Literaturë

Panairi i librit “Diaspora 2022” në Uster, me risi dhe autorë të shumtë

Guximtar Alushi: "Në këtë panair do të kemi rreth 33 shkrimtarë dhe 4 shtëpi botuese që vinë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut". Platforma mediale albinfo.ch është partner medial në panairin e edicionit të sivjetëm të librit: "Diaspora 2022"

Panairi i Librit “Diaspora 2022” në Uster të Cyrihut, organizuar nga shoqata “Bashkimi” e këtij qyteti, pas mungesës dyvjeçare mbahet këtë të dielë, më 18 shtator. albinfo.ch ka biseduar me kryetarin e shoqatës, Guximtar Alushi, i cili flet për misionin e panairit në përgjithësi, risitë e këtij edicioni, në veçanti, të ftuarit, planet për të ardhmen etj. Platforma mediale albinfo.ch është partner medial në edicionin e sivjetëm të panairit të librit “Diaspora 2022”.

albinfo.ch: Pas dy vitesh, sërish po vjen panairi i librit “Diaspora 2022”, cilat janë risitë e këtij edicioni?

G. Alushi: Panairi Diaspora 2019 ishte fillimi i një epoke të re për Shoqatën “Bashkimi”. Tashmë kanë kaluar 3 vite përfshirë këtu edhe kohën e Pandemisë dhe ne jemi shumë të përgatitur.

Në këtë Panair do të jenë të pranishëm disa nga personalitetet më të njohur të kohës me tema dhe libra shumë interesante për publikun.

Kësaj radhe do të kemi të ftuara edhe disa nga shoqatat kulturore që veprojnë në Zvicër me qëllim që secila shoqatë kulturore të ketë mundësinë t`i prezantohet publikut me porogramin e vet dhe kështu do të krijohen ura bashkëpunimi edhe më të gjerë.

albinfo.ch: Cili është interesimi, sa botues dhe autorë kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në këtë edicion?

G. Alushi: Në këtë panair do të kemi rreth 33 shkrimtarë dhe 4 shtëpi botuese që vinë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Interesimi është edhe më i madh por u detyruam ta reduktojmë numrin e pjesëmarrësve shkaku i vendit, ndërtesa ku zhvillohet Panairi eshtë gati e stërmbushur.

Ka pasur interseim të madh nga shkrimtarët nga Kosova por për fat të keq nuk kanë qënë të pajisur me vizë, dhe e kanë pas të pamundur të vinë.

albinfo.ch: A kishte interesim të lartë për këtë panair sesa në vitin 2019?

G. Alushi: Përgatitjet për këtë edicion kanë qenë më të mira prandaj edhe interesimi është edhe më i madh kundrejt Panairit Diaspora 2019. Edhe vizitorët tashmë janë më të informuar rreth kësaj ngarje pasi edhe ne e kemi publikuar shumë herët Panairin Diaspora 2022, besoj që një pjesë të kontributit e keni edhe ju si medium që na e lehtësoni punën të paktën në reklamat mediale.

albinfo.ch: A mund të na zbuloni dicka nga programi i panairit, a do të kemi mysafirë, autor librash nga Kosova dhe Shqipëria, cilët do të jenë?

G. Alushi: Do të kemi personalitete nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Do të jetë Profesori i nderuar strugan që vjen nga Prishtina, Prof. Agim Vinca, do të jetë Agron Dalipaj nga Pogradeci, Aleksandër Hasanas nga Korça, Çun Lajçi nga Prishtina, Shoqata e Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës edhe shumë të tjerë.

albinfo.ch: Tanimë është hera e dytë qe po e organizoni një panair, sipas përvojës tuaj, të rinjët apo më të moshuarit janë më të interesuar për të blerë dhe lexuar në këtë panair?

G. Alushi: Si pas përvojës tonë, lexuesi është i interesuar, në panair vinë lexuesit të të gjitha moshave, kjo vihet re. Lexuesit po ashtu janë të lumtur që kur ata blejnë një libër mundësisht të flasin edhe me vetë autorin dhe kjo me të vërtetë që është gjë shumë e mirë. Librat për fëmijë janë me interes shumë të lartë, fëmijët të cilët e ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe zakonisht e kërkojnë ta kenë edhe një libër në gjihën shqipe.

albinfo.ch: Planifikoni që të jetë aktivitet tradicional, që do të organizohet çdo vit?

G. Alushi: Tashmë Panairi i Librit Diaspora që organizohet nga shoqata “Bashkimi” u bë tradicional, me dëshirë do ta kishim bërë çdo vit, por pasi organizimi kërkon shumë mund dhe angazhim gjithashtu edhe financim jemi të detyruar ta bëjmë çdo dy vjet, nëse i arrijmë qëllimet tona rreth panairit do të duhet të zhvendosemi nga lokaliteti aktual dhe të shkojmë në një ndërtesë më të madhe pasi që edhe kërkesat janë më të mëdha.

Shpresojmë shumë që të na bashkëngjiten afarist që veprojnë në Zvicër për të dhënë kontributin e tyre vetëm që ky panair që nuk është as politik dhe as fetar të mbijetojë ndër vite, kështu edhe gjeneratat pas nesh do të kenë me çfarë të mburren dhe do të jenë më të sukseshshëm.

Panairi “Diaspora 2022” realizohet vetëm me mjetet e shoqatës “Bashkimi” në Uster e cila falë anëtarësisë ende ka fuqinë ta përballojë realizimin e një eventi të tillë.

Institucionet tona në Zvicër janë gjithmonë të informuara rreth aktiviteteve tona, gjithashtu të tri ambasadat, ajo e Shqipërisë, e Kosovës dhe e Maqedonisë po ashtu edhe Kosullata në Zürich janë të ftuar të na vizitojnë.

Zvicër: Më 18 shtator mbahet panairi i librit “Diaspora 2022”

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI