Turizëm

Një joshje për të prekur magjinë e dimrit në “Vali Ranch”

Imagjinojeni një shëtitje në një ditë me borë në këto bregore ndërsa në sfond keni ngrohtësinë tërheqëse të pallateve të Vali Ranch që ju josh për një ndejë me miq...

Të gjithë ata që e kanë shijuar bukurinë e kompleksin turistik “Vali Ranch”, gjatë stinëve tjera, mund ta imagjinojnë pamjen e tij edhe gjatë dimrit. Në shpatijet e buta mbi fshatin Përlepnicë, pak kilometra nga Gjilani, edhe dimri ka magjinë e vet. Këtë bukuri e fisnikërojnë edhe më shumë objektet tërheqëse të kompleksit “Vali Ranch”, të ngritura në një pikë që të mundëson të shohësh hapësira të mëdha në horizont.

Imagjinojeni një shëtitje në një ditë me borë në këto bregore ndërsa në sfond keni ngrohtësinë tërheqëse të pallateve të Vali Ranch që ju josh për një ndejë me miq, për një darkë ose për një natë në hotelin e kompleksit. Kënaqësia është e garantuar.

Drejtuesit dhe të punësuarit në Vali Ranch janë kujdesur që të sjellin risi për klientët edhe gjatë stinës së dimrit. I njohur dhe i lakmuar më shumë si resor “veror”, “Vali Ranch” fton klientët që ta shijojnë këtu freskinë e dimrit. Menaxherja e këtij kompleksi Arta Jakupi ka thënë për Albinfo.ch se presin shumë vizitorë edhe gjatë stinës së dimrit, pasi gjatë verës kishin me mijëra veta nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.

“Si atraksion e kemi kalërimin në natyrë si dhe specialitete të mishit në gur”, ka thënë Jakupi.

Po ashtu në këtë kompleks gjigant për festën e vitit të ri 2020, pritet të këndojnë emra të njohur të estradës. “Më 02.01.2020 në Vali Ranch do të performojë këngëtari i njohur Shkelzen Jetishi”, ka shtuar menaxherja e Vali Ranch.

Ndërkohë sipas Jakupit, planet për të ardhmen janë që të bëhet zgjerimi i resorit me atraksione të reja.

Arta Jakupi ka ftuar të gjithë mërgimtarët që ta vizitojnë Vali Ranchin pasi sipas saj ka hapësira të mjaftueshme dhe zgjedhje të për të gjithë të interesuarit e të gjitha moshave.

“Tek ne ka hapësira të mjaftueshme për fëmijët, pleqtë dhe të rinjtë, prandaj dyert janë të hapura për të gjithë”, ka potencuar Jakupi.

“Vali Ranch” ka filluar me një sallë të vogël restoranti, në vitin 2008 dhe sot numëron 250 punëtorë. Ky kompleks turistik është ngritur si rezultat i vizionit të mërgimtarit Fehmi Fetahi dhe punës së madhe të tij dhe qindra të tjerëve. Tani rreth 250 familje ushqehen nga puna në “Vali Ranch

Fillimisht qe ndërtuar rruga enkas që çon në resor nga fshati Përlepnicë, pastaj, me kalimin e viteve, u ngritën edhe objekte e salla tjera, më të mëdha dhe me veprimtari tjera brenda resortit, si restoranti Steak House, salla e dasmave ndërsa u zgjerua edhe sipërfaqja në dispozicion e qendrës.

Sot kompleksi shtrihet në 15 hektarë ndërsa vetëm ndërtimet, si hoteli, sallat e ndryshme, stallat e kuajve, të lamave, minigolfi etj., zënë afër pesë hektarë, rrëfen Arta Jakupi. Sigurisht, ajo që ka më së shumti rëndësi në këtë rritë, është shtimi i madh i numrit të të punësuarve.

“Të mbash me punë – që në kushtet kosovare do të thotë t`i mbash me bukë – mbi 200 familje, është vetvetiu një vepër e madhe humanitare dhe një investim në mirëqenien e popullatës së regjionit, para së gjithash”, thotë Jakupi.

Hoteli, i hapur para në vitin 2014 ka 22 dhoma, është objekti më i ri në kompleksin Vali Ranch. “Është relativisht i vogël, por shumë i frekuentuar dhe kërkesat për dhoma janë në rritje”, thotë Arta Jakupi ndërsa salla e konferencave që është vendosur në kuadrin e hotelit, është edhe një vlerë e shtuar për gjithë qendrën. Prejse është hapur hoteli, salla e konferencave është vazhdimisht e prenotuar për të mbajtur organizime të ndryshme të tipit të seminareve, punëtorive ose tubimeve tjera, nga institucione ose organizata joqeveritare, nga e gjithë Kosova.

Me këto shifra, Vali Ranch është aktualisht ndër punëdhënësit më të mëdhenj privatë në Gjilan e më gjerë. Për këtë shkak, nuk ka munguar as shprehja e mirënjohjes nga autoritetet komunale për themeluesin dhe pronarin, Fehmi Fetahi.

albinfo.ch