Kosova
Nga Zvicra në Prishtinë: Mjekët shqiptarë frymëzojnë gjeneratën e re të studentëve të mjekësisë
Një urë e dijes dhe përvojës në kuadër të “Swiss Medical School”, që bashkon diasporën mjekësore shqiptare me universitetin më të vjetër të Kosovës
Për herë të parë, “Swiss Medical School” u mbajt në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, duke shënuar një hap të ri në konsolidimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër dhe institucioneve universitare në Kosovë.
Më 8 dhe 9 nëntor 2025, në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë, u zhvillua kjo ngjarje shkencore e rëndësishme, e organizuar nga Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër (LMSHZ) në bashkëpunim me Organizatën e Studentëve të Mjekësisë të Kosovës (KOMS).
Ngjarja mblodhi disa prej mjekëve shqiptarë më të njohur që veprojnë në Zvicër, të cilët mbajtën ligjërata para studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, duke ndarë përvojat e tyre profesionale dhe duke krijuar ura të reja bashkëpunimi akademik ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

Në hapje, fjalën e morën Prof. Dr. Sefedin Muçaj, dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe Dr. med. Mentor Bilali, kryetar i LMSHZ-së, të cilët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave ndërmjet profesionistëve të diasporës dhe studentëve në Kosovë.

Dr. med. Mentor Bilali, Kryetar i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër: “Swiss Medical School 2025 ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, frymëzuese dhe shumë profesionale. U ndje një energji e veçantë mes pjesëmarrësve – një kombinim i motivimit akademik dhe dashurisë për atdheun. Interesimi i madh i studentëve dhe bashkëpunimi i ngushtë me stafin akademik treguan se kjo nismë ka arritur të krijojë ura reale mes dijes, përvojës dhe identitetit tonë profesional. Këto momente na kujtojnë se sa shumë mund të arrihet kur bashkojmë dijen me përkushtimin dhe rrënjët tona.”
Sipas LMSHZ-së ”Kjo ngjarje shkencore u dedikua absolventëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe Stomatologjisë, si dhe mjekëve të rinj, me qëllim që të mundësojë transferimin e dijes bashkëkohore dhe eksperiencave profesionale nga Zvicra në Kosovë. Bashkëpunimi me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës përbën një shtyllë themelore të këtij projekti; ai lehtëson shkëmbimin e njohurive dhe krijon ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes profesionistëve shqiptarë në Zvicër dhe atyre në Kosovë e më gjerë.”
Pas përfundimit të ngjarjes, disa prej mjekëve ligjërues ndanë përshtypjet e tyre për Albinfo.ch, duke shprehur vlerësimet e tyre për takimin me studentët e Prishtinës dhe për nivelin e përgatitjes akademike të tyre.

Prof. Dr. Alban Y. Neziri, gjinekolog dhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër.
LIgjerata: Principet e Parandalimit dhe Trajtimit të Kancerit të Qafës së Mitrës “Swiss Medical School 2025 jo vetëm që zgjoi interesimin e qindra studentëve dhe specializantëve, por për herë të parë u organizua në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë. Ky është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të përparuar ndërmjet Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër dhe institucioneve akademike në Kosovë”.
Organizimit i kanë paraprirë disa takime të ndërsjella mes Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Sefedin Muçaj, Prodekanes për Mësim, Prof. Dr. Aurora Bakalli.
“Ngjarja u realizua në bashkëpunim të ngushtë me organizatën studentore KOMS dhe kryetaren e saj, Dr. Bardhë Agaj.
Swiss Medical School u akreditua për herë të parë nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Interesimi i studentëve dhe specializantëve ishte i jashtëzakonshëm, ndërsa pjesëmarrja dhe diskutimet interaktive e bënë këtë ngjarje një shkëmbim të vërtetë akademik mes docentëve dhe pjesëmarrësve.Uroj që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të thellohet edhe në të ardhmen.”, tha doktor Neziri

Prof. Dr. Përparim Limani, kirurg, i cili prezantoi temën “Kirurgjia citoreduktive (CRS) dhe kimioterapia intraperitoneale me hipertermi (HIPEC) për malignitetet e sipërfaqes peritoneale (PSM)”, tha: “Ishte një kënaqësi e veçantë të ligjëroja para studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë dhe të zhvillonim diskutime të thella rreth kësaj teme komplekse, por jashtëzakonisht të rëndësishme për trajtimin modern të pacientëve me tumore peritoneale. Më bëri shumë përshtypje interesimi i madh i studentëve dhe mënyra kritike me të cilën ata qasën pyetjeve dhe rasteve klinike. Kjo dëshmon se në Kosovë po rritet një brez i ri mjekësh të përgatitur dhe të motivuar.”

Dr. Durrësim Ramadani, urolog, shtoi:“Prezantimi im ishte për hiperplazinë beninje të prostatës, një problematikë shumë e shpeshtë te pacientët e moshuar. Ka pasur një prani të jashtëzakonshme të studentëve dhe mjekëve të rinj. Ishte kënaqësi të ndajmë njohuritë dhe përvojën tonë me ta.”

Dr. Naim Mehmeti, angiolog theksoi : “Qëllimi i ligjëratës time për ‘Trombozën e venave të thella dhe sipërfaqësore’ ishte të theksohej rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe parandalimit të komplikimeve. Pjesëmarrja e studentëve ishte mbresëlënëse. Ky bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe profesionistëve kontribuon ndjeshëm në avancimin e mjekësisë dhe cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve.”
Prof. Dr. Florim Cuculi, kardiolog, u shpreh se ishte thellësisht i impresionuar nga gjenerata e re e studentëve të mjekësisë në Kosovë: “U mahnita nga përgatitja dhe entuziazmi i studentëve. Kosova ka shpresë. Politika duhet të kujdeset për të ardhmen e këtyre të rinjve, sepse mungesa e perspektivës për specializim i nxit ata drejt emigrimit.”
Msc. med. dent. Gazmend Haliti, stomatolog, e përshkroi këtë edicion si një ngjarje të jashtëzakonshme: “Swiss Medical School në Prishtinë dëshmoi një nivel të lartë profesionalizmi dhe angazhimi. Pjesëmarrja e mbi 250 studentëve të talentuar tregoi pasionin dhe përkushtimin për dije. E ardhmja e sistemit shëndetësor në Kosovë qëndron te kjo gjeneratë. Shpresojmë që këta të rinj ta ushtrojnë profesionin e tyre në vend dhe të kontribuojnë në zhvillimin e një sistemi shëndetësor në shërbim të qytetarit.”

Dr. Bujar Sopi, internist, në deklaratën e tij për Albinfo.ch, vuri në dukje rëndësinë e parandalimit të komplikimeve në praktikën klinike: “Insuficienca renale akute është një ndër komplikacionet më të shpeshta dhe më serioze në praktikën klinike. Qëllimi im ishte të theksoj rëndësinë e parandalimit përmes njohjes së pacientëve me rrezik të lartë dhe menaxhimit korrekt të rasteve. Insuficienca renale nuk është vetëm një problem laboratorik, por një alarm klinik që kërkon mendim të strukturuar dhe bashkëpunim ndërdisiplinar.”
Ngjarja u shoqërua me workshope praktike dhe sesione interaktive, ku studentët patën mundësi të përfshihen në demonstrime klinike, duke përjetuar nga afër përvojën profesionale të mjekëve nga Zvicra.
“Swiss Medical School” u vlerësua si një nga iniciativat më domethënëse që po forcon lidhjet midis diasporës profesionale shqiptare dhe institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, duke krijuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe shkëmbimi profesional që tejkalojnë kufijtë dhe bashkojnë përvojën, dijen dhe misionin njerëzor të mjekut shqiptar.
Përgatiti: Luljeta Ademi / Albinfo.ch
Të ngjashme

LMSHZ-së me simpoziumin e tretë në Zvicër
- Dr. Mentor Bilali, kryetar i ri i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës
- Ftesë për mjekët, stomatologët dhe farmacistët nga diaspora dhe trojet shqiptare në Simpoziumiin e II- të Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër
- Kardiokirurgu Xhemali, zviceranëve: “Na pranoni, universitetet tona nuk janë kancerogjene”
- Kush është Dr. Mentor Bilali, kryetar i ri i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës?
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Albin Kurti në Cyrih: Siguria si garanci e paqes dhe shtetndërtimi si përgjegjësi historike Në vazhdën tubimin elektoral me mërgatën shqiptare në Zvicër, Kryeministri në detyrë ndali veçmas te mbrojtja,... -
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Fondet mjaftojnë vetëm për 24 avionë luftarakë në rast ekstrem Për të qëndruar brenda kufirit të kostos, paratë potencialisht do të ishin të mjaftueshme vetëm për... -
Gjykohet një mercenar zviceran që ka luftuar për Ukrainën -
Ticino: Gjenden 40 kilogramë kokainë në makinën e serbit dhe italianes -
Kishte kërcënuar me sulm në Eurovision në Bazel – Dëbimi i tij ngre pyetje -
Lindjet në kantonin zviceran bien në nivelin më të ulët rekord














