Gastronomët shqiptarë në Zvicër

Pali dhe ëndrra e realizuar për një Restorant që mban emrin e tij

Pas shumë viteve mundim dhe sakrificë, më në fund kishte realizuar ëndrrën që të pavarësohet në një restorant. Restaurant “Da Paulo” në Schlieren është restorant me dy koncepte Italian&Steahause. Mirëpo ai nuk është restorant i ndonjë Italiani por i shqiptarit Pal Deda nga Peja

Është gjetur në kuzhinë krejt rastësisht ngase me profesion është ekonomist. Nuk është nga ato historitë e pronarëve të restoranteve që nisin t’i vijnë rrotull kuzhinës qysh në vegjëli. Bëhet fjalë për Pal Dedën, i cili në vitin 2002 emigroi nga Peja në Zvicër, ndërsa punën e parë që kishte bërë ishte si nje Shankist për të marrë pas tre muajve portofolin e kamerierit.

Nisi kështu punën në gastronomi, një rrugëtim që dita ditës filloi t’ia rrëmbente zemrën. Pas 2 viteve ishte zotuar se shumë shpejt do të bënte një restorant të vetin në Cyrih, ëndërr e guximshme kjo që ishte bërë realitet pas 4 vitesh e gjysmë.

Emri i tij në gazetat zvicerane

Më vonë, Pali do ta gjente emrin e tij nëpër gazetat zvicerane. Restoranti i parë i menaxhuar nga ai ishte në Schlieren. Dhe Pali ishte me fat ngase në sallat e restorantit “Salmen” ishin promovuar atëbotë planet se si do të duket Schliereni në të ardhmen. “Aty u mblodhën shumë njerëz nga të gjitha komunat për të parë planin se si do të duket Schliereni në vitin 2020. Më erdhi radha edhe mua. Më thanë se duhet të prezantohem para 500-600 personave se kush e menaxhon restorantin në zemër të Schleirenit. Edhe pse nuk e njihja mirë gjuhën gjermane, arrita të prezantohesha se jam nga Kosova”, kujton Pali atë ngjarje për të cilën mediet zvicerane shkruan rreth një javë, se si një i ri shqiptar nga Kosova ka arritur të menaxhojë me sukses një restorant shumë të madh në zemër të Schlierenit.

Tashmë Pali ishte në pritje të realizimit të planeve urbanistike të Schlirenit për të zbuluar një vend ideal për restorantin e radhës.

Ndërkohë ka menaxhuar  me një restorant tjetër shumë të njohur me emrin “Casa Amici”, por gjithmonë duke ëndërruar se do të bëjë një të tillë që do ta mbajë emrin e tij.

Në atë kohë thotë se ai ishte i pari që sjell mishin e pjekur në gur të nxehtë në Schlieren (Fleisch vom heissen Stein).

“Da Paulo” ose restoranti i shqiptarit Pal Deda

Rruga  e tij e kulinarisë dhe e profesionit të menaxherit të restoranteve nuk ishte aspak e lehtë. Me gjithë problemet e shumta, ai kishte realizuar ëndrrën që të pavarësohet në një restorant. Restaurant “Da Paulo” në Schlieren nuk është restorant italian, por është restoranti i shqiptarit Pal Deda nga Peja.

Në restorantin e pozicionuar në një lagje krejtësisht të re të Schlierenit mund të hani pica e pasta ku si spezialitet jan pastat qe i prodhoin veht ne restaurant. Por mbi të gjitha në këtë restorant nuk mungon as mishi në gur, në pjesën tjetër “Steakhaus” që e kishte ndarë me mjeshtëri Pali. Nëse ulesh në këtë pjesë të restorantit, nga muret rreth e rrotull të shikojnë fotografi të yjeve të Hollywoodit.

“Nuk është e thënë se duhet të keni shkollë kuzhinieri apo kamerieri për të udhëhequr një restorant. Nuk e kam problem as kuzhinën e as punën në servis. Puna në restorant kërkon komunikim të përzemërt me mysafirët, nuk ka lodhje, as përtesë”, thotë 36 vjeçari, i cili e kishte dizajnuar me shije restorantin me emrin “Restaurant Da Paulo”.

Mysafirë prominentë

Në restorantin prej 560 metrash katrorë përgatisin dreka e darka 4 kuzhinierë ndërsa në servis janë angazhuar edhe 10 të tjerë.

Ai krenohet se tashmë është bërë adresë për mysafirë të kompanive të njohuar si: Porsche, Tesla, Mercedes, Citroen dhe shumë të tjerave që janë përrreth me byro, pastaj nga komuna, përfaqësues të partive politike të Kosovës dhe të Zvicrës. “Shumica e kanë të njohur se jam shqiptar, dhe krenohem për rrënjët e mia. Por tashmë ka ndryshuar koha, zviceranëve nuk u intereson prej nga jeni, po janë kureshtarë për mikpritjen dhe kualitetin e ushqimit”, tha Pal Deda, i cili ka bërë përpjekje 8 vite që restoranti të mbajë emrin e tij.

Ëndrra e radhës: Të ndjekë rrugën e Gastronomisë, të bëhet edhe më i njohur në tërë Zvicrën

Jo vetëm kaq, Pali thotë se do të ndjekë rrugën e Gastronomisë, të bëhet edhe më i njohur në gjithë Zvicrën. Ai arriti që nga një restorant të bëhej me më shum restorante. Me ambicien dhe vullnetin e fortë që ka dëshmuar deri tash, as kjo nuk është diçka e paimagjinueshme për Palin. Mbetet të shihet!

Porosia e Palit

Pali, si një person që ishte shumë i ri kur filloi të merret me restaurant, ka një porosi për të gjith të rinjtë: Në jetë vetëm duhet të dish se çka do dhe të kesh një synim se ku do të arrish. Rezultati, pa dyshim se do të vijë.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Foto: Agron Bajrami

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI