Bota

Pauline Hanson shokon senatin australian duke vënë burka

Këtë gjë ajo e ka bërë për ta kundërshtuar këtë veshje të grave myslimane dhe i ka bërë thirrje ekzekutivit ta ndalojë veshjen e burka-s, që mbulon të gjithë fytyrën

Senati australian ka përjetuar një gjë të rrallë, pasi aty, e veshur me burka është futur kryetarja e partisë së djathtë “One Nation”, Pauline Hanson që ka shokuar të gjithë. Këtë gjë ajo e ka bërë për ta kundërshtuar këtë veshje të grave myslimane dhe i ka bërë thirrje ekzekutivit ta ndalojë veshjen e burka-s, që mbulon të gjithë fytyrën.

‘Jam shumë e lumtur që ta heq këtë (mbulesën), sepse, e veshur me të, nuk duhet t`i përkas këtij Parlamenti”, ka thënë ajo, raporton BBC, transmeton albinfo.ch. Veprimi i saj ka shkaktuar reagime tek kabineti qeveritar. Kështu, ministri Brandis dënoi veprimin e saj duke e këshilluar dhe paralajmëruar atë që të mos ndërmarrë veprime kundër grupeve fetare.

“Të tallësh këtë komunitet, ta dërgosh atë në qoshe, të tallesh me veshjet e tyre fetare është një gjë e tmerrshme për tu bërë”-tha në reagimin e tij George Brandis.