Integrimi

Me aplikim anonim për punë, kundër diskriminimit të të huajve

Përparim Avdili, asamblisti shqiptar në Parlamentin e Qytetit të Cyrihut nga FDP dhe kolegia e tij nga GLP, Isabel Garcia duan që realitetin e shoqërisë së Cyrihut ta sjellin edhe në mesin e të punësuarve

Nëse do të jetësohej një projekt-pilot që po e udhëheqin krerët e lëvizjes “Seconda” (brezi i dytë i të huajve) të Cyrihut, aplikimi për vende të punës do të bëhej në mënyrë të anonimizuar.

Përparim Avdili, asamblisti shqiptar në Parlamentin e Qytetit të Cyrihut nga FDP dhe kolegia e tij nga GLP, Isabel Garcia duan që përmes këtij projekti, realitetin që tashmë e karakterizon shoqërinë e Cyrihut ta sjellin edhe në mesin e të punësuarve në qytet, shkruan tages anzeiger.

Ose, siç e thotë Garcia: “Mbiemrat klasikë zviceranë si Heeb, Fischer, Vogel etj., që i bartin shumë punonjës shteti në Cyrih, nuk shkojnë më me realitetin e qytetit, transmeton albinfo.ch. Ky realitet është dukshëm më i përafërt me atë të formacioneve të klubeve të futbollit si FCZ ose GC (që kanë shumë të huaj brenda tyre, v.j.).

Synimi: Emrat e të punësuarve, si ata në një klub futbolli

Për këtë arsye, Isabel Garcia dhe Përparim Avdili angazhohen që edhe emrat në institucionet e qytetit së shpejti të tingëllojnë si ata në një klub futbolli.

Ata të dy besojnë se aplikuesit me emra “të huaj” janë pjesërisht të diskriminuar në rastet e punësimit. “Nuk dua të akuzoj askënd për ligësi por disa paragjykime negative janë të rrënjosura thellë në ne”, thotë Avdili. “Gjinia dhe prejardhja ndikojnë shpesh në gjykimin që u bëjmë njerëzve edhe kur nuk jemi të vetëdijshëm për këtë”.

Avdili e njeh këtë problem nga përvoja personale. Kur ai po kërkonte një vend për të bërë praktikën atij i qe dashur të bënte më shumë përpjekje se sa një nxënësi njësoj të mirë por me emër zviceran. Tani ai punon në sektorin e financave dhe është vetë në pozitën që të vlerësojë aplikimet e të tjerëve, përcjell albinfo.ch. “Kështu, kam mundësinë që të vërej efektin e njëjtë por nga pozita e ndërmarrësit”.

 

Studimi tregon se kosovarët janë më të diskriminuarit

Një studim aktual i realizuar nga Universiteti i Neuchatel-it ka ardhur në përfundimin se njerëzit me emra (mbiemra) të huaj detyrohen të dërgojnë rreth 30 për qind më tepër aplikime derisa të ftohen në intervistë. Dhe, më së rëndi ky diskriminim, sipas studimit godet kosovarët.

Kjo është dhe arsyeja përse Avdili dhe Garcia promovojnë një projekt-pilot për një procedurë të anonimizuar të aplikimit. Ai do të vlente për vendet e praktikës ashtu si dhe për shumicën e punësimeve tjera në qytet. “Në raundin e parë të vlerësimit , emri, prejardhja, gjinia, mosha, pamja dhe gjendja civile duhet të jenë të paidentifikueshme”, thotë Garcia. Kështu, vetëm kualifikimi i aplikuesit do të ishte përcaktues nëse dikush do të ftohej në intervistë ose jo.

Anonimiteti do të hiqej më së voni gjatë intervistës për pranim. Mostrat e zhvlerësimit do të aktivizoheshin edhe atëherë, por rreziku për një gjë të tillë është më i vogël, thotë Avdili, përcjell albinfo.ch. “Në rastin e takimit personal tek shumë njerëz zhduken paragjykimet”.

Procedura anonime do të ndihmonte edhe qytetin si punëdhënës, thotë Avdili. “Ata që mashtrohen nga paragjykimet, humbasin ndoshta rastin që të marrin në punë më të mirët. Një gjë të tillë në fakt punëdhënësi nuk do të duhej t`ia lejonte vetes”.

Përpjekje të ngjashme, paralele

Në nivel kantoni, që nga vera e kaluar janë duke u bërë përpjekje të ngjashme. Në Parlamentin Kantonal partitë si SP, GP dhe GLP po kërkojnë përmes një mocioni, që në hyrje të çdo aplikimi për punë, të fshihen të dhënat personale të aplikantëve.

Në fund të nëntorit për këtë qe deklaruar Qeveria e Kantonit. Përgjigjja e saj ishte: Fatkeqësisht, jo. Sipas tyre është mjaft shumë duke u ndërmarrë për të siguruar punësime “josdikriminuese”. Ndërsa jetësimi i mocionit në fjalë do të shkaktonte “shpenzime të konsiderueshme”.

Por kjo nuk e bind bashkautoren e mocionit, Melissa Näff nga GLP. “Qeveria si duket nuk e ka kuptuar se bërja e përjashtimeve të tilla është nënçmuese”. Tani ekzistojnë metoda të dëshmuara për të zbatuar anonimizimin, pa qenë nevoja për përpjekje të tepërta dhe pa nxirje të mëvonshme, thotë Näf, transmeton albinfo.ch. Sektori privat mund të përfitojë nga përvoja në administratë.

Një projekt pilot po zhvillohet në departamentin kantonal të drejtësisë, të drejtuar nga Jacqueline Fehr (PS). “Në mënyrë që të parandalojmë paragjykimet nga vendimet për punësim të personelit, ne duhet të mashtrojmë trurin tonë”, thotë nëpunësja e ngarkuar, Astrid Rossegger.

Që nga viti 2018, departamenti i administrimit të burgjeve dhe i ri-integrimit ka vlerësuar aplikimet sipas metodës “së verbër”. Kështu, fotoja dhe informacioni mbi statusin martesor nuk përfshihen fare në CV. Të gjitha palët e interesuara duhet të marrin një test të performancës dhe personalitetit në internet. Pastaj, vetëm rezultatet vendosin se kush shkon një hap më tej. Sipas Rossegger, për një procedurë të drejtë është gjithashtu e rëndësishme, objektive, që kompetencat e kërkuara të përcaktohen saktësisht para shpalljes.

Vlerësimi shkencor i eksperimentit është ende në realizim e sipër, thotë Astrid Rossegger. Por përvojat e deritanishme janë pozitive, përcjell albinfo.ch. “Metoda e verbër“ do të thotë se kemi më shumë kandidatë të befasishëm”.

Një iniciativë e tillë kishte dështuar 15 vjet më parë

Qysh në vitin 2006, PS kishte paraqitur një iniciativë anonimizimi në Këshillin Kantonal. Iniciativa pati dështuar për shkak të rezistencës nga partitë e djathta. Ato kishin frikë nga “zgjidhjet e kuotave” dhe “shkeljet e lirisë kontraktuale”.

Këtë herë duhet të sigurohet një shumicë. “Ne po shqyrtojmë koalicionet”, thotë Melissa Näf. Nëse është e mundur, ajo nuk dëshiron ta zbresë nivelin e veprimit nga mocioni në postulat, siç sugjeron këshilli qeveritar.

Por përfaqësuesit e iniciativës në nivelin e qytetit të Cyrihut nuk kanë pse të shqetësohen për arritjen e shumicës. Në Asamblenë e qytetit, partitë e krahut të majtë, që mbështesin masën, së bashku me dy parti të djathta: GLP dhe FDP, kontrollojnë mbi katër të pestat e të gjitha vendeve.

Kështu, vendimi për më shumë “realitet futbolli” në qytet, do të merret në mënyrë të qartë.