Lajme

Nivel rekord inflacioni në Francë

Mësohet se inflacioni i çmimeve të konsumit në Francë u përshpejtua me një ritëm më të lartë se sa pritej, duke shënuar një nivel të ri rekord në tetor, mes kostove të larta të energjisë, ushqimeve dhe produkteve, sipas të dhënave të Zyrës statistikore (Insee), përcjell albinfo.ch.

Të dhëna të veçanta zyrtare treguan se inflacioni i çmimeve të prodhimit regjistroi një ulje në shtator, megjithëse, në përgjithësi mbeti i lartë.

Inflacioni i çmimeve të konsumit u rrit në 6,2% në tetor, krahasuar me 5,6% në shtator. Ndërkohë, ekonomistët kishin parashikuar një rritje të lehtë të inflacionit në 5,7%. Ky ishte inflacioni më i lartë që nga viti 1985.

Banka e Francës pret që inflacioni të jetë mesatarisht 5,8% këtë vit dhe në një interval midis 4,2% dhe 6,9% në 2023.

Në një përpjekje për të kontrolluar rritjen e çmimeve në gjithë eurozonën, BQE-ja njoftoi dje një rritje të normës së interesit prej 0,75% .

Vetëm çmimet e energjisë u rritën me 19,2% në terma vjetore, në tetor, krahasuar me 17,9% muajin e kaluar. Çmimet e ushqimeve u rritën në 11,8% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa çmimet e produkteve të përpunuara u rritën me 4,2%.

Inflacioni i harmonizuar me BE-në u rrit në 7,1% në tetor krahasuar me 6,2% në shtator, duke tejkaluar pritshmëritë e ekonomistëve të cilët kishin parashikuar një rritje prej 6,4%.

Në baza mujore, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, u kthye në gjendjen e mëparshme prej 1,3% që nga shtatori kur u regjistrua një rënie me 0,5%. Rritja e pritshme ishte 0,6%.

Në mënyrë të ngjashme, indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 1,0% në tetor krahasuar me 0,6% muajin e kaluar. Ekonomistët kishin parashikuar një rritje prej 0,5%.