Kultura

Përvjetori i Holokaustit shënohet me nderimin e Besës Shqiptare

Shumë personalitete, në mesin e tyre edhe 20 ambasadorë, kanë marrë pjesë në aktivitetin kushtuar 70 vjetorit të çlirimit të kampit Auschwitz

 

Shpëtimi i hebrenjve nga ana e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë lajtmotiv i aktivitetit të mbajtur të martën në Lucern kushtuar përvjetorit të 70-të të çlirimit të hebrenjve nga kampi nazist Auschwitz-Birkenau. Personalitete të rëndësishme nga jeta politike, në mesin e të cilëve rreth 20 ambasadorë të akredituar në Zvicër, kanë marrë pjesë në atë që mund të quhet aktiviteti qendror në Zvicër kushtuar përvjetorit të përmendur. Mysafirë nderi dhe oratorë në këtë mbrëmje kanë qenë veç të tjerëve, Elisabeth Kopp, gruaja e parë që kishte arritur të bëhej ministre Qeverinë federale të Zvicrës (vitet 1984-1988) dhe Norman Gershmann, autor i fotografive të ekspozitës “Besa, një kod nderi”. Projekti i kësaj ekspozite shëtitëse ka qenë edhe korniza brenda të cilës është mbajtur mbrëmja përkujtimore. Folës të tjerë në këtë manifestim ishin edhe ambasadorja e SHBA-së në Zvicër, Suzane LeVine, ambasadori i BE-së , RichardcJone etj. Rabini Chaim Drucman ka mbajtur lutjen fetare në nderim te viktimave të Holokaustit. Në  mesin e personaliteteve të ftuar dhe të pranishëm në këtë mbrëmje kanë qenë edhe ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni dhe ai i Kosovës, Naim Malaj.

Kopp: Duke shpëtuar hebrenjtë, shqiptarët kanë shpëtuar guximin që në Evropë po zhdukej

Në një fjalë shumë përmbajtjesore, Elisabeth Kopp ka sjellë në kujtesën e të pranishmëve kohën e holokaustit dhe sfidat para të cilave kjo kohë i ka vendosur njerëzit e asaj kohe. Shumica kanë vepruar sipas inercisë. Pa pasur guximin që t`i kundërvihen diktatit, ata janë bërë pjesë e aparatit ë dhunës ndaj hebrenjve. Por, ka qenë një përjashtim, ka theksuar Kopp. Shqiptarët, një popull i tërë, të gjitha shtresat e tij dhe të tri religjionet që e përbëjnë, kanë treguar guximin për të bërë të kundërtën e asaj që e bënte shumica në Evropën e asaj kohe. Shqipërinë e kohës së Luftës ë Dytë Botërore, ka thënë Kopp, duhet ta marrim i shembull që duhet ndjekur për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Ajo ka tërhequr vërejtjen se indiferenca dhe egoizmi, që ka kapluar shoqëritë e pasura dhe me mirëqenie, rrezikon të shuajë vlerat e përbashkësisë dhe të solidarësisë njerëzore. “Tërheqja nga ekspozimi, mos marrja e rrezikut mbi vete dhe egoizmi në fakt janë dobësitë që e kanë shkaktuar edhe holokaustin dhe shkaktojnë çdo të keqe në botë”, ka tërhequr vërejtjen ish qeveritarja e Zvicrës duke kërkuar nga bashkatdhetarët e saj dhe perëndimi më tepër guxim dhe marrje të përgjegjësisë.

Besa dhe mikpritja, vlera që janë sprovuar në kushte ekstreme

Emocionuese dhe e thellë ka qenë edhe fjala e autorit të fotografive të ekspozitës “Besa”, Normann Gershmann, i ardhur për këtë qëllim enkas nga SHBA. Ai ka treguar rrugën e realizimit të kësaj ekspozite, nga viti 2003 deri në vitin 2008. Gjatë kësaj kohe Gershman ka zbuluar një realitet të ri, për të cilin nuk kishte dëgjuar më parë, realitetin e Besës shqiptare. Ky institucion i të drejtës tradicionale shqiptare mysafirin e vendos në piedestalin më të lartë. Ai merret në mbrojtje të zotit të shtëpisë deri në vetësakrifikimin e këtij të fundit. “Nuk njihet asnjë rast që shqiptarët të kenë marrë te holla për mbrojtjen e hebrenjve” ka thënë ai. Si kulminacion të kodit të Besës dhe mikpritjes Gerschmann ka përmendur edhe strehimin e italianëve në Shqipëri, në vitet e luftës. Edhe pse ish ushtarë të pushtuesit, pas kapitullimit të Italisë fashiste, në vitin 1943, shqiptarët i kanë  mbajtur me bukë dhe i kanë mbrojtur italianët nga nazistët. Gershman ka nënvizuar më tutje se për shqiptarët, hebrenjtë nuk ishin refugjatë por miq, mysafirë dhe si të tillë duhej mbrojtur me çdo kusht”.

Lidhja e përvjetorit të holokaustit me Besën shqiptare, nder që u bëhet shqiptarëve

Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër Ilir Gjoni, duke folur për albinfo.ch ka shprehur kënaqësinë e madhe me orientimin që i është dhënë këtij manifestimi. “Mbrëmja ishte kurorëzim i të gjithë aktivitetit të ekspozitave, të filluar vitin e kaluar, fillimisht në Bazel dhe i cili është bartur në shumë qytete të Zvicrës. Elementi që sonte bënte diferencën ishte sepse lidhej me 27 janarin, ditën kur shënohej 70 vjetori i çlirimit të kampit Aushwitz që është ditë simbolike për përfundimin e holokaustit. Ndërthurja e një dite ndërkombëtare me elementin shqiptar, e bëri këtë mbrëmje diçka madhështore dhe të veçantë. Ne si shqiptarë jemi mirënjohës për aktivitetin që po e zhvillojnë organizatorët e kësaj serie ekspozitash. Prandaj duhet t`i bëjmë jehonë një veprimtarie të tillë dhe të afirmojmë edhe vetë një vlere kaq të rrallë që e kemi, si Besën dhe mikpritjen. Ajo është në adn-në e shqiptarëve dhe nuk i drejtohet vetëm një grupi apo kombi, siç ishin në këtë rast hebrenjtë, përfundoi Ilir Gjoni. Ndërsa për ambasadorin e Kosovës në Zvicër, Naim Malajn kjo mbrëmje kishte një mesazh të qartë. “Mbrëmja e përcolli mesazhin e qartë afirmues për Besën Shqiptare. Sigurisht ishte kënaqësi e madhe për ne që u dëgjuan kaq shumë fjalë miradije për institucionin e besës shqiptare, për këtë kod tonin moral, nga personalitete të larta. Të kemi parasysh se këtu ishin ambasadorët nga rreth 20 shtete… Këto elemente e bëjnë kulmore këtë mbrëmje në serinë e ekspozitave “Besa…” . Sinqerisht, të përkujtohet përvjetori i Holokaustit përmes Besës shqiptare është një nder i madh që na bëhet. Fjalët për shqiptarët që u thanë këtu nga të gjithë dhe sidomos nga “babai” i Besës, Norman Gershman, na bëjnë të ndjehemi krenarë për këtë kod moral që kemi”.

Gershman: Ajo çfarë kanë bërë shqiptarët, është unike në gjithë historinë

Edhe pse 82 vjeçar dhe me shëndet të rrënuar, Norman Gershman-it i kthehet gjallëria kur flet për shqiptarët. “Them se ajo që kanë bërë shqiptarët për hebrenjtë është një akt unik, i pashembullt në histori. Dhe kjo më ka frymëzuar të bëj këtë seri fotografish për shpëtimtarët dhe bijtë e tyre”, thotë Gershman për albinfo.ch. I pyetur se prej kur dinte për historinë e shqiptarëve strehues të hebrenjve ai pranon se kjo njohje e tij ishte e një kohe të vonshme, gjegjësisht e para 12-13 viteve. “Kur kam dëgjuar për këtë histori nga udhëheqësit e Yad Vashem unë jam mrekulluar dhe kjo më ka inspiruar të bëj fotografitë që po i shihni në ekspozitë”, thotë Gerschmann. “Në  Shqipëri, kam qenë shumë herë nga viti 2003 e këndej dhe jam dashuruar në njerëzit e këtij vendi. Herën e fundit Shqipërinë e kam vizituar  para dy vitesh”, thotë fotografi që e ka përjetësuar në fotografi e në film aktin e pashembullt të shqiptarëve në shërbim të humanitetit.