Kosova

Osmani bisedon me presidentin gjerman për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Osmani ka thënë se gjatë bisedës të martën ka cekur rëndësinë për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.

“Dje, kam biseduar me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, për të diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. E kam cekur rëndësinë kritike për përfundimin e suksesshëm të këtij procesi, për të siguruar që gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt të jetë e mundur nga instrumentet e Këshillit. Anëtarësimi ynë nuk do të ishte fitore vetëm për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat qëndron fuqishëm”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.

Gjermania e Franca kanë qenë dy prej vendeve që kanë kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me dërgimin në Kushtetuese të drafstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të mblidhet më 16 dhe 17 maj. Votimi për anëtarësimin e Kosovës ende nuk gjendet në agjendë. Kosovës i duhet kaluar edhe ky votim për t’u anëtarësuar në KiE.