evente

Tiranë: Albchef hap një kapitull të ri për gastrodiplomacinë shqiptare

Tirana u kthye në një pikëtakim të rëndësishëm të gastronomisë dhe turizmit me organizimin e edicionit të parë të Albite Fest, një iniciativë e Albchef, që solli në qendër të vëmendjes potencialin e gastronomisë shqiptare si një instrument zhvillimi ekonomik dhe promovimi ndërkombëtar, duke mbledhur ekspertë vendas dhe të huaj, përfaqësues institucionesh dhe profesionistë të industrisë për të diskutuar mbi konceptin e gastrodiplomacisë dhe rolin e ushqimit si një gjuhë universale që ndërton ura mes kulturave, raporton albinfo.ch.

Albchef hap një kapitull të ri për gastrodiplomacinë shqiptare

“Shqiptarët e të gjitha trojeve tona, që jetojnë sot në Evropë dhe më gjerë, janë lider në sektorin e mikpritjes dhe ne kemi si objektiv një aleancë që, së bashku, ta bëjmë gastronominë shqiptare të njohur në botë”, u shpreh Ismail Ademi, një ndër organizatorët e eventit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes aktorëve të ndryshëm.

Në panelin e parë, i fokusuar në rolin e kulturës dhe eksperiencës në formësimin e turizmit modern, u theksua nevoja për të ndërtuar produkte turistike autentike që lidhen drejtpërdrejt me identitetin lokal , ndërsa Erik Wolf, themelues i World Food Travel Association, këshilloi që “duhet të mësoni nga gabimet e vendeve të tjera evropiane dhe të krijoni një model tuajin”, duke nënvizuar rëndësinë e një qasjeje origjinale shqiptare.

Në të njëjtën linjë, Zana Çela, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, theksoi se “Shqipëria ka bërë hapa të mëdha në fuqizimin e turizmit, sidomos me aplikacionin TEA”, duke vënë në dukje përpjekjet institucionale për modernizimin e sektorit, ndërsa Laura Saro, drejtoreshë e përgjithshme e AIDA-s, u shpreh se “promovimi i produkteve tipike jashtë kufijve është një nga sfidat ku po fokusohemi dhe aleanca me botën e gastronomisë është thelbësore”.

Paneli i dytë solli në vëmendje ushqimin si element identiteti dhe standardizimi, ku zv.ministrja e Jashtme Megi Fino nënvizoi rolin e diasporës duke deklaruar se “diaspora është një aset dhe ne jemi gjithnjë e më shumë duke fuqizuar marrëdhëniet me këtë segment të shoqërisë, sikundër ndodhi dhe në samitin e katërt të diasporës që u mbajt në muajin prill në Tiranë”, duke e lidhur kështu gastrodiplomacinë me politikat e jashtme dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Një moment i veçantë i ditës së parë ishte edhe darka e organizuar në Shkollën e Mesme të Turizmit dhe Hotelerisë në Tiranë, e cila bashkëpunon me shkollën EHL në Lozanë, ku studentët, të koordinuar nga shefat Sokol Prenga dhe Gentian Skëndaj, prezantuan një eksperiencë kulinare që ndërthurte traditën me interpretimet bashkëkohore, duke dëshmuar rëndësinë e edukimit dhe përgatitjes së brezit të ri për sektorin HORECA.

Dita e dytë e festivalit vijoi me diskutime mbi rolin e verës dhe produkteve lokale si pjesë e identitetit kulturor dhe si element kyç në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm , ndërsa në panelin për “zërat e rinj të kuzhinës” u bashkuan shumë shefa nga Shqipëria dhe diaspora për të diskutuar mbi balancën mes traditës dhe inovacionit; “normalisht që nuk kemi pretendimin që kjo tryezë të ezaurojë gjithë temën e diskutimit, ama jam i bindur se mund të jetë një fillim i mbarë i një rrugëtimi që do të vazhdojë gjatë”, u shpreh gazetari Enkel Demi gjatë hapjes së diskutimit, ndërsa shefi i njohur Sokol Prenga theksoi vazhdimësinë e këtij misioni duke deklaruar se “ne e kemi nisur që shumë vite më parë, me iniciativën ‘Shije Shqiptare’, këtë rrugëtim dhe tashmë me Albchef do të vazhdojmë në të njëjtin drejtim, duke çuar kulinarinë shqiptare në një nivel tjetër jashtë trojeve tona”.

Nga ana tjetër, mbështetja ndërkombëtare nuk mungoi, ku Gianluca de Cristofaro, përfaqësues i shoqatës italiane Ambasciatori del Gusto, u shpreh se “Italia dhe shoqata që ne përfaqësojmë do të jetë krah Albchef në këtë mision të promovimit të gastronomisë shqiptare në botë”, duke ofruar eksperiencën italiane si model bashkëpunimi.

Në këtë frymë, shefi shqiptar Bledar Koçibelli,i cili drejton restorantin Seegarten në Basel, nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kulinar duke theksuar se “tradita është shumë e rëndësishme në kulinari, të ruajmë recetat dhe përbërësit, por në të njëjtën kohë t’i lëmë hapësirë fantazisë së shefave që të shpalosin krijimtarinë e tyre”.

Albite Fest dëshmoi kështu se gastronomia shqiptare nuk është vetëm një trashëgimi kulturore, por një motor real zhvillimi që mund të ndikojë drejtpërdrejt në ekonomitë lokale, duke lidhur prodhuesit, sektorin e turizmit, institucionet dhe diasporën në një vizion të përbashkët, ndërsa edicioni i parë i këtij festivali shënon një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të gastrodiplomacisë shqiptare dhe pozicionimit të saj në arenën ndërkombëtare.