Lajme

Panik edhe në Zvicër: Një rrjet farmacish shet 250.000 maska mbrojtëse për një ditë

Shumica e prodhuesve të maskave mbrojtëse janë nga Kina, kështu që duhet pritur një zbutje të gjendjes sa i përket koronavirusit atje që të ketë mjaft maska të tilla edhe për jashtë vendit!

Pas arritjes së koronavirusit në Italinë fqinje, edhe zviceranët kanë filluar ta ndiejnë frikën nga virusi i rrezikshëm. Se popullata e këtushme ka nisur të pushtohet nga paniku i epidemisë, më së miri e tregon shitja enorme e maskave mbrojtëse në barnatoret e këtushme.

Gazeta 20minuten ka bërë një hulumtim, duke pyetur në rrjetet online të farmacive në gjithë Zvicrën, nëse ka ende rezerva të maskave që mbrojnë nga koronavirusi. Në pothuaj të gjitha rastet kanë marrë përgjigje negative: nuk ka, janë shitur! Pothuajse asnjë barnatore nuk ka më në depo maska të tilla.

Në drogerinë online McDrogerie, të dielën pati një fluks të jashtëzakonshëm të atyre që kërkonin maska mbrojtëse, transmeton albinfo.ch. “Brenda 10 orëve kemi shitur mbi 50.000 maska të një lloji ndërsa gjatë gjuthë ditës janë porositur mbi 100.000 sosh, thotë shefi i drogerisë, Marent. Mesatarisht porositen nga 100 maska për mbrojtje të frymëmarrjes, dy paketime nga 50 copë.

McDrogier ka pasur në depo gjithsej 250.000 maska të këtij lloji dhe të gjitha deri në orët paradites së të hënës (sot) janë shitur të gjitha. “Nëse do të porosisim të tjera, mbetet çështje e hapur në situatën e tanishme”, thotë Marent, përcjell albinfo.ch. Ai do të bëjë sot edhe disa telefonata me prodhues të ndryshëm.

Farmaci të tjera thonë se ka njerëz që blejnë me shumicë. Ata kërkojnë të blejnë sa më shumë sosh që të jetë e mundur por ne nuk kemi lejuar të zbrazim depot tona”, ka thënë një farmacist në Shaffhausen, përcjell albinfo.ch.

Po ashtu, shitësit e maskave mbrojtëse thonë se, përkundër kërkesës së rritur, nuk do të lejojnë ngritje të çmimeve.

Një hollësi jo shumë ngushëlluese që japin farmacistët rreth furnizimit të ri është kjo: shumica e prodhuesve të maskave mbrojtëse janë nga Kina, kështu që duhet pritur një zbutje të gjendjes sa i përket koronavirusit atje që të ketë mjaft maska të tilla edhe për jashtë vendit!

Gjithashtu gazeta citon farmacistët të kenë thënë se shumë blerës të maskave mbrojtëse janë turistë, kryesisht nga Kina.