Kosova

Pavarësisht paqartësive, Kosova synon statusin e vendit kandidat

Bazuar në deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vitit 2018, Kosova do të kërkojë të ketë statusin e vendit kandidat

Pavarësisht se Kosova ka mbetur e fundit në procesin e integrimit për në Bashkimin Evropian, synimi i lidershipit në Prishtinë është që sa më parë ta marr statusin e vendit kandidat. Por, sipas analistëve politikë dhe atyre që merren me integrim, Kosova do të vazhdoj rrugën e paqartësisë, derisa nuk arrin një marrëveshje  me Serbinë.

Labinot Greiçevci, studiues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare tha për REL se paqartësia e Kosovës në aspektin e integrimeve evropiane do të vazhdojë ta ndjekë Kosovën edhe për një kohë, derisa nuk do të ketë një marrëveshje finale me Serbinë.

“Kosova është mbrapa, nëse bëjmë një krahasim me vendet e tjera të Ballkani Perëndimor dhe kjo ndërlidhet me faktin se Kosovën nuk e kanë njohur pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian dhe për pasojë, mbase mund të aplikojë për status të kandidatit, por nuk do të ketë perspektivë të qartë evropiane sikurse vendet e tjerat të Ballkanit Perëndimor”, tha Greiçevci.

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka thënë se “BE-ja është gjithnjë e më e gatshme për të marrë në konsiderim anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bllok”. Sipas tij, anëtarësimi i tyre në BE do të siguronte paqe në rajon, ndërsa do të pasuronte edhe vetë BE-në.

Por, Greiçevci thotë se deklaratat e komisionarit Hahn, nuk kanë të bëjë me Kosovën.

“Nëse e shohin këtë deklaratën e fundit të komisionarit Johannes Hahn, që thotë se perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrime në BE është me e qartë tash sesa para një viti, nga ky aspekt do të mund të themi se kjo perspektivë është me e qartë ose do të mund të bëhet edhe më e qartë edhe me strategjinë e Komisionit Evropian, që publikohet në shkurt të vitit të ardhshëm, dhe vetëm për katër vende të Ballkanit Perëndimor, e këtu e kam parasysh, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Por, jo aq shumë edhe për Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën edhe për një kohë të caktuar”, tha Greiqevci.

Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova dhe Bosnja po kërkojnë të njëjtin status.

Bazuar në deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vitit 2018, Kosova do të kërkojë të ketë statusin e vendit kandidat.

Naim Rashiti, drejtor i Grupi Ballkanik për Politika, konsideron se Bashkimi Evropian është duke e përgatitur strategjinë e zgjerimit, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë do t’i hapë rrugën e anëtarësimit Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe do t’i rekomandojë fillimin e negociatave Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Rashiti tha se ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me Bosnjën dhe Kosovën, e në veçanti me Kosovën në këtë rast, përkatësisht, a do t’i hapet perspektiva e aplikimit për statusin e kandidatit.

“Tani për tani nga diskutimet që i dimë në Bruksel nuk është paraqitur ndonjë formulim për Kosovën, por nëse do të ndodhte kjo do të ishte hapi serioz dhe oferta serioze e BE-se ndaj gjithë rajonit, dhe në këtë rast ndaj Kosovës për statusin e kandidatit”, tha Rashiti.

Ai mendon se Bashkimi Evropian, pas një ‘përgjumje’ pothuajse 10-vjeçare, ka revitalizuar politikat e zgjerimit dhe, siç tha ai, Presidenti i Komisionit ka bërë të ditur se zgjerimi do të jetë një prej 10 pikave-prioriteteve të BE-së.

“Në kuadër të këtyre 10 prioriteteve, zgjerimi i Ballkanit, ekskluzivisht i vendeve të Ballkanit Perëndimor, është vënë në agjendë dhe ka një përkrahje të gjerë. Ajo çka ballafaqohen kryesisht janë telashet me Kosovën dhe Bosnjën, ndërsa ka një konsensus shumë të gjerë për të katër vendet që duhet të fillojnë apo të avancojnë shpejt, kurse dy të tjera të fillojnë negociata për anëtarësim”, tha Rashiti.

Ai thekson se Kosova dhe Serbia në rrugëtimin e tyre për anëtarësim në BE, e kanë përmbylljen e çështjes së dialogut, normalizimin e marrëdhënieve me një marrëveshje.

“Pa një marrëveshje mes dy palëve, asnjëra nuk mund të avancojë drejt BE-së. Ajo që duhet të kuptohet është që Kosova e ka një momentum tani që të kapë çështjen e dialogut dhe ta avancojë dialogun, ta përmbyllë me fazën finale, çfarë edhe kërkon”, deklaroi ai.