Kosova

Në marketet e Kosovës vetëm 10% e produkteve janë vendore

Drejtori ekzekutiv i prodhuesve vendorë, Astrit Panxha, ka thënë se 90% e produkteve në marketet e Kosovës janë nga importi, ndërsa vetëm 10% produkte vendore.

Ai ka shtuar se në Kosovë ka nevojë të rregullohet tregu. Panxha ka thënë se në Gjermani është bërë një hulumtim, i cili tregon se në rast që konsumatori nuk e gjen produktin që e kërkon në 60% të rasteve, ai nuk e ndërron supermarketin, por produktin, prandaj sipas tij, ka shumë rëndësi vendosja e produkteve nëpër markete.

Në një konferencë të organizuar nga Klubi i prodhuesve të Kosovës, ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili tha se nuk do të lejohet që 90% e produkteve në markete të jenë prodhime të huaja.

Ai shtoi se respektimi i konkurrencës se lirë, hapja dhe mundësia e qarkullimit të lirë të mallrave është e drejtë, por çdo vend ka rregulla dhe ato duhet të respektohen. Limaj madje paralajmëroi ndryshimin e Ligjit për Tregtinë, duke apeluar që të trajtohen barabartë tregtarët vendës.