Lajme

Nga sot, certifikatat digjitale në Gjermani

Në shtetin gjerman, të gjithë ata që janë vaksinuar kundër koronës, së shpejti mund ta regjistrojnë këtë në një certifikatë digjitale vaksinimi: nga e hëna e ardhshme, farmacitë, ndër të tjera, do të nxjerrin certifikatën e vaksinimit, përcjell albinfo.ch.

Dëshmia digjitale për vaksinimin kundër koronavirusit do të mundësohet që sot (e enjte, më 10. 06.2021) në Gjermani. Një zëdhënës i Ministrisë Federale të Shëndetësisë tha se certifikata digjitale e vaksinimit do të integrohet hap pas hapi në aplikacionet e celularëve, raporton DW.

Thuhet se shumë farmaci në gjithë Gjermaninë do të kenë për herë të parë mundësinë të nxjerrin dëshmi digjitale të vaksinimit të plotë kundër Coronas. Këtë e njoftoi të martën Bashkimi Federal i Shoqatave të Farmacistëve Gjermanë.

Në të ardhmen, do të jetë e mundur që dëshmia digjitale të jepet drejtpërdrejt në klinika mjekësore ose qendra vaksinimi dhe, më pas të përdoret përmes celularëve. Do të jenë të mundura edhe lëshimet e mëvonshme të dëshmisë digjitale – për shembull, te mjekët dhe farmacitë. Sipas Ministrisë Federale të Shëndetësisë, aplikacioni shoqërues i quajtur CovPass – i zhvilluar nga Instituti Robert Koch dhe IBM – do të jetë i disponueshëm paraprakisht në dyqanet e aplikacioneve.

Po ashtu, certifikata digjitale e vaksinimit mund të integrohet gjithashtu në aplikacionin paralajmërues për Coronan. Zhvilluesit e aplikacionit gjurmues të virusit publikuan versionin aktual 2.3.2 në dyqanet e aplikacioneve të Apple dhe Google të mërkurën në mbrëmje. Sidoqoftë, mund të duhen disa orë që përditësimi të jetë i dukshëm për të gjithë përdoruesit. Përveç kësaj, certifikata e vaksinimit do të jepet e dorëzuar edhe në letër.

Certifikata digjitale e vaksinimit: dëshmia skanohet me aplikacionin CovPass

Në Gjermani, që nga fundi i majit po bëhen teste në terren me dëshminë digjitale në disa qendra vaksinimi. Testohet nëse qytetarët mund të skanojnë dëshminë pas vaksinimit me një aplikacion. Kjo pastaj mund të kontrollohet në gjithë Evropën – për shembull, kur udhëton. Certifikata digjitale e vaksinimit nuk ka për qëllim të zëvendësojë broshurën aktuale të verdhë të vaksinimit, por ta plotësojë atë.

Negociatorët e vendeve anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian më në fund ranë dakord rreth dy javë më parë për këtë certifikatë vaksinimi me kod QR. Shumica e eurodeputetëve kanë votuar tashmë në favor të dëshmisë dhe vendet anëtare duan të miratojnë përfundimisht marrëveshjen deri në fund të javës. Në të gjithë Evropën certifikata digjitale e vaksinimit do të hyjë në përdorim më 1 korrik.

Aktualisht, shtetet anëtare po krijojnë zgjidhje për certifikatën në nivel kombëtar, të cilat më pas do të ndërlidhen përmes platformës së BE-së. Për mbajtësit e certifikatës, shtetet anëtare duhet të heqin dorë nga detyrimet për karantinë dhe testim, me kusht që situata epidemiologjike ta lejojë këtë. Vendet e BE-së mund të licencojnë në këtë proces edhe vaksina për përdorim nacional, të cilat nuk janë miratuar ende në BE.

Platforma elektronike për verifikimin në mbarë Evropën të certifikatave të vaksinimit do të nisë më 1 korrik dhe do të përmbajë, përveç informacionit për vaksinimet, edhe informacione në lidhje me testimet ose infektimet e kaluara. Shtetet anëtare tashmë mund të nxjerrin certifikata – si Gjermania nga e hëna e ardhshme.