ch. Në kohën kur disa kompani farmaceutike po bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të sjellë vaksinën në treg sa më shpejt të jetë e mundur, autoritetet janë të angazhuara me vendosjen e logjistikës së nevojshme.

Kantoni Basel-Stadt po nxiton veçanërisht në këtë drejtim, transmeton albinfo.ch. Mjeku i kantonit Thomas Steffen ka thënë për SRF se ata, teorikisht duhet të jenë gati që në janar për të filluar me vaksinimin. Prandaj është e sigurt që Bazeli fillimisht do të administrojë dozat në një qendër të madhe vaksinimi.

Qendër e madhe e vaksinimit në sallat e Panairit të Bazelit

Arsyeja për këtë është se vaksina kërkon shumë teknologji, thotë Steffen. “Në një fazë të mëvonshme ne duam gjithashtu të decentralizojmë vaksinimin”. Kantoni tashmë ka shqyrtuar një vendndodhje të përshtatshme, përcjell albinfo.ch. Njëra prej tyre është në diskutim me qendrën zvicerane të panaireve. Sallat e mëdha të kompleksit të Panairit në Bazel janë vendi ideal për një qendër të madhe vaksinimi.

Steffen ende nuk mund të vlerësojë nëse vaksinimet mund të fillojnë në janar. Sidoqoftë, mjeku i kantonit pret që vaksina kundër koronavirusit të jetë në dispozicion më së voni deri në mars të vitit 2021.

Mjeku i kantonit llogarit se të paktën 40,000 njerëz do të duhet të vaksinohen, transmeton albinfo.ch. Ky numër përfshin njerëzit që janë në grupin e rrezikut. Qendra në fjalë është menduar vetëm për kantonin Basel-Stadt dhe jo si një qendër mbi-rajonale.