Kosova

“OneFor”, aplikacioni që mundëson transferimin e parave shpejt dhe lirë, vjen edhe në Kosovë

‘OneFor’ është platforma digjitale, e cila nga sot do ta përfshijë edhe tregun kosovar. Pas suksesit në shtetet e Bashkimit Evropian, edhe qytetarët e Kosovës do ta ketë mundësinë që përmes kësaj platforme të kryejnë shërbime financiare, duke përfshirë pagesa të menjëhershme dhe trasnfere të parave në kohë reale dhe ekonomike.

OneFor është licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës si Institucion Financiar Jo-Bankar (IFJB) me iniciativë të kompanisë amë OneFor Holding GmbH, me seli në Düsseldorf, shkruan albinfo.ch.

Duke treguar sukses në tregun e Bashkimit Evropian që nga viti 2021, ‘OneFor’ është një aplikacion, i cili merr shumë pak kohë për t’u funksionalizuar dhe shërbimet, të cilat i përmban, janë lehtë të qasshme, duke i ofruar përdoruesit mundësi të kursejë kohë për pagesa dhe shërbime të tjera financiare.

Në eventin e sotëm në të cilin u lansua platforma, të pranishëm ishin drejtori menaxhues i OneFor Holding, Ilir Aliu, ministri kosovar i Finanacave, Hekuran Murati, Guvernatorit i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismajli dhe politikanë të tjerë e biznesmenë të njohur, si Lazim Destani, raporton albinfo.ch.

I pari që doli për të treguar detaje të kësaj platforme që po shtrin funksionin edhe brenda Kosovës ishte Ilir Aliu, drejtori menaxhues i OneFor.

“Jemi kompani e re në Kosovë, por edhe në Bashkimin Evropian, ne filluam operacionet tona më 2021 në BE, në 13 shtete, por fokusin e kemi te shtetet gjermanofolëse, gjithashtu në të njëjtën kohë jemi prezent edhe në 9 shtete jashtë BE-së, të fokusuar jemi në Evropën Lindore, Afrikën Veriore dhe tash fizikisht jemi prezent edhe në Kosovë”.

Aliu shpjegoi edhe disa hapa të kësaj platforme, e të cilët fillojnë nga gjithëpërfshirja e deri te inovacioni.

“Hapi i parë i OneFor është gjithëpërfshirja, kushdo që hap llogari në këtë platformë, është gjithëpërfshirës në pagesat lokale përmes bankave partnere, po ashtu edhe në rrjetin e pagesave evropiane, hapi i dytë është inovacioni, me 5 hapa, hapet llogaria, me 3 hapa bëhet çdo operacion tjetër. Është inovacion, sepse prej fillimit deri në fund çdo gjë bëhet me kanale digjitale. Hapi i tretë, siguria. Ne i përmbushim të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian sa u përket sigurimit të transferimit të parave, sigurisë së bartjes së të dhënave dhe sigurisë së të dhënave”.

Kur hapet llogaria në platformë, OneFor përveç këtyre shërbimeve, mundëson edhe komunikimin me njëri-tjetrin brenda këtij rrjeti.

Aliu një pjesë të rëndësishme e konsideron edhe Junior Account, që është dedikuar për adoleshentët nën moshën 18-vjeçare, ku qasje mund të kenë edhe prindërit që mund ta mbikëqyrin llogarinë e fëmijëve të tyre.

Disa fjalë për rëndësinë e platformës ‘One For’ i tha edhe Hekuran Murati, ministër i Financave.

“Për ne si qeveri është shumë e rëndësishme, sepse nënkupton likuiditet më të lartë në sistemin financiar, njëkohësisht edhe formalizmin më të lartë, pra çdo transaksion mund të përcillet dhe duhet të paguhet edhe tatim për të, është kënaqësi që një gjë e tillë po bëhet realitet”.

Ministri, ndër tjera, falënderoi drejtuesit e kompanisë për investimin e bërë në Kosovë.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, tregoi ndër të tjera masat e lehtësimit që Banka po ndërmerr në kornizën ligjore.

“Pa dashur të përsërisim ato që veç u thanë sa i përket digjitalizimit të rëndësisë së tij (OneFor) për ekonomi, me lejoni të përmend që për Bankën Qendrore sistemi i pagesave efikas, i sigurt, mbetet objektivi kryesor. Në këtë kuptim, Banka Qendrore ka ndërmarrë disa veprime sa i përket kornizës ligjore për t’i licencuar këto institucione financiare jobankare dhe po ashtu është në avancim të kornizës ligjore sa i përket ndryshimit të ligjit për shërbimin e pagesave, ku adaptohen disa direktiva të BE-së për ‘openbanking’ dhe për infrastrukturën përkatëse që e mbështet këtë zhvillim”.

Zëvendësambasadori i Gjermanisë, Matthias Conrad, foli për bashkëpunimin e Kosovës dhe Gjermanisë, duke përmendur tregun bashkëpunues dhe faktin që këto bashkëpunime ndërmjet të dy vendeve po rritën çdo vit e më shumë.