Kosova

Në njëvjetorin e vdekjes, Vetëvendosje kërkon drejtësi për Astrit Deharin

Lëvizja Vetëvendosje kërkoi shkarkimin e  ish-ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, drejtorit të Policisë, Shpend Maxhuni, komandant i policisë në Prizren Nexhmi Krasniqi. Protestuesit gjuajtën me gurë e ngjyrë objektin e Qeverisë

Qindra qytetarë, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë protestuar sot në Prishtinë, në njëvjetorin e vdekjes tragjike të Astrit Deharit, aktivist i kësaj lëvizjes. Drejtuesit e Vetëvendosjes edhe një herë akuzuan liderët institucional, si përgjegjës për vdekjen e Astritit, në burgun e Prizrenit, nën dyshimet se ishte përfshirë në sulmin me granatë ndaj Kuvendit të Kosovës.

Marshi protestues nuk përfundoi i qetë, pasi disa protestues gjuajtën me gurë e ngjyrë e kuqe në drejtim të Qeverisë së Kosovës, derisa në oborr të Qeverisë u vendos pankarta ku kërkohej drejtësi për Astritin. Sipas Policisë, për këtë aksion vandal nga objektit të Qeverisë, dy protestues janë shoqëruar në komisariat.

Aksioni i aktivistëve të Vetëvendosjes ndodhi gjatë kohës kur lideri i Vetëvendosjes Visar Ymeri ishte duke mbajtur fjalën e tij, e ku ai i dha qeverisë së Kosovës afat prej tre muajsh të përmbushin kërkesat e tyre.

Në mesin e kërkesave ishte edhe shkarkimi nga pozita e zyrtarëve si ish ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, drejtorit të Policisë Shpend Maxhuni, komandant i policisë rajonale në Prizren Nexhmi Krasniqit dhe Fatos Makollit.

“Më 5 nëntor 2016 nuk vdiq Astriti. Ai përherë e më shumë po bëhet i gjallë. Më 5 nëntor 2016 vdiq shteti i Kosovës. Vdiq edhe niveli bazik për një drejtësi të paanshme dhe të pavarur. Vdiq përgjegjësia bazike e institucioneve për t’u ofruar siguri qytetarëve. Vdiq funksionimi bazik institucional për përgjegjësi qytetarëve. Vdiq edhe fija e fundit e besueshmërisë së qytetarëve në institucionet e vendit”, tha Ymeri, transmeton KP.

Lideri i Vetëvendosje i dha ultimatum Qeverisë së Kosovës deri më 5 shkurt të vitit 2018.

“Pra i ka tre muaj afat për të plotësuar kërkesat e mëposhtme: Lejimi dhe nisja e hetimeve të pavarura të gjithanshme sipas kërkesës së familjes Dehari dhe avokatit që i përfaqëson ata. Nën dy shkarkimi nga pozita zyrtare për t’i hapur rrugë hetimeve, i Dhurata Hoxhës, e cila ishte ministre e drejtësisë e tash ministre e integrimit, Shpend Maxhuni – drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Nexhmi Krasniqit komandant i policisë rajonale në Prizren dhe  Fatos Makollit, drejtor i njësisë kundër terrorizmit”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti para protestuesve tha se rënia dëshmor e Astritit dëshmon se Kosova po sundohet nga një kastë e dhunshme kriminelesh që e kanë uzurpuar lirinë, të cilët vjedhin dhe shesin pasurinë shtetërore.

Kurti tha se u bën një vit që duken sa një shekull pa Astritin si një aktivist e patriot i cili punoi gjithnjë për drejtësi e barazi.

E shoku i afërt i Deharit, Egzon Pnishi, duke rrëfyer një pjesë të kujtimeve me Astrit Deharin, theksoi kontributin e tij të jashtëzakonshëm si mjek human që do të bëhej, duke përmendur kërkesën e vazhdueshme të Deharit që në protesta të kishte ekip mjekësor.

“Astriti punën e parë e kreu për ne. Ai na ka bashkuar si shoqëri, ai na e dha mundësinë. Është në detyrën tonë që të vazhdojmë përpjekjet për një shoqëri e një vend ndryshe nga ky që kemi sot e që ka lejuar që ngjarje të tilla, si Astritit që i ndodhën, dhe askush të mos mbahet përgjegjës. Drejtësia për Astritin nuk mjafton vetëm me hetime të pavarura”, tha ai.

Në emër të familjes Dehari, Destan Hajdini tha se janë të indinjuar nga pasiviteti i organeve që është dashur ta bëjnë punën e tyre për të ofruar një siguri dhe drejtësi në vend. Ai tha se jo vetëm që e vranë Astritin por është vrarë siguria dhe drejtësia e Kosovës dhe kjo bën përgjegjës të gjithë pa përjashtim.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është zotuar se rasti i tij do të ndriçohet dhe se çdo kërkesë e familjes Dehari do të realizohet. Angazhimi i një instituti zviceran për të zbardhur të vërtetën e vdekjes  së Astrit Deharit, ishte kërkesa e Familjes Dehari për kryeministrin, ditën e shtunë -gjatë një konference për media.

“Si Kryeministër, zotohem se Qeveria e Kosovës me kapacitetet e saj do të bëjë gjithçka që ky rast të ndriçohet. Çdo kërkesë e familjes Dehari do të realizohet. Drejtësia për Astritin do të ndodhë”, shkruan ai.

Tutje, Haradinaj përmes FB-së ka shkruar se bashkëndjen me familjarët, miqtë, e kolegët e familjes Dehari e po ashtu edhe qytetarë të cilët po protestojnë sot në kërkim të ndriçimit të rastit Dehari.