Tema nga terreni

Një festival folklorik shqiptar në diasporë ?

Një festival i shoqërive që kultivojnë folklorin shqiptar në diasporë. Është ideja për të cilën po mendojnë ta realizojnë sivjet shoqëritë kulturore artistike në Zvicër, në bashkëpunim me shoqatat e tjera simotra nga Gjermania, Suedia, pse jo edhe nga Amerika.

Për realizimin e një festivali të tillë është biseduar mbrëmë në një takim të përfaqësuesve të shoqërive kulturore, të cilat ishin pjesëmarrëse në manifestimin e Amriswilit për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Ndërsa darka në Reinach ishte organizuar nga Qendra Kulturore në Cyrih për t’i falënderuar shoqëritë për ndihmën që po japin në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe që po angazhohen në zhvillimin e kulturës në diasporë.

Shukrije Ramadani, ushtruese detyre e drejtoreshës së Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, tha se një iniciativë e tillë është në fazën ideore dhe se po presin përgjigjen nga Ministria e Diasporës.

“Mbajtja e një festivali folklorik është dëshirë e kamotshme e rreth 50 shoqatave në Zvicër që kryesisht merren me aktivitete folklorike. Si nismë është paraparë të konkretizohet nga fundi i qershorit, para pushimeve të verës, duke shpresuar se do të jetë një projekt fillestar që nuk do të mbetet vetëm në Zvicër, por do të shetisë edhe në vendet e tjera, si në Gjermani, Suedi etj.“, tha

Shukrie Ramadani, e cila ka folur edhe për pengesat të cilat janë ballafaquar deri tani në organizimet kulturore në Zvicër.

„Përveç suksesit, ne jemi ballafaquar me pengesat që kryesisht kanë të bëjnë me programin e stërzgjatur, për shkak se marrin pjesë shumë shoqata kulturore. Ne mendojmë se duhet një formë tjetër e organizimit. Dhe kjo do të vendoset së bashku me shoqatat dhe Këshillin organizativ. Po bisedohet për sistemin rotativ që çdo shoqatë të mbledhë rreth vetës shoqatat e tjera dhe të angazhohet rreth organizimit të datave festive, siç është 17 shkurti, 28 nëntori dhe datat e tjera me rëndësi për mërgatën shqiptare në Zvicër.

Një festival i këtillë është mbajtur para 10 vjetëve në Berlin, për dy vjet me radhë, por që nuk ka vazhduar gjatë për shkak të rrethanave të asaj kohe, tregon Rrustem Selca nga Qendra Shqiptare për Kulturë dhe Integrim në Kreuzligen.

“Kjo ide është shumë e mirë dhe na është premtuar mbështetje nga Qendra Kulturore në Cyrih. Tash u mbetet të vendosin shoqatat, edhe pse ka shumë punë. Është çështje e ndjeshme, ngase diaspora po kontribuon shumë në senzibilizimin dhe ruajtjen e kulturës shqiptare. Festivali është fjalë e madhe“, tha Selca.

Më skeptik për një festival të tillë është treguar aktori Ramadan Morina.

Ai thotë se nëse organizohet një aktivitet i mirëfilltë kulturor ia vlen të flitet për një temë të tillë, por jo të shkohet në atë drejtim se kush do ta ketë primatin e festivalit.

“Duhet të ketë kolegialitet më të madh mes shoqatave që merren me foklor që të vijnë në atë nivel që mund të kemi konkurrencë të brendshme, pa i dëmtuar raportet shoqërore. Unë vij nga aktrimi dhe kur kemi biseduar për këtë ide, kam thënë se mos është një hap i ngutshëm, sepse në radhë të parë duhet të kemi një strukturë nga ana jonë, sepse nëse bëjmë një festival të mirëfilltë, duhet edhe ta vlerësojë atë punë dikush”, thekson Morina.

Ai është për variantin e një festivali konkurrues, me një juri që vjen nga Kosova.

“Kjo do të sillte më shumë motivacion për koreografët e këtushëm. Në këta 3-4 vjetët e fundit kemi prodhuar shumë koreografë. Nuk e di nëse me të vërtetë e kuptojnë se çka do të thotë koreografia. Mirëpo, këtu në diasporë punohet kryesisht në mënyrë vullnetare dhe nuk guxojmë të bëhemi stopues. Unë jam që të ketë një ide të tillë të mirëfilltë dhe të bisedohet mes njerëzve të kulturës“, thotë Morina.

Edhe Bejzat Limani nga Shoqata Kërçova në Zvicër është i mendimit se pritjet nuk janë për një organizim të një festivali sikur ai i Gjirokastrës.

„Mos të presim ndonjë festival si në Gjirokastër të Shipërisë, se kjo është hera e parë. Në këtë festival ndoshta nuk do të arrijmë t‘i përfshijmë të gjithë. Me rëndësi është të fillohet dhe të ftohen edhe shoqatat nga vendet e tjera të diasporës”, thotë Limani.

Nga ana tjetër, Shefqet Cakolli nga SHKA “Dardania”, thotë se tashmë një minifestival kishin organizuar më 2011.

„Nëse i referohet kohës, nuk është e mjaftueshme, por nëse punohet me intensitet të shtuar, do t’ia arrijmë. Po shpresoj se do t’ia arrijmë nëse përfshihemi të gjithë. Natyrisht, këshilli ka barrën më të madhe për të caktuar datën edhe vendin. Mendohet për një vend të hapur, ku është më i frekuentuari nga shqiptarët në Zvicër”, ka thënë Cakolli.

Përkrahje përfaqësuesit e shoqërive kulturore në Zvicër kanë marrë edhe nga ministrikëshilltar, Islam Spahiu, në Konsullatën e Kosovës dhe Nuhi Gashi nga Ministria e Arsimit që ishin të pranishëm në këtë darkë të organizuar nga Qendra Kulturore e Kosovës në Cyrih.

Në fjalimet e tyre ata kanë vlerësuar lartë rolin e shoqërive kulturore artistike në ruajtjen e identitetit kulturor në diasporë.