Muzikë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Ajo është violiniste profesioniste me famë botërore
Artistja Valbona Naku është personalitet krijues që muzikës, në veçanti violinës ia ka kushtuar 41 vjet të jetës së saj dhe sot ka arritur suksese të mëdha botërore, veçmas në shtetin austriak. Ajo ka ndarë ekskluzivisht përvojat e saj në numrin më të ri të revistës Albinfo.at.
Të jesh artiste nuk është e lehtë, para së gjithash kur fillet i ke nga një vend me mundësi relativisht të kufizuara për t‘u avancuar. Duhet të jesh vërtet energjike, optimiste dhe me shumë vetëbesim për të arritur aty ku do. Këto janë disa prej cilësive kryesore të Valbonës që i shërbyen për të qenë sot një violiniste e suksesshme në shumë skena botërore.
Ajo, në fakt, ka një krijimtari të pasur artistike si violiniste e shquar, ka shkelur shumë skena anembanë botës dhe vazhdon të marrë role të mëdha në shumë evente artistike në Austri.
Valbona ka lindur dhe është rritur në Shkodër, si dhe që e vogël ishte e orientuar nga muzika.
“Fillimet e para të edukimit muzikor i fillova në shkollën “Prenkë Jakova” në Shkodër. Në konkursin e pranimit për muzikë juria ishte e mendimit që unë kam një zë të mrekullueshëm, porse për Bel Canto isha akoma e vogël. Për të më mbajtur afër muzikës dhe për të vëzhguar zhvillimin tim muzikor, vendosën që unë të mësoja violinën dhe nëse në moshën 14-vjeçare do të kem të njëjtin zë, atëherë do të vazhdoj me ëndrrën time për Bel Canto”, tregon Valbona për revistën Albinfo.at.
Pavarësisht se ajo ishte shumë e zonja në të gjitha lëndët, ishte një përqindje e vogël që e pengonte të kishte sukses. Kjo përqindje e vogël ishin pedagogët e violinës, të cilët nuk e mbështetën në asnjë moment. Talenti i saj për të luajtur pa asnjë gabim “a prima vista”, veshi i saj absolut, idetë e saj fikse se si duhet të tingëllojë diçka bukur dhe e veçantë nuk u përshtateshin disa akademikëve që kërkonin në atë kohë vetëm ritëm, intonacion dhe fortissimo – shkodrançe.
“Për këtë arsye, në moshën 16-vjeçare vendosa të largohem nga shkolla e muzikës dhe vazhdova Shkollën Normale. Gjithsesi kishte raste që studioja për qejfin tim violinë, porse shpresat që një ditë do të isha një violiniste e mirënjohur i kisha humbur”, shprehet ajo.
Austria, pikënisja e parë e depërtimit në tregun evropian
Valbona për revistën Albinfo.at ka rrëfyer edhe rrugëtimin e saj në Austri, që në fakt s’ishte fare e lehtë. Ajo më 19 nëntor të vitit 1999 erdhi për herë të parë në Austri.
“Motra ime ishte studente për Germanistik und Wissenschaftliche Publizistik, në Universitetin e Vjenës. Në vitin 1999 ajo më krijoi mundësinë që edhe unë të studioja në Vjenë dhe ta riprovoja fatin tim me violinën. Në shkurt të vitit 2000 unë fillova përgatitjet për konkursin e pranimit në konservatorin e Vjenës. Mësimi ishte privat dhe fatkeqësisht shtrejtë. Gjithsesi unë isha e vendosur të sakrifikoja çdo gjë, thjesht për t’u treguar dhe vërtetuar ish-pedagogëve të violinës që unë arrij diçka edhe pa ndihmën e tyre”, tregon ajo.
E pyetur se sa ishte e vështirë të ambientohej në këtë shtet, me një shoqëri dhe kulturë tjetër, ajo u shpreh se ambientimi me kulturën austriake ishte gjëja më e lehtë.
„Karakteri, humori dhe shumë tradita austriake përputhen me ato të Shkodrës së vjetër. Gjuha është për shumë arsye gramatikore për të gjithë pak e vështirë, po nëse e zotëron në mënyrë akademike gjuhën shqipe, nuk e ke të vështirë të mësosh gjermanishten. Sidomos në Austri që është shumë më e ëmbël se në Gjermani. Për mua ishte gjuha e katërt dhe tani më duket sikur ta kisha gjuhë nëne“.
Një zanat i bukur, por që do shumë punë
Ani pse për Valbonën violina në fillim ishte një rastësi në Shkodër, tanimë ajo është një ëndërr realiste që e jeton çdo ditë në Austri.
Rugëtimi i saj drejt suksesit nuk ishte i lehtë, ndërsa formimi i saj me perspektivë profesionale i mori goxha punë dhe energji, duke sudiuar pikërisht violinën.
„Në Vjenë kam studiuar për violinë, „Violë, IGP – Instrumental und Gesangs Pädagogik“ si dhe për “Dirigent”. Ndërkohë që studimet për violinë i përfundova në vitin 2003 me rezultate të mrekullueshme “mit ausgezeichnetem Erfolg“. Në qershor 2017, përkrah koncerteve të përditshme, mësimdhënies në konservator si dhe rritjes dhe edukimit të djalit tim Marius-Ilirian përfundova studimet edhe për “Dirigent” me rezultate të mrekullueshme “mit ausgezeichnetem Erfolg”.
Performuese në shumë skena dhe shtete të rëndësishme të botës
Valbona gjatë karrierës së saj 41-vjeçare ka performuar në shumë skena të rëndësishme të botës. Për disa vjet ajo ka luajtur si drejtuese e violinave, si konzertmeister, si soliste dhe si dirigjente.
“Gjatë këtyre viteve kam pasur mundësinë të luaj në Vjenë: Wiener Musik Verein, Wiener Konzerthaus, MuTh, Odeon, Rathhaus, Hofburg, Ballhaus, Volkstheater, Stefans Dom, St. Ulrich, Ehrbar Saal, jashtë Vjenës mund të numërojmë: Bühne Baden, Burg Perchtoldsdorf, Graz, Linz, Innsbruck, Salzburg, Kärnten, Bregenz, Zürich, Luzern, München, Hong Kong. Po ashtu në qershor të 2016-ës kisha fatin të luaj për herë të parë në Seoul në Korenë e Jugut. Tashmë luaj pothuajse çdo vit në Seoul, Busan, Ulsan etj“, tregon ajo.
E pyetur se cila është skena (eventi) që i ka dhënë më shumë emocion, duke performuar, u shpreh: „Eventi më emocionues dhe më i rëndësishëm ishte më 24 maj 2022 në Lotte Concert Hall in Seoul para 2.500 spektatorëve të pranishëm si dhe miliona spektatorë të tjerë koreanë dhe nëpër botë, të cilët e ndoqën transmetimin direkt të koncertit „live“ nëpërmjet medias së naver.tv, këtë do ta veçoja“.
Një mësimdhënëse e shquar në Austri
Valbona Naku, krahas aktivitetit të saj artistik, ishte edhe pedagoge e shquar e muzikës së sallës, orkestrës dhe violinës në konservatorin Prayner në Vjenë.
Ajo ishte pedagoge e Solfezhit dhe në shtator të 2003-tës iu ofrua pozicioni i pedagoges në Prayner Konservatorium, si asistente e Maestro Maximilian Cencic, i cili në atë kohë punonte si dirigjent në Operan e shtetit të Vjenës.
„Në shkurt 2008 drejtoria më ofroi edhe punën si pedagoge për solfezhin, i cili në Austri nuk e ka kanceptin si në shkollat e muzikës së vendeve të Lindjes. Në vitin 2009 u hap në bazë të sugjerimeve të mia dega për litersturë orkestre. Në vitin 2013 hapa klasën time për muzikë dhome, në të cilën përgatisja çdo semester 20 grupe në formacione të ndryshme për performanca të ndryshme. Për fatin e keq, në vitin 2020 nga epidemia u mbyll Prayner Konservatorium dhe vendosa të largohem nga fusha e mësimdhënies“, tregon ajo.
“Projekti im kryesor është WBO – Wiener Barock Orchester. Emri i ensemble nuk ka shumë lidhje me stilin e muzikës, porse me lokacionin në të cilin ne performojmë, Palais Schönborn Batthiany, rreth 700-750 koncerte në vit. Shifër kjo e paimagjinuar për faktin që viti ka vetëm 365 ditë, porse shumë e logjikshme lidhur me faktin që ne luajmë pothuajse çdo natë 2 koncerte, e në pragun e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, edhe 3 apo 4 koncerte në ditë. Pozicioni im në WBO është që në momentin e krijimit si drejtuese dhe soliste. Përveç performancës si soliste e drejtuese, në të njëjtën kohë janë struktura, programi, përzgjedhja e muzikantëve dhe këngëtarëve, skenari si dhe moderacioni në gjermanisht dhe anglisht, nganjëherë bile edhe italisht e shqip, pjesë e punës sime. Në të njëjtën kohë kemi me disa kolegë të WBO-së edhe projekte të tjera me quartet “La campanella” dhe “Trio Nobilis Wien”. Për vitin e ardhshëm parapresim vendimin nga Kina dhe Koreja e Jugut për turne me WBO si dhe “Trio Nobilis Wien”. |
E-Diaspora
-
Gërvalla flet në Cyrih për rolin e mediave të diasporës në ruajtjen e identitetit Ajo theksoi rëndësinë e përfshirjes së fëmijëve shqiptarë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore, si...
-
Një histori dashurie shqiptaro-gjermane, në qendër të romanit “Hanna”
-
Gërvalla dhe Kurti, në tubimin e Partisë “Guxo”, në Kreuzlingen, Zvicër
-
Garazhi i tetovarit me odë pritjeje për klientë
-
Zvicër: Premiera e filmit “Trouble Shooters” me protagonistë kryesorë Blerim Destanin dhe Noizyn
Jeta në Zvicër
-
PostBus do të fillojë pranimin e pagesave me kartë krediti Duke filluar nga viti i ardhshëm, disa shoferë të autobusëve ikonë të verdhë do të pranojnë...
-
Nisma “Jo Zvicrës së 10 milionë njerëzve”, pritet të dalë për votim në 2025-ën
-
Zvicra po shqyrton mundësinë për vendosjen e “taksave të migracionit” për punëtorët e huaj
-
Raporti: A u llogaritën gabimisht shpenzimet për financimin e AHV-së?
-
SBB është hekurudha e dytë më e mirë në Evropë