Lajme

Parlamenti zviceran kërkon kontroll më të rreptë për të huajt që qëndrojnë në banesat Airbnb

Dhoma e Kantonëve miraton një mocion që synon mbikëqyrje më të madhe të vizitorëve të huaj që përdorin platformat e akomodimit afatshkurtër

Dhoma e Kantonëve në Zvicër ka miratuar një mocion që kërkon forcimin e kontrollit ndaj shtetasve të huaj që qëndrojnë në banesa të marra me qira përmes platformave si Airbnb, përcjell albinfo.ch.

Mocioni u paraqit nga deputeti Mauro Poggia, i cili argumentoi se autoritetet duhet të kenë një pasqyrë më të qartë mbi vizitorët e huaj që përdorin këto forma akomodimi.

Sipas tij, disa persona të përfshirë në veprimtari kriminale mund të shfrytëzojnë platformat e qirasë afatshkurtër për t’u strehuar në Zvicër, duke e bërë monitorimin më të mirë të tyre një çështje të sigurisë kombëtare.

Mocioni u miratua të martën me 20 vota pro dhe 13 kundër, duke hapur rrugën për shqyrtimin e masave që do të mundësonin identifikimin dhe mbikëqyrjen më efektive të vizitorëve të huaj që rezervojnë akomodime përmes platformave online.

Propozimi vjen në një kohë kur autoritetet zvicerane po diskutojnë mënyra të reja për të balancuar zhvillimin e ekonomisë së ndarjes me kërkesat për siguri dhe transparencë më të madhe në sektorin e turizmit. /Albinfo.ch