Kosova

OKB reagon për arrestimin e dy zyrtarëve të UNMIK-ut

Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK shprehu sot shqetësim të madh për zhvillimet në veri të Kosovës, përfshirë edhe arrestimin nga policia e vendit, të dy punonjësve të misionit, njërit me nacionalitet rus dhe tjetri me nacionalitet kosovar.

Në një deklaratë për shtyp lëshuar disa orë më parë, UNMIK bëri të ditur se një nga të arrestuarit, një punonjës i UNMIK-ut me nacionalitet rus, është liruar ndërkohë dhe është dërguar për trajtim në spital, transmeton DW. Edhe punonjësi tjetër i arrestuar ndodhet në trajtim mjekësor. Nuk dihet ende nëse ai është ngarkuar me ndonjë vepër penale, përcjell albinfo.ch.

I pyetur në konferencën e shtypit, zëvendëszëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, konfirmoi se njëri nga punonjësit e UNMIK-ut të arrestuar në Kosovë është i nacionalitetit rus, kurse tjetri i nacionalitetit kosovar. Zoti Haq tha se të dhëna për trajtimin e dy të arrestuarve nga policia do të jepen më vonë. Ai paralajmëroi se nëse stafi i OKB-së në Kosovë do të preket më tej, do të ndërmerren hapa të tjerë diplomatike dhe juridike në nivel vendas dhe ndërkombëtar.