Opinione

Organizatat evropiane: Këshilli i Europës

KE u themelua për të adresuar nevojën për një Europë të re të pasluftës ku të mbizotëronte pajtimi, bashkëpunimi dhe barazia midis vendeve. Fokusi i tij ishte partneriteti midis Francës dhe Gjermanisë, për të ndërtuar nje paqe të qëndrueshme europiane

Këshilli i Europës (KE) u themelua me 5 maj 1949 nga Traktati i Londrës, i cili u nënshkrua fillimisht nga 8 shtete: Belgjika, Franca, Britania e Madhe, Italia, Luksemburgu, Norvegjia dhe Suedia. Ai u themelua për të adresuar nevojën për një Europë të re të pasluftës ku të mbizotëronte pajtimi, bashkëpunimi dhe barazia midis vendeve. Fokusi i tij ishte partneriteti midis Francës dhe Gjermanisë, për të ndërtuar nje paqe të qëndrueshme europiane. Qendra e KE ndodhet në Strasburg të Francës. Kjo organizatë ka flamurin dhe himnin e saj, të cilat janë si të BE. Dita e themelimit festohet si dita e Europës.

Pas Luftës së Ftohtë u bënë anëtarë të KE Rusia dhe vendet ish-komuniste. Tani KE përmbledh 47 shtete inkl. disa vende të tjera vëzhguese. Shqipëria u bë anëtare në 1995. KE i shërben tashmë edhe afrimit europiano-rus dhe integrimit të vendeve europiane në sistemin e vlerave të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. Vendet e BE janë anëtare të KE. Megjithëse KE është një organizatë e veçantë nga BE, në praktikë asnjë vend nuk është bërë anëtar i BE pa qenë me parë anëtar i KE.

Qëllimet e KE janë:

  • Mbrojtja e demokracisë dhe ndihmesa në reformat demokratike.
  • Mbrojtja e shtetit ligjor dhe nxitja e bashkëpunimit ligjor me anë të konventave europiane.
  • Mbrojtja e të drejtave të njeriut (përfshirë të drejtat sociale, pakicat, mediat).
  • Nxitja e bashkëpunimit kulturor.
  • Mbrojtja e të drejtës për arsim dhe rregullimi i njohjes së diplomave universitare (procesi i Bolonjës).
  • Nxitja e sportit të ndershëm, duke ndaluar përdorimin e drogave dhe dhunën në sport.
  • Nxitja e shkëmbimeve rinore me anë të Qendrave Evropiane të Rinise në Strasburg dhe Budapest.

 

Mënyra kryesore se si KE avancon qëllimet e tij janë konventat, të cilat pasi miratohen nga organizata ratifikohen nga vendet anetare, duke bërë të mundur që për cështje të caktuara të ketë nje rend të njejtë ligjor për të gjitha shtetet anëtare. Ndër konventat më të rëndesishme të KE janë:

  • Konventa për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave te Njeriut (1950)
  • Konventa Kulturore Evropiane (1954): kuadri për arsimin, kulturën, rininë dhe sportet.
  • Karta Sociale Europiane.
  • Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.

 

Organet kryesore të KE janë Asambleja Parlamentare, Sekretariati i Përgjithshëm, Komiteti i Ministrave, Kongresi i Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Europës dhe Gjykata e Strasburgut. Asambleja Parlamentare përbëhet nga deputetë prej parlamenteve të vendeve anëtare. Zgjedh presidentin deri në 2 vite të njëpasnjëshme. Ka gjithsej 636 anëtarë (318 deputetë + 318 zëvendësues të tyre). Sekretari i përgjithshem zgjidhet nga Asambleja Parlamentare për 5 vite. Ai drejton drejtoritë e specializuara të KE. Komiteti i Ministrave që përbëhet nga ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare, të përfaqësuar nga ambasadorët e akredituar pranë KE. Presidenca e komitetit qarkullon cdo 6 muaj sipas rendit alfabetik. Kongresi i Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Europes, i krijuar me 1994, përmban përfaqësues politike prej autoriteteve rajonale dhe vendore të vendeve anëtare.

Ndoshta organi më i njohur i KE është Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, shkurtimisht e quajtur Gjykata e Strasburgut, themeluar me 1950. Asambleja Parlamentare zgjedh gjykatësit për një periudhë 6 vjeçare të rinovueshme. Nga cdo vend pranohet një gjykatës. Periudha e shërbimit e këtyre gjykatësve është 9 vite, pa të drejtë rizgjedhje.

KE ka përfaqësi në disa prej vendeve ish-komuniste, perfshirë Shqipërinë. Vende jashtë Europës, si Kanadaja, Japonia, Meksika, SHBA, por edhe Vatikani kanë status vëzhguesi në Këshillin e Europës. Statusi i vëzhguesit i Bjellorusise është pezulluar për shkak të sjelljes jodemokratike të saj. Parlamentet e Kanadasë, Israelit dhe Meksikës kanë status vëzhguesi në Asamblenë Parlamentare të KE. Ka pasur kritika për pranimin si vëzhgues të Japonisë dhe SHBA për shkak të dënimit me vdekje në këto vende. KE dhe Bashkimi Europian kanë programe të përbashkëta, ndërsa KE ka status vëzhguesi pranë OKB.

Ideja e Europës

Ideja e Europës në shekuj ka qenë një temë e intektualeve të ndryshëm, të cilët madje projektonin edhe plane për bashkimin e saj. Idesë së nje Evrope të bashkuar i përgjigjej realiteti politik i një Europe të përçarë në shtete që ishin në luftë dhe njëra-tjerën. Idetë paneuropianiste në mesin e intelektualeve, u shpalosen sidomos në shek. XIX, në kohën kur ideja e Europës së mbretërve po konkuronte me idenë e Europës së popujve. Në atë kohë përpjekja e një bashkimi perandorak të Europës u ndërmor nga Napoleon Bonaparte. Ai kishte shprehur qëllimin e tij që “të gjithë popujt e Europës të bëhen një popull”, sepse mendonte se “nuk do të kishte në Europë një ekuiliber më të qëndrueshëm se sa bashkimi dhe konfederata e kombeve të mëdha”. Sigurisht që ai përfytyronte një Europë të bashkuar nën hegjemoninë e Francës. Pas mposhtjes së tij, shtetet fituese formuan Kongresin e Vienës, i cili me anë të drejtpeshimit të fuqisë rrekej të parandalonte orvajtje të tjera për të revizionuar rendin e atëhershëm të shteteve europiane. Para Kongresit të Vienës, filozofi Henri de Saint Simon në 1814 paraqiti një projekt për bashkimin e Europës, që bazohej te bashkimi i Francës me Britaninë e Madhe, por që linte hapësirë edhe për bashkimin me nje shtet gjerman, i cili në atë kohë ende nuk ekzistonte. Në vitin 1849 edhe Viktor Hygo bënte thirrje për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Europës, sipas shembullit të SHBA. Në lëvizjet liberale dhe nacionaliste që po ndodhnin në atë kohë, ideja e Europës së popujve i kundërvihej idesë së Europës së mbretërve. Një lëvizje e tillë ishte “Europa e re” e revolucionarit italian Mazzini, që kishte anëtarë në shumë vende europiane. Një projekt origjinal për bashkimin e Europës ishte edhe ai i filozofit francez, Joseph Prudon i vitit 1863. Prudon e mendonte ndërtimin e Europës së Bashkuar përmes krijimit të njësive të vogla politike të asociuara. Për këtë bashkim nga poshtë-lart do të nevojitej më parë decentralizimi i shteteve të mëdha, çarmatimi i përgjithshëm i tyre dhe më pas federalizimi dhe konfederalizimi i tyre.

Në gërmadhat e Luftës së Parë Botërore u ringjall edhe ideja e bashkimit të Europës si një shpresë për një paqe të përhershme në kontinent. Me e famshme ishte lëvizja Paneuropa e kontit, Richard Coudenhove-Kalergi, e themeluar në 1923, me qendër në Vienë dhe me degë në shumë vende të Europës. Coudenhove-Kalergi kërkonte krijimin e Shteteve te Bashkuara të Europës, sepse kështu: 1) do të shmangej fitorja e bolshevizmit në Europë; 2) do të shmangej dominimi ekonomik amerikan; 3) Europa do të rifitonte rolin udhëheqës në botë. Sipas tij, në fillim Paneuropa do të krijohej si një organizatë rajonale e Lidhjes së Kombeve, e përbërë nga një Këshill me delegate prej shteteve anëtare, një asamble me të deleguar prej parlamenteve dhe një Gjykatë Drejtësie. Kolonitë t’i administronin së bashku dhe kështu evitohej edhe lufta.

Ideja e Kalergit u përqafua nga Aristide Briand, minister i jashtëm i Francës, i cili paraqiti në 1929 në Gjenevë para Lidhjes së Kombeve një projekt për bashkimin e Europës. Fokusi ishte në bashkëpunimin ekonomik. Ky plan gjeti njëfarë interesimi dhe 26 vende i kërkuan që të paraqiste një memorandum më të hollësishem. Memorandumi u paraqit në 1930, por në atë kohë nuk pati rezultat të mëtejshëm. Kriza ekonomike botërore i bëri shtetet që të mbyllen sërisht në vetvete.

Përballë idesë për një Europë liberale të Kalergit, Briandit, apo intelektualeve të tjerë, edhe lëvizjet e reja ideologjike shtjelluan konceptime alternativepër bashkimin e kontinentit. Bolshevikët në Rusi përdorën parrullën e bashkimit të Europës nën flamurin e komunizmit. Trocki në vitet 1924-26 ripërsëriti parullën për krijimin e Shteteve të Bashkuara Socialiste të Europës. Ajo do të drejtohej kundër “Europes së vjetër” kapitaliste dhe së bashku me Bashkimin Sovjetik do të përgatiste kushtet për fitoren botërore të komunizmit. Fitorja e Stalinit në luftën për pushtet midis tij dhe Trockit, pas vdekjes së Leninit, i dha përparësi nacionalizmit rus dhe planet për përhapjen e revolucionit komunist nëpër botë u lanë mënjanë.

Edhe fashistët italianë, në kuadër të krijimit të një internacionaleje fashiste në vitet 1930, hodhën idenë e krijimit të një rendi të ri europian, të rigjeneruar nga fashizmi dhe kundër Europës së vjetër dhe të degjeneruar të individualizmit liberal dhe marksizmit. Plani i tyre nuk pati jetë përtej parullave. Nazistët gjermanë në kuadër të pushtimeve të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore shpallën se Europa ishte bashkuar, por plani i tyre ishte për një Europë nën hegjemoninë gjermane që do të vihej në shërbim të kënaqjes së interesave të Rajhut. Përballë nazizmit dhe fashizmit, disa nga aktivistet e qëndresës projektonin idenë e bashkimit të Europës pas mbarimit të luftës. Kështu, dy kundërfashistë italianë, Altieno Spinelli dhe Ernesto Rossi, të cilët ishin internuar në ishullin e Ventonetes, në 1941 shkruan “Manifestin e Ventotenes” për bashkimin e Europës pas luftës kundër fashizmit. Manifesti gjeti jehonë në shtypin klandestin kundërfashist në shumë vende të Europës. Gjatë luftës u hodhën ide për një federatë europiane si prelud i një organizate botërore. Në vitin 1943 Jean Monett, arkitekti i ardhshëm i integrimit europian shkruante se “Prosperiteti i popujve të Europës dhe zhvillimet e nevojshme sociale janë të pamundura nëse shtetet e Europës nuk formojnë një federatë apo ent evropian që sjell unitet ekonomik të përbashkët”.

 

Krijimi i Komunitetit Evropian te Qymyrit dhe Çelikut

 

Pas Luftës së Dytë Botërore, mbizotëruan tri rryma të mendimit mbi bashkimin e Europës. Rryma konfederaliste kërkonte marrëveshje midis shtetesh pa prekur sovranitetin. Ithtaret e saj ishin për ndërtimin e organizatave ndërshtetërore ku vendimet të merreshin me bashkëpëlqimin e të gjithë anëtarëve. Përkrahësit e këtij plani ishin De Goli dhe Churchill. Rryma federaliste ishte për një qeveri qëndrore të fortë që ka në dorë një pjesë të sovranitetit të shteteve. Rryma funksionaliste ishte një nenrrymë e federalizmit, mirëpo ithtaret e saj e shihnin si të parakohshëm një federate politike europiane. Në vend të saj, politikanë si Robert Schuman dhe Zhan Mone mendonin se bashkimi i Europës mund të arrihej nëpërmjet integrimeve sektoriale të njëpasnjëshme. Shkëmbimi i lirë doganor dhe planifikimi i modernizimit dhe i prodhimit të përbashkët për degë të veçanta të industrise do të përbënin bazën e bashkimeve politike të mëpasshme.

Edhe kushtet politike në vitet 1940-1950 ishin të favorshme për një afrim franko-gjerman, si bazë për bashkimin e Europës. Gjermania Perëndimore kërkonte integrimin me vendet e Perëndimit, kurse Franca kërkonte një sistem europian për të mbajtur nën kontroll Gjermaninë. Ndërkohë, për t’i bërë ballë rrezikut komunist nevojitej bashkëpunim më i ngushtë ekonomik dhe politik i Europës Perëndimore që mbështetej nga SHBA. Moneja i propozoi Shumanit bashkëpunimin ekonomik me anë të institucioneve mbikombëtare, në fillim për qymyrin dhe çelikun dhe më pas për degë të tjera. Kjo ide gjeti miratimin e disa vendeve europiane dhe në 10 gusht 1952 pas ratifikimit të parlamenteve, Franca, Gjermania, Belgjika, Hollanda, Luksemburgu dhe Italia formuan Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Celikut. Ai do të kryesohej nga një Autoritet i Lartë prej 9 përfaqësuesish, të zgjedhur prej 6 qeverive, por që vepronin si komitet i pavarur. Presidenti i pare i autoritetit u zgjodh Zhan Moneja. Një organ tjetër i Komunitetit ishte Këshilli i Posaçëm i Ministrave nga vendet anëtare. U krijua nje Asamble e përbashket me deputet të deleguar nga parlamentet e shteteve dhe Gjykata e Drejtësisë, që do të merrte vendime në lidhje me mosmarrëveshjet që mund të lindnin me zbatimin e traktatit të komunitetit. Britania e Madhe mbeti e ftohtë ndaj kësaj nisme. Ajo ishte prodhuesja më e madhe e qymyrit në Europë dhe nuk dëshironte që t’u nënshtrohej politikave të përbashkëta për prodhimin dhe shitjen e tij. Gjithashtu ajo nuk e shikonte veten të angazhuar vetëm në Europë, sepse politika e saj përbëhej nga tre rrathë: komonuelthi i vendeve koloniale dhe ish-koloniale, marrëdhënia e ngushtë transatlantike me SHBA, dhe politika e saj europiane.

Po atë vit u themelua Komuniteti Europian i Mbrojtjes për një politikë të përbashkët të mbrojtjes, që parashikonte një ushtri europiane që do të bashkëpunonte me NATO-n. U propozua edhe projekti për Komunitetin Politik Europian që do të kishte një parlament me dy dhoma me pushtet të barabartë, njëra me përfaqësues të zgjedhur, tjera me deputetë të zgjedhur nga parlamentet kombëtar. Do të kishte edhe Këshillin Ekzekutiv Europian. Presidenti i tij do të zgjidhej nga senati, si dhe nga Këshilli i Ministrave për të harmonizuar veprimet e Këshillit Ekzekutiv me atë të qeverive. Mirëpo, me ndryshimin e qeverisë në Francë, ku në pushtet erdhi De Gol, këto projekte nuk u vunë në jetë. De Gol thoshte: “Europa do të ndërtohet mbi kufomën e Francës”, ndërsa ministri i jashtëm, Bido deklaronte: “ta bëjmë Europën – pa c’bërë Francën”. Traktati për Komitetin e Mbrojtjes u hodh poshtë dhe propozimet e tjera nuk u miratuan. U pa qartë që klasa politike nuk ishte e pergatitur.

Një etapë e rëndësishme ishte miratimi i Traktateve të Romës me 1957, që krijuan Komunitetin Europian të Energjisë Bërthamore dhe Komunitetin Ekonomik Europian. Ky i fundit kishte të bënte me heqjen e pengesave doganore, politikë të përbashket tregtare, lëvizjen e lirë të qytetarëve, etj. Traktatet e Romës përmbajnë edhe themelimin e institucioneve europiane. Parlamenti Europian kishte përfaqësues të deleguar të parlamenteve kombëtare: 36 për Francën, Gjermaninë dhe Italinë, 14 për Belgjikën dhe Hollandën dhe 6 për Luksemburgun. Parlamenti përfaqësonte të tria komunitetit. Gjykata e Drejtësisë ishte e përbashkët për të tri komunitetet dhe mbikqyrte zbatimin e traktateve. Njëkohësisht, u krijua Këshilli Ekonomik Europian me përfaqësues të qeverive që do mblidheshin për çështjet e caktuara, si psh. bujqësia, transporti, etj., ndërsa Komisioni i Komunitetit Ekonomik (KEE) kishte 9 anëtare, nga 2 për Gjermaninë, Francën e Italinë dhe nga një për Belgjikën, Luksemburgun dhe Hollandën. Ai kishte për detyrë mbikëqyrjen e vënies në jetë të dispozitave të nxjerra nga institucionet, hartimi i rekomandimeve etj.

Britania e Madhe sërish nuk mori pjesë në këta komunitete të reja, sepse nuk donte të rrezikonte tregtinë e privilegjuar që kishte me Komonuelthin, nëse hynte me një tarifë të jashtme të përbashkët. Alternativa e saj ishte krijimi i një zone të tregtisë së lirë (EFTA), së bashku me Suedinë, Norvegjinë, Danimarkën, Zvicrën, Austrinë dhe Portugalinë. Qëllimi i krijimit të EFTA ishte eleminimi i  tarifave doganore për prodhimet industriale, me përjashtim të prodhimeve bujqësore dhe atyre të detit.

 

Integrimi europian deri me 1989

 

Për avancimin e bashkimit politik të 6 vendeve, me 1961-62 de Gol propozoi “planin fushë”, të titulluar kështu sipas një diplomati francez, ku kompetencat e vendim-marrjes i mbeteshin shteteve dhe ku i mbyllej rruga e anëtarësimit Britanisë së Madhe. Franca kërkonte të ruante hegjemoninë në Europë dhe në marrëdhëniet me Gjermaninë, si kundërpeshë ndaj aleancës Britani e Madhe-SHBA. Kjo nuk u prit mirë nga anëtarët e tjerë të KEE, sepse ata dëshironin pjesmarrjen e Britanisë së Madhe. De Gol i qëndroi besnik konceptit konfederalist: “nuk mund të ketë tjetër Europë, vec asaj të shteteve”. Edhe kushtet që vendosi Britania e Madhe për anëtarësim nuk mund të pranoheshin prej vendeve te tjera. De Gol në vitin 1963 bllokoi anëtaresimin e BM.

SHBA e përkrahte për KEE, por edhe shqetësohej për konkurencën ekonomike dhe strategjitë politike të Francës në Europë. De Goli deklaronte se Britania e Madhe do te ishte “kalë troje” i SHBA në KEE. Me 1966 BM ripërsëriti kërkesën për anëtarësim. Pesha e Komonuelthit kishte rënë, ekonomia ishte në rënie, kurse ajo e KEE ishte në zgjerim. Pas negociatave të zgjatura dhe të vështira dhe pas largimit të De Golit nga pushteti, në 1972 u pranuan Britania e Madhe së bashku me Danimarkën, Irlandën dhe Norvegjinë. Vendeve të reja iu njoh një periudhë tranzitore prej 5 vjetësh për t’u përshtatur me KEE. Këshilli u rikonfigurua me 10 vota për Francën, Britaninë e Madhe, RFGJ dhe Italinë, 5 vota për Hollandën dhe Belgjikën, 3 vota për Danimarkën, Irlandën dhe Norvegjinë, kurse Luksemburgu do të kishte 2 vota. Vendimet do të merreshin me një shumicë të cilësuar prej 43 përkundrej 61 votave gjithsej. Parlamenti Europian do të kishte 208 anëtare, prej të cilëve 36 do të ishin nga Britania e Madhe. Mirëpo, Norvegjia mbeti jashtë KEE, sepse referendumi nuk fitoi.

Nga fundi i viteve 1970 KEE planifikoi mbas vitit 1980 një politikë monetare të përbashkët. Kështu në vitin 1979 u themelua Bashkimi Monetar Europian me një monedhë të përbashkët hipotetike për lehtësimin e shkëmbimeve valutore. Monedha quhej ECU (European Monetary Unit – Njësia Monetare Europiane). Ajo shërbente për lehtësimin e llogarive të shkëmbimeve valutore brenda KEE dhe nuk ishte një monedhe e vërtetë e përbashket, si euro e sotme. Viti 1979 njohu edhe zgjerimin e parë mesdhetar me pranimin e Greqisë. Spanja dhe Portugalia u pranuan në 1986. Problemi i negociatave me vendet mesdhetare mbetej në atë që këta vende kishin një industri jo shumë të zhvilluar dhe ishin me së shumti konkurrente bujqesore të vendeve anëtare të Komunitetit Europian. Nevojitej një periudhë kalimtare për përshtatjen dhe këto vende përfituan prej ndihmave strukturore nga Komuniteti, që tashmë kishte 12 anëtare.

Negociatat me Turqinë u hapën në vitin 1987 dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Akti Unik Europian hyri ne fuqi në 1987. Qëllimi i tij ishte forcimi i kapaciteteve vendim-marrëse. Ai rregullonte krijimin e një tregu të brendshëm dhe adresonte problemet me emigrimin dhe trafiqet e paligjshme. Me 1990 u krijua konventa Shengen, ku jo të gjithë shtetet e KEE u përfshinë. Gjithashtu Akti Unik përmbante edhe dispozita për bashkërendimin e politikës së jashtme. Tashmë vendet anëtare duhet të informonin dhe të konsultoheshin me njëri-tjetrin mbi vendime e rëndësishme.

 

Integrimi europian pas vitit 1989

 

Viti 1989 ishte viti i shembjes së Murit të Berlinit, bashkimit të Gjermanive dhe fillimit të rënies së komunizmit në Europën Lindore. Bashkimi i Gjermanisë u pa me shqetësim në disa vende. Kancelari Kohl siguroi se nuk bëhej fjalë për rishikimin e kufijve dhe se bashkimi gjerman nuk e kundërshtonte bashkimin e Europës: “Gjermania është atdheu ynë, Europa është e ardhmja jonë”. Komuniteti Europian miratoi një ndihmë prej 3 miliarde ECU për zhvillimin e pjesës lindore, por që ishte shumë me pak se sa po shpenzonte vetë qeveria gjermane.

Komuniteti Ekonomik Europian u kthye në një pikë referimi për vendet ish-komuniste, që kërkonin anëtarësimin në të. Edhe KEE nuk u tregua indiferente ndaj tyre dhe miratoi programin PHARE për ndihmë ndaj Polonisë dhe Hungarisë që më pas u shtri edhe për vendet e tjera. Ai ishte një ndihmë financiare për ristrukturimin ekonomik dhe investimin privat, kredi ose garanci për eksportin. U formua edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që jepte hua për investime prodhuese në vendet lindore që zotoheshin se do të ndiqnin parimet e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut. Karta e Kopenhagenit në vitin 1993 vendosi kriteret për anëtarësimin e vendeve të Europës Lindore. Kriteret grupoheshin në tre:

  1. Kritere politike: garancia e sistemit demokratik, shteti i së drejtës, respektimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i pakicave.
  2. Ekonomia: ekonomia e tregut, aftësia konkuruese në funksion të sistemit monetar.
  3. Institucional: stabiliteti i institucioneve, përshtatja e legjislacionit kombëtar me atë të BE (acquis communitaire).

Në vitin 1999, Bashkimi Europian miratoi programin e Procesit të Stabilizim Asocimit për vendet që kërkonin t’i anëtarësoheshin.

Traktati i Mastrihtit i vitit 1992 mbahet si themelim i Bashkimit Europian (BE). Ai nuk ishte përjashtim i traktateve të mëparshme, por mbivendosje dhe avancim i tyre. Në të parashikohej funksionimi i BE sipas tri shtyllave:

  1. Ridimensionimi i Traktatit të Qymyrit dhe Celikut dhe atij të Romës, duke përfshirë edhe qytetarine europiane, bashkimin monetar dhe politik. Ketu institucionet europiane kanë të drejtë vendim-marrje që do të thotë se u është kaluar një pjesë e sovranitetit të shteteve. Parashikimi i krijimit të Bankës Qëndrore Europiane dhe të Eurozonës.
  2. Bashkërendimi i politikëssë jashtme dhe të sigurisë. Bashkëpunim ndërqeveritar.
  3. Bashkërendimi juridik dhe i ceshtjeve kriminale.

Ndërkohë në vitet 1990 vazhdoi procesi i zgjerimit dhe i ristrukturimit të BE. Në 1995 u përfshinë Austria, Finlanda dhe Suedia. Me 1999 u themelua Banka Qëndore Europiane me qendër në Frankfurt. Në 1 Janar 2002 Euro hyri në qarkullim në 12 vende të BE.

Traktati i Amsterdamit i vitit 1997 përbënte përmirësim dhe shtesa të Traktatit të Mastrihtit. Disa çështje të kolonës së tretë kaluan te e para, që do të thoshte se i nënshtroheshin vendimeve të përbashkëta. Këtu bënin pjesë politikat e vizave, rregullat e kalimit të kufirit të jashtëm, politika e azilit. Britania e Madhe, Irlanda dhe Danimarka refuzuan të bashkoheshin me të tjerët në këto pika. U krijua zyra e Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e Përbashkët. Pati rritje të kompetencave të Parlamentit. Në vitin 2001 mbaroi afati i traktatit të KEQÇ. Tani ekzistojnë dy komunitete europiane dhe një sërë marrëveshje ndërqeveritare që së bashku formojnë BE. Në 2004 kemi pranime të reja: Qipro, Çekia, Estonia, Letonia, Lituania, Hungaria, Malta, Polonia, Sllovakia, Sllovenia. Në 2005 Kushtetuta Europiane, që parashikonte një thellim të bashkimit, u hodh poshtë me referendume, së pari në Francë e e pas në Hollandë. Në vitin 2007 Bullgaria dhe Romania integrohen në BE.

 

Çfarë është BE? 

Së pari, BE është një strukturë ndërkombëtare e krijuar me anë të traktateve, që ratifikohen prej vendeve anëtare. Shuma e këtyre zëvendëson kushtetuten. Brenda një shteti është bashkësia ajo që krijon kushtetutën, ndërsa në rastin e BE është kushtetuta që kërkon të krijojë bashkësinë.

Ai nuk është shtet federal, sepse shtetet anëtare ruajnë sovranitetin e tyre, pra janë vende të pavarura. Janë subjekt dhe objekt i të drejtës ndërkombëtare. Por BE nuk është as një organizatë e thjeshtë ndërkombëtare, siç është OKB, sepse në kuadër te KEE, vendet i nënshtrohen politikave të përbashkëta. Edhe zbatimi i këtyre politikave është specifik, sepse nuk ka organe federale që t’i zbatojnë, por janë organet shtetërore që janë të ngarkuara me zbatimin e tyre. Për këto arsye BE është një rast sui generis. Kjo do të thotë se BE është unik në llojin e vet, sepse shtetet e BE reduktojnë sovranitetin e tyre kombëtar me qellim që të rrisin ndikimin ndërkombëtar në atë masë që nuk do të ishin të aftë po të përpiqeshin vecmas.

Ka një debat mbi të ashtuquajturin deficit demokratik në BE, që i referohet largësisë së burokracisë së Brukselit prej qytetarëve dhe pushtetit të kufizuar që ka Parlamenti Europian. Por nëse demokracinë nuk e kuptojmë vetëm me anë të votës së lirë, por si një sistem që ka kontroll e drejtpeshime që asnjë pushtet të mos mbizotëroje mbi të tjerët, patjetër që BE është demokratike, llogaridhënëse dhe transparente në punën që bën.

Është përhapur ideja se BE është një burokraci e tejfryrë që harxhon shumë fonde në mënyrë joefikase. Kjo është larg së vërtetës, edhe për faktin se nëse do të ishte e vërtetë, shtetet anëtare nuk do të shikonin përfitime prej kësaj strukture dhe do ta cmontonin atë. Buxheti i BE llogaritur është sa 1% e të ardhurave bruto të vendeve anëtare dhe 2% e shpenzimeve qeveritare. Totali i burokratëve të BE nuk e kalon numrin 20.000 veta, që do të thotë se është me pak se sa burokracia e nëpunësve të një qyteti të mesëm europian.

Për më tepër, pavarësisht prej problemeve të brendshme, BE është shumë tërheqëse për vendet europiane jashtë saj. Ajo ushtron një “pushtet të butë” normativ në rajonin e Europës dhe përtej tij. Ky pushtet nuk bazohet mbi dëshirën për të sunduar dhe kontrolluar territore, por te dëshira që vendet e tjera që binden të përbrendësojnë sistemin e vlerave dhe parimeve që ka BE dhe të përshtasin sistemet e tyre qeveritare standarteve të BE, në mënyrë që të anëtarësohen në të. Kjo veti e bën BE një forcë të vërtetë transformuese dhe emancipuese në Europë.