Feja

Në Zvicër nuk falet Fitër Bajrami, xhamitë nuk hapin dyert për xhematin

Në këtë kohë pandemie, jeta jonë ka ndryshuar shpejt e në mënyrë dramatike. Agjerimi i ramazanit për shumë besimtarë ka kaluar në heshtje dhe pokështu po kalon edhe fitër Bajrami

Ceromonia më e madhe e faljes së Bajramit, sot për herë të parë në historinë e xhamive shqiptare të Zvicrës, nuk është falur. Ato kanë mbetur të mbyllura në ditën më të rëndësishme të muslimanëve.

Besimtarët janë, por nuk duken. Faljet bëhen por nuk regjistrohen. Urimet shkëmbehen por duart nuk shtrengohen dhe takimet ndodhin por njerëzit fizikisht nuk takohen. Gjithçka është ndryshe e në „duart“ e botës virtuale, përmes së cilës ne plotësojmë boshllekun social të shkaktuar nga virusi Corona. Jeta megjithatë vazhdon dhe ne të gjithë pa dallim po i përshtatemi këtij rregulli të ri të imponuar nga armiku ynë i brishtë e i padukshëm, Covid19.

Për besimtarin e devotshëm, Ragip Ramën i cili ka qenë i rregullt në agjerimin e ramazanit, është hera e parë që po e përjeton një situatë të këtillë. Madje as prindërit e tij nuk mbajnë mend të jenë mbyllur xhamitë për faljen e bajramit në jetën e tyre 70 vjeçare.

Ramazani është muaji i Kuranit dhe kremtimi i krejt muajit mbyllet me faljen e bajramit. „Qe 20 vite bajramin e fali rregullisht në xhami, por sot ka qenë ndryshe. S’ka pasur falje të bajramit. Kemi pasur vetëm ligjerata apo këshilla fetare për bajramin nga ana imamëve, të cilat i kemi ndjekur prej shtëpisë online“ tregon prishtinasi Ragip Rama, i cili bashkë me familje këtë bajram po e pret i mbyllur në shtëpi e pa shkëmbim vizitash në familje.

“Urimet poashtu i kemi bërë me kujdesje dhe më shumë virtualisht. Kjo natyrisht nuk është e lehtë pasi që ne e kemi obligim ti vizitojmë të afërmit në ditën e bajramit dhe ky obligim fetar është bërë i pamundur për shkak të rrezikut nga virusi Corona”, tregon Ragip Rama i cili besimin fetar e praktikon në radhë të parë si ushqim shpirtëror. Ai është prej 20 vitësh poashtu i angazhuar si lojtar dhe në kryesinë e klubit futbollistik FC Besa St. Gallen me një shoqëri të përzier shqiptaresh të besimit musliman e katolik dhe shoqërohet rregullisht me ta.

„Masat e para shtetërore për mbylljen apo anulimin e të gjitha tubimeve me shumë njerëz, i kam përjetuar emocionalisht më rëndë, sepse duhej të heqnim dorë nga praktikimi i ritëve fetare në xhami“.

Ata në fillim të pandemisë kishin menduar që kishin të bënin me një masë të përkohshme, tri-katër javëshe dhe ishin pajtuar e respektonin të gjitha rekomandimet dhe masat e ndërmarra. Ndërkohë me ardhjen e ramazanit besimtarët po ballafaqoheshin me një realitet të hidhur. Xhamitë dhe çdo gjë tjetër po vazhdonin të mbetëshin të mbyllura deri në marrjen e një vendimi tjetër nga ana Federale.

Për besimtarët kjo nuk ishte e lehtë, virusi Corona po ju pamundësonte atyre fetarisht muajin më të vlefshëm të vitit.

“Ramazani është muaji i kuranit. Në këtë muaj ka zbritë edhe kurani, por edhe namazi është shumë më efektiv dhe lutjet janë më të pranueshme, veçmas kur ato i bënë në shtëpi të zotit, në xhami”, thotë Ragim Rama,

Kjo ka ndikuar edhe psiqikisht tek besimtarët, sepse ata përmes faljes së namazit në xhami janë ndjerë më të lidhur me besimin, me zotin dhe kjo lidhje shpirtërore po pësonte një shkëputje në një muaj shumë të veçantë për ta.

“Ka qenë shumë vështirë për ta pranuar këtë situatë, por sidoqoftë jemi të obliguar edhe fetarisht të respektojmë vendimet shtetërore të shtetit ku jetojmë. Pra respektojmë maksimalisht shtetin dhe vendimet e shetit zviceran“, thotë me bindje të plot Ragipi duke plotësuar se “këto masa kanë qenë të duhura për interesin tonë dhe kjo ka reflektuar pozitivisht në ruajtjen e shëndetit tonë të përgjithshëm”.

Mirëpo pandemia nuk ka pasur vetëm anën negative, besimtarëve iu ka krijuar mundësia për të qenë më të afërt me familjen duke i kryer ritet fetare bashkërisht me familje në shtëpitë e tyre.

„Ato rite unë personalisht me familje nuk i kemi ndëprerë asnjëherë dhe ka qenë shumë mirë. Mua më ështe dashur ta marrë rolin e imamit në shtëpi dhe të falëm bashkë me gruan e fëmijët për rreth një orë duke lexuar ajete kuranore, ashtu siç e kërkon namazi dhe kjo ka qenë shumë, shumë pozitive në këtë aspekt“, tregon babi i katër fëmijëve, i cili në Zvicër ka emigruar si 12 vjeçar.

Ragip Rama është elektricist me profesion. Ai është udhëheqës i një grupi prej 10 punëtorëve të ndërtimit (si Bauleiter) apo instalimit të rrymës dhe krahas punës njihet si aktivist i shquar në mesin e komunitetit shqiptar që jeton në St. Gallen, i cili efektin e faljes së namazit në shtëpi me familje, e vlerëson si shumë pozitive.

„Në kushte normale kemi shkuar vetëm meshkujt në xhami. Kurse nëna e gruaja janë falur në shtëpi shkaku i fëmijëve që s’kemi mundur ti lëmë vetë në shtëpi. Kësaj here iu kemi përkushtuar familjarisht ramazanit dhe ka qenë një plotësim edhe më i madh shpirtëror në familje”, thotë 41 vjeçari, i cili ka 20 vite që është i angazhuar si lojtar në klubin futbollistik FC Besa dhe prezenca e butësia e tij mes miqëve vlerësohet lartë.

“Bashkëjetesa fetare në klubin tonë është çelësi i suksesit të klubit. Ne nuk bëjmë dallime dhe gjithmonë kemi pasur respekt vëllazëror e kombëtar ndaj njëri tjetrit. Aspektin fetar e kemi parë ndaras si çështje individuale. Klubin bashkërisht e ka mbajtur tolerance jonë fetare dhe sllogani ynë Besa Besë”, përfundon babai i një familjeje të re e moderne.