Kosova

Në Kosovë shifra shqetësuese të dhunës në familje

Dukuria e dhunës në familje është mjaft e shprehur në Kosovë. Vetëm në këtë vit në data bazë janë regjistruar mbi 1700 raste të reja të dhunës familjare.

Me rastin e publikimit të rezultateve për anketën mbi Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë, në prag të 25 nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe fillimit të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit”.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me këtë rast tha se Kosova ka shënuar hapa të mëdhenj në fuqizimin dhe emancipim e gruas kosovare, por që ende ka punë për t’u bërë, përcjellë albinfo.ch.

Sipas tij Kosova do të vazhdojë përkrahjen e gruas, derisa ajo të ndihet e barabartë dhe e sigurt në shoqërinë kosovare.

Kreu i shtetit deklaroi se emancipimi dhe fuqizimi i femrës në shoqërinë kosovare është thelbësor për një shoqëri të zhvilluar.

“Rekomandimet tuaja do të ndihmojnë në ndërmarrjen e hapave për të përmirësuar pozitën e gruas në shoqërinë kosovare. Është e vërtetë që përkundër sfidave dhe historisë tonë kemi bërë hapa të mëdhenj për fuqizimin e gruas dhe avancimin rolit të saj në shoqëri dhe institucione. Por ky është vetëm fillimi kemi edhe rrugë për të bërë për të garantuar barazi të plotë gjinore në shoqërinë kosovare. Me përkushtimin dhe njohurit tona dhe me përkrahjen tuaj do vazhdojmë të ecim përpara derisa çdo grua dhe vajzë të ndihen të barabarta në shoqërinë tonë, të ndihen të sigurta, të pranuar dhe mbrojtur e barabartë dhe e lirë“, u shpreh Thaçi.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu u shpreh se dhuna në familje është dukuri, e cila nuk e prek vetëm shoqërinë kosovare por edhe gjithë botën.

Sipas tij në 10 dekadat e fundit në Kosovë janë vrarë 34 gra dhe vajza nga burrat, baballarët apo djemtë e tyre.

Derisa ka folur për rezultatet e kësaj ankete tha se shifrat e dala duhet të jenë thirrje për reagim nga institucionet e Kosovës karshi dhunës në familje.

“ Të dhënat e analizuara në hulumtimin tonë tregojnë se vetëm 2 përqind e grave i kanë raportuar incidentet serioze të dhunës në baza gjinore në Polici ose shërbime sociale, vetëm 1 e 3 e grave ndjehen shumë mirë apo mirë të informuara në lidhje me shërbimet mbështetëse.. Shifrat duhet të bëjnë thirrje për veprim nga të gjithë ne dhe përgjegjësia bie mbi institucionet përgjegjëse. Burra dhe gra duhet të luajnë rol aktiv në parandalimin e dhunës në baza gjinore është dhuna ndaj familjes ndaj shoqërisë dhe duhet të punojmë tok ta çrrënjosur atë“, tha Braathu.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova u shpreh se dhuna në familje si një fenomen botëror është mjaft e vështirë të luftohet prandaj kërkoi nga Qeveria e ardhshme e Kosovës që të ndaj mjetet e nevojshme për të luftuar këtë dukuri.

Sipas Apostolovës Kosova ka shënuar progres në luftimin e kësaj dukurie me krijimin e data bazës, dhe plotësim – ndryshimin e Kodit Penal sa i takon kësaj dispozite ligjore.

Shefia e BE-së u shpreh se anketa thekson se në Kosovë mungon mbështetja për shërbimet dhe strehimoret për gratë viktima.

“Përfundimisht inkurajojmë qeverinë edhe komunat që të garantojnë financimin e strehimoreve derisa fondet tu shpërndahen situata mbetet prapë e paqartë në disa strehimore. Ka nevojë që ky financim të jetë i qëndrueshëm por edhe të harmonizohet trajnimet që merren nga punëtorët e strehimoreve dhe pastaj protokollet.Mund të themi se anketa jo detyrimisht ka paraqitur diçka që nuk e kemi ditur por e ka paraqitur në një format që është një vegël tejet e mirë për t’i ndihmuar vendimmarrësit në Kosovë që të marrin dhe të kenë të dhëna të sakta dhe të besueshme. Qeveri e Kosovës do të duhej që të kujdesej duke ndarë buxhetin e duhur për institucionet kompetente,resurset duhet të përdoren në mënyrë të mençur”, theksoi Apostolova.

Ndërsa, Vlora Nushi nga UN WOMEN tha se institucionet e Kosovës përkundër sfidave kanë treguar seriozitetin e tyre karshi dhunës në familje.

Ajo ka kërkuar që edukimi të fillojë qysh nga sistemi i edukimit fillor në Kosovë dhe të bëhen ndryshimet e nevojshme në tekstet shkollore.

Shqetësuese sipas saj mbetet fakti që përkundër prezencës së madhe të dhunës në familje, niveli i raportimit është i ulët.

“Sipas rezultateve të këtij studimi 54 përqind e grave deklarojnë se kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike apo seksuale që nga mosha 15 vjeçare. Raporti gjithashtu tregoi se 48 përqind e grave të anketuara besojnë se dhuna në familje duhet të mbahet brenda familjes dhe kjo duhet të ndryshojë. Fatkeqësisht edhe pse dhuna ndaj grave dhe vajzave vazhdon të jetë e përhapur në Kosovë, numri i rasteve të raportua është ende shumë i ulët, prandaj ne duhet t’i fuqizojmë të mbijetuarat e dhunës për të raportuar dhunën”, deklaroi Nushi.

E koordinatori i Kosovës Kundër Dhunës në Familje, Naim Qelaj tha se vetëm në këtë vit janë regjistruar në data bazën e krijuar mbi 1700 raste të dhunës në familje.

Sipas tij Kosova ka krijuar bazë të mirë ligjore për luftimin e kësaj dukurie negative.

“Nga baza e krijuar e të dhënave për rastet e dhunës në familje janë mbi 1700 raste të raportuara do thotë dhuna në familje është shumë prezente në shoqërinë tonë dhe është një dukuri shumë shqetësuese. Megjithatë shteti nuk ka mbetur prapa në marrjen e masave dhe hapave që duhet t’i ndërmarrë me qëllim të luftimit të kësaj dukurie”, tha Qelaj.

Rezultatet e Anketës mbi Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë tregojnë se gati dy të tretat e grave të anketuara apo 64 përqind thonë se dhuna ndaj grave ndodh në Kosovë shpesh, dhe më se gjysma e grave apo 54 përqind të grave deklarohen se kanë përjetuar dhunë nga partneri intim, dhe atë kryesisht dhunë psikologjike, porse 9 përqind e grave kanë raportuar se kanë përjetuar po ashtu edhe dhunë fizike.

Sipas këtij raporti 92 për qind e grave nuk kanë kontaktuar asnjë shërbim qoftë edhe në rastet më serioze të dhunës të ushtruar nga partneri aktual, 81 përqind nga partneri i mëhershëm, ose jo partneri 72 përqind. Raporti tregon se vetëm 2 përqind e grave në Policinë e Kosovën kanë raportuar për dhunën më serioze të ushtruar nga partneri aktual, derisa vetëm 3 përqind prej këtyre grave e kanë raportuar rastin tek shërbimet sociale apo strehimoret.

Anketa mbi Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë është organizuar nga OSBE, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, UN WOMEN, Unicef, FRA,etj.