Lajme

Obama: Nuk po e njoh Putinin e sotëm

"Ai ka qenë gjithnjë i pamëshirshëm. Ju e keni parë atë që bëri në Çeçeni. Ai nuk e kishte aspak problem t`i shtypte ata që i konsideronte si kërcënim. Por që ai do të ndërmerrte këtë hap në Ukrainë në këtë mënyrë, nuk do ta kisha parashikuar"

Gjatë një interviste, ish-presidenti i SHBA-së në vitet 2008-2016, Barak Obama, për “The Atlantic” ka thënë nuk po arrin ta njohë Putinin e sotëm, përcjellë Gazeta Blic. Ai e cilëson tragjik pushtimin rus të Ukrainës dhe shton se shumë gjëra mund të ishin bërë ndryshe 8 vite më parë. Por sipas tij SHBA kishte asokohe dyshime mbi vendosmërinë e ukrainasve për të luftuar, ndërsa evropianët ishin të përçarë në raport me Putinin.

“Lufta në Ukrainë është një tragjedi me përmasa historike. Putin përfaqësonte një reagim shumë të veçantë ndaj idealeve të demokracisë, por edhe globalizimit, përplasjes së kulturave, aftësisë për ta shfrytëzuar zemërimin dhe pakënaqësinë rreth një mitologjie etno-nacionaliste. Dhe ato që po shohim sot janë pasojat e asaj lloj përzierjeje toksike në duart e një qeverie autokratike që nuk ka shumë kontrolle dhe ekuilibra. Kjo luftë është një kujtesë se demokracitë ishin bërë të zbehta, konfuze dhe të pasigurta rreth rreziqeve që po shfaqeshin në horizont”, tha Obama.

Ai shtoi se si një njeri, që është përballur me inkursionin rus në Krime dhe në pjesët lindore të Ukrainës, tani ndihet i inkurajuar nga reagimi i Evropës, sepse në vitin 2014, ai qartësoi se shpesh i duhej t’i “tërhiqte evropianë zvarrë” t`u ngrinte zërin që të kuptonin rëndësinë e asaj që kishte ndodhur.

“Për sa i përket Putinit, unë nuk jam i sigurt se personi që kam njohur dikur është i njëjtë me personin që tani drejton këtë luftë. Ai ka qenë gjithnjë i pamëshirshëm. Ju e keni parë atë që bëri në Çeçeni. Ai nuk e kishte aspak problem t`i shtypte ata që i konsideronte si kërcënim. Por që ai do të ndërmerrte këtë hap në Ukrainë në këtë mënyrë, nuk do ta kisha parashikuar domosdoshmërisht 5 vjet më parë. Ka pasur spekulime mbi gjendjen e tij psikologjike, sëmundjet, plakjen, izolimin gjatë pandemisë së Covid-19. Por askush nuk mund ta parashikonte as nivelin e reagimit”, tha Obama.

Sa i përket rezistencës së ukrainasve, Obama tha se pas vitit 2014 vazhdoi të forcohej shumë ndjenja kombëtare dhe si për ironi, aneksim i Krimesë dhe i disa territoreve në lindje nga Putini, ua bëri të qartë ukrainasve se cilët ishin, çfarë përfaqësonin dhe shtoi se është i mendimit se ukrainasit kanë potencialin për ta parandaluar një fitore maksimaliste të Putinit, dhe në planin afatgjatë kjo mund të lejojë një Ukrainë të pavarur.“Ne po shohim shkatërrimin e qyteteve, largimin e popullsisë. Është e vështirë të flitet për një fitore të Ukrainës. Dhe mendoj se është shumë herët për të thënë se si mund të jetë fundi i këtij konflikti. Unë mendoj se ajo që ne mund të bëjmë, është t’i mbështesim dhe inkurajmë sa më shumë.

Së dyti duhet ta lexojmë këtë luftë si një leksion, për të cilin ukrainasit po paguajnë fatkeqësisht një çmim shumë të lartë. Ajo që po ndodh në Ukrainë nuk është e izoluar, ne po shohim një rikthim tek mënyrat e vjetra të të menduarit mbi pushtetin, vendin dhe identitetin”, tha Obama.