Kosova

Në Kosovë 24 mijë vende pune më pak, shumë kanë marrë viza

Rukiqi tha se tri barrierat kryesore mbesin konkurrenca jolojale, mungesa financiare dhe ekonomia jo formale

Ekonomia e Kosovës që nga tremujori i tretë i vitit 2017 deri në këtë tremujor ka humbur 24 mijë e 100 vende të punës.

Kjo bazuar në statistikat e nxjerra nga Agjencia e Statistikave. Në kompanitë dhe institucionet e Kosovës kanë lëshuar punën mbi 24 mijë qytetarë. Kështu tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi gjatë publikimit të indikatorit matës për klimën e biznesit në Kosovë për tremujorin e dytë të këtij vitit.

“Që nga tremujori i tretë i vitit 2017 e deri tash Kosova ka humbur 24 mijë e 100 vende të punës. Këtë e keni zyrtarisht në tabelat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Supozimet janë që një pjesë e madhe e njerëzve kanë marrë viza pune dhe këto vende të punës nuk i kanë zëvendësuar kompanitë”, tha ai, raporton televizioni publik i Kosovës.

Rukiqi tha se tri barrierat kryesore mbesin konkurrenca jolojale, mungesa financiare dhe ekonomia jo formale, përcjell albinfo.ch.

“Në çdo indikator në këtë tre mujor kemi ulje të nivelit të kënaqshmërisë së bizneseve dhe ulje të pritjeve për gjashtë mujorin e ardhshëm. Kjo nënkupton se kemi përkeqësim të gjendjes së bizneseve. Kjo reflektohet edhe në të dhënat, ku nga 43 përqind sa kanë qenë në tre mujorin paraprak të bizneseve që kanë pasur pritje pozitive, në këtë tre mujor kemi 34 përqind”, tha ai.

Kryetari Rukiqi shfaqi edhe një shqetësim tjetër atë për rritjen e numrit të grabitjeve dhe vjedhjeve në biznese, veçanërisht në sektorin bankar.