E-Diaspora

Parku kulturor “Ali Podrimja” po rikthen kinemanë e Gjakovës

Mban emrin e një prej shkrimtarëve më të shquar të Kosovës dhe është i pari i këtij lloji e ndodhet në zemër të Gjakovës. Parku kulturor “Ali Podrimja” pos aktiviteteve kulturore që ofron, me një pamje madhështore, veçse ia shton rëndësinë dhe bukurinë këtij qyteti.

E ideja për transformimin e kësaj hapësire nga një park i zakonshëm në një park kulturor, nisi në vitin 2016, si nevojë e të rinjve për një kinema publike dhe një hapësirë alternative kulturore.

Arbër Lleshi, një nga udhëheqësit dhe themeluesit e këtij parku, thotë se mungesa e gjatë e një kinemaje i shtyu drejt një nisme të tillë, ku nga një park pothuajse i papërdorshëm, hapësira u shndërrua në një kinema publike e një oazë e aktiviteteve kulturore.

“Qëllimi i projektit tonë është ta rikthejmë kinemanë në qytet. Fatkeqësisht kinemaja konstante në Gjakovë mungonte prej 26 viteve, pavarësisht publikut i cili ishte i uritur për kinematografi. Kjo ka qenë arsyeja e parë, po gjithashtu, kemi dashur ta krijojmë një arenë jo-formale ku mund t’i prezantojmë publikut dhe qytetit materialet e tjera në muzikë, në artet vizuale, poezi, apo çfarëdo disiplinë tjetër kulturore”, ka thënë Lleshi.

Jetësimin e kësaj ideje e mbështeti edhe komuna e Gjakovës, duke ua besuar të rinjve hapësirën, e një mbështetje financiare të domosdoshme për këtë park, ata e gjetën tek platforma Kosova Ideas. Përmes kësaj platforme, ata arritën të mbledhin fondet e kërkuara, me çka edhe blenë pajisje të ndryshme të cilat po vazhdojnë t’u shërbejnë edhe sot.

“Fushata në Kosova Ideas ka qenë një prej hapave vendimtarë edhe më së shumti ndihmues që Gjakova ta ketë parkun kulturor Ali Podrimja. Prej se e kemi filluar, kishim përkrahje të madhe nga qytetarët, të cilët ndonëse nuk kishin fuqi financiare të ndihmojnë me shuma të mëdha, na kanë ndihmuar me përhapjen e lajmit, me materialet që janë nevojitur. Lajmi ka qenë edhe në Albinfo.ch, lajm i cili e ka njoftuar edhe diasporën, sidomos në Zvicër. Diaspora zvicerane na ka ndihmuar shumë në plotësimin e nevojave tona financiare”, ka thënë Lleshi.

Ky park tashmë është bërë një ambient miqësor për të gjitha moshat e interesimi për pjesëmarrje por edhe për mirëmbajtje të parkut nga ana e qytetarëve, nuk po mungon.

Vetëm në vitin e parë, Arbëri tregon se u realizuan rreth 30 ngjarje në këtë park, prej tyre filma, dokumentarë e performanca muzikore. E tash, kur stafi ka zgjeruar bashkëpunimin dhe audiencën, parkut i janë shtuar edhe net poetike e aktivitete të tjera artistike, por edhe debate konstruktive, të cilat po zgjojnë interesin e të rinjve.

“Ideja jonë është që përmes filmit ta ngjallim debatin konstruktiv që do t’i ndihmonte qytetit, duke i motivuar të rinjtë që të angazhohen në punë vullnetare. Kështu që, këto debate kanë qenë një ndër pikat kryesore të aktiviteteve të këtij viti. Gjithashtu, këtë vit jemi afruar më shumë me idetë e komunitetit, me idetë e qytetarëve të Gjakovës, me aktivitetet që ata kanë dashur t’i implementojnë në park”,  thotë Lleshi.

Ky park, në kuadër të kinemasë po i jep hapësirë edhe kinematografisë kosovare, duke i dhënë mundësi publikut të përjetojë emocione të veçanta gjatë përcjelljes së filmave në qiell të hapur. Përgjatë kësaj kohe sa funksionon kjo kinema, stafi i parkut në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës kanë organizuar rreth dhjetë ngjarje në projektimin e filmave, aktivitete këto të cilat kanë mbledhur shumë shikues.

Kinemanë e hapur të këtij parku, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, e sheh si një hapësirë të duhur alternative për të rinjtë, që të merren me aktivitete kulturore.

“Kur iniciohen iniciativa kaq të mira të cilat e kanë synim interesin e përgjithshëm, interesin e publikut, ne atëherë me kënaqësi shumë të madhe asistojmë edhe përkrahim në çfarëdo forma që mundemi, në mënyrë që publiku, në këtë rast, publiku i Gjakovës të ketë mundësi t’i shohë prodhimet më të mira dhe më të reja kinematografike. Neve na gëzon shumë fakti që ka iniciativa të tilla, se kultura, kinematë e shfaqjet e filmave mungojnë në përgjithësi në Kosovë”, ka thënë Zharku.

Sipas Zharkut kinema të tilla duhet të krijohen më shumë, për shkak të mundësive të shumta që u ofrojnë qytetarëve.

Përveç aktiviteteve kulturore, ky park tashmë po bëhet hapësirë edhe për aktivitetet që synojnë vetëdijesimin e shoqërisë për çështje më  të ndjeshme. Së fundmi, Fondacioni Jahjaga organizoi panel diskutimi në Gjakovë për të mbijetuarit e dhunës seksuale.

Bardh Bakija nga ky fondacion thotë se kanë zgjedhur pikërisht një hapësirë publike në mënyrë që edhe tema të bëhet më shumë publike.

“Qëllimi jonë ka qenë që përmes aktivitetit  për ngritjen e vetëdijes ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, t’iu qasemi një audience të re të cilët kanë më pak informacione rreth kësaj çështjeje dhe qëllimi jonë ka qenë e vazhdon të mbetet që kjo çshtje të zgjerohet te gjeneratat e reja. Gjithashtu, kjo çështje ka qenë e izoluar për një kohë të gjatë përbrenda qarqeve të shoqërisë civile ose Brenda qarqeve të ndryshme të ngushta. Kështu që ka qenë një mënyrë e frytshme për neve për ta realizuar aktivitetin aty dhe ka shkuar shumë mirë”, thotë Bakija.

E pavarësisht transformimit të parkut, emri i mbeti i njëjtë, në nderim të shkrimtarit Ali Podrimja, që me veprat e tij mbeti i pavdekshëm jo vetëm në qytetin e Gjakovës por edhe mbarë trojeve shqiptare. Tashmë, në mënyrë tradicionale në këtë park përkujtohet ky shkrimtar në përvjetorin e vdekjes.

E aktivitete të larmishme në këtë park vazhdojnë të organizohen dita-ditës, duke iu ofruar një hapësirë alternative edukuese e kulturore qytetarëve të këtij vendi dhe jo vetëm.

Mbi të gjitha, ky park është një dëshmi se si vullneti i qytetarëve ka fuqinë t’i japë madhështi qytetit, duke krijuar vatra të kulturës për të mirën e përgjithshme.