Lajme

OKB, raport kritik për ndryshimet klimatike

Njerëzimi ka ende një shans, të fundit, për të parandaluar dëmet më të këqija të ndryshimeve klimatike në të ardhmen, tha të hënën një panel i lartë shkencëtarësh i Kombeve të Bashkuara.

Por, ta bësh këtë kërkon ulje të shpejtë të ndotjes së karbonit dhe reduktim të përdorimit të karburanteve fosile me gati dy të tretat deri në vitin 2035, tha Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (Intergovernmental Panel on Climate Change, IPCC).

Drejtuesi i Kombeve të Bashkuara e tha atë më qartë, duke bërë thirrje për t’u dhënë fund kërkimeve të reja për karburantet fosile dhe që vendet e pasura të heqin dorë nga qymyri, nafta dhe gazi deri në vitin 2040.

“Njerëzimi po ecën mbi një shtresë të hollë akulli – dhe ai akull po shkrihet shpejt”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. “Bota jonë ka nevojë për veprim klimatik në të gjitha frontet – gjithçka, kudo, të gjitha menjëherë.”

Duke rritur lutjet e tij për veprim mbi lëndët djegëse fosile, Guterres jo vetëm bëri thirrje kundër përdorimit të qymyrit, por gjithashtu për eliminimin e përdorimit të tij në vendet e pasura, deri në vitin 2030 dhe vendet e varfra deri në vitin 2040.

Ai kërkoi prodhimin e energjisë elektrike pa karbon në botën e zhvilluar deri në vitin 2035 , që do të thotë se nuk duhet të ketë as termocentrale me gaz.

Kjo datë është kyçe, sepse shtetet së shpejti duhet të dalin me objektiva për reduktimin e ndotjes deri në vitin 2035, sipas marrëveshjes së Parisit për klimën. Pas debatit të diskutueshëm, paneli shkencor i OKB-së llogariti dhe raportoi, se për të qëndruar nën kufirin e ngrohjes globale, të vendosur në Paris, bota duhet të zvogëlojë 60% të emetimeve të gazeve shkaktare të efektit serrë deri në vitin 2035, krahasuar me vitin 2019, duke shtuar një objektiv të ri që nuk përmendet më parë në gjashtë raportet e lëshuara që nga viti 2018.

“Zgjedhjet dhe veprimet e zbatuara gjatë kësaj dekade, do të kenë ndikime për mijëra vjet”, thuhet në raport, duke e quajtur ndryshimin e klimës “një kërcënim për mirëqenien njerëzore dhe shëndetin planetar”.

“Ne nuk jemi në rrugën e duhur, por nuk është shumë vonë”, tha bashkautori i raportit dhe shkencëtari, Aditi Mukherji. “Qëllimi ynë është me të vërtetë një mesazh shprese, dhe jo gjykimi.

Bota është disa të dhjetat larg objektivit të pranuar globalisht për të kufizuar ngrohjen në 1.5 gradë Celsius, që nga kohërat para-industriale, theksojnë shkencëtarët me një ndjenjë urgjence. Objektivi u miratua si pjesë e marrëveshjes së klimës së Parisit të vitit 2015 dhe bota është ngrohur 1.1 gradë Celsius deri tani.

Ky ka të ngjarë të jetë paralajmërimi i fundit që shkencëtarëve fitues të çmimit Nobel për Paqe do të jetë në gjendje të bëjë rreth kufirit 1.5, sepse grupi i tyre i ardhshëm i raporteve ka të ngjarë të vijë pasi Toka ose ta ketë tejkaluar këtë kufi, ose të jetë shumë afër tejkalimit të tij.

Shumë shkencëtarë, duke përfshirë të paktën tre bashkëautorë të raportit, thanë se limiti 1.5 gradë është i pashmangshëm.

Malte Meinshausen, shkencëtare klime në Universitetin e Melburnit në Australi tha “Ka shumë pak mundësi që ne të jemi në gjendje të shmangim kapërcimin e 1.5 C diku në vitet 2030, por problemi qëndron nëse temperatura vazhdon të rritet apo do të stabilizohet.

Guterres këmbënguli se “kufiri 1.5 gradë është i arritshëm”. Shefi i panelit shkencor Hoesung Lee tha se deri më tani bota është larg kufirit.

Një raport i mëparshëm i IPCC detajoi se si dëmet – nga zhdukja e shkëmbinjve koralorë te mungesa e akullit të detit Arktik gjatë verës, deri te moti ekstrem – janë shumë më të këqija përtej 1.5 gradëve.

Për shkak se raporti bazohet në të dhënat e disa viteve më parë, llogaritjet për projektet e karburanteve fosile, nuk përfshijnë rritjen e përdorimit të qymyrit dhe gazit natyror pas pushtimit rus të Ukrainës, tha bashkëautori i raportit Dipak Dasgupta, një ekonomist për klimën në Institutin e Energjisë dhe Burimeve në Indi. Raporti vjen një javë pasi Administrata e Bidenit në Shtetet e Bashkuara miratoi projektin e madh Willow të shpimit të naftës në Alaskë, i cili mund të prodhonte deri në 180,000 fuçi naftë në ditë.

Raporti dhe diskutimet themelore prekin gjithashtu pabarazinë midis kombeve të pasura, e cila shkaktoi pjesën më të madhe të problemit, sepse emetimet e dioksidit të karbonit nga industrializimi qëndrojnë në ajër për më shumë se një shekull, dhe vendet më të varfra që goditen më shumë nga moti ekstrem.

Nëse bota do të arrijë qëllimet e saj klimatike, vendet më të varfra kanë nevojë për një rritje “shumëfish” të ndihmës financiare, për t’u përshtatur me një botë më të ngrohtë dhe për të kaluar në energjinë e rinovueshme dhe të pastër. Vendet kanë bërë premtime financiare dhe premtime për një fond kompensimi për dëmet.

“Bota po i nënshtron vendet më pak të zhvilluara në varfëri”, tha Madeline Diouf Sarr, kryetare e një koalicioni të kombeve më të varfra.

Raporti ofron shpresë nëse ndërmerren veprime, duke përdorur fjalën “mundësi” nëntë herë në një përmbledhje prej 27 faqesh. Ndonëse mundësia është në hije nga 94 përdorime të fjalës “rrezik”.

Kreu i IPCC tha se raporti përmban “një mesazh shprese përveç atyre gjetjeve të ndryshme shkencore në lidhje me dëmet e jashtëzakonshme dhe gjithashtu humbjet, që ndryshimi klimatik ka imponuar mbi ne dhe në planet.”

“Ekziston një rrugë për t’I zgjidhur këto probleme dhe ky raport ofron një përmbledhje gjithëpërfshirëse të veprimeve që mund të ndërmarrim, për të na çuar në një të ardhme shumë më të mirë dhe të jetueshme,” tha Lee.

Lee u përpoq të theksonte se nuk është detyra e panelit t’u tregojë vendeve, se çfarë duhet ose nuk duhet të bëjnë për të kufizuar rritjen e temperaturës globale në 1.5 Celsius.

“I takon çdo qeverie të gjejë zgjidhjen më të mirë,” tha ai, duke shtuar se shkencëtarët shpresojnë se këto zgjidhje do të stabilizojnë rritjen e temperaturës së globit në rreth 1.5 gradë.

Aktivistët gjetën gjithashtu fije shprese në raport.

“Gjetjet e këtyre raporteve mund të na bëjnë të ndihemi të dëshpëruar për ritmin e ngadaltë të reduktimit të emetimeve, tranzicionin e kufizuar drejt energjisë së rinovueshme dhe ndikimin e përditshëm në rritje të krizës klimatike te fëmijët,” tha aktivistja rinore për klimën Vanessa Nakate, një ambasadore e vullnetit të mirë për UNICEF. “Por këta fëmijë kanë nevojë, që ne ta lexojmë këtë raport dhe të veprojmë, të mos humbasim shpresën.” / Associated Press