Portrete të firmave

Përvoja globale e një eksperti shqiptar të tregjeve

Kristian Kabashi është shqiptari i parë në Zvicër që është zgjedhur në mesin e “Leading marketers” në librin “Jahrbuch des Marketing” që del çdo vit dhe është në treg prej më shumë se 30 vitesh

I lindur dhe i shkolluar në Gjermani, pastaj i shpërngulur në Zvicër. Pasi ka bërë hapin e tij të madh të karrierës në Amerikë, Kristian Kabashi, ekspert për hulumtimin e tregjeve, është kthyer sërish në Zvicër. Ai është shqiptari i parë në këtë vend që është zgjedhur në mesin e “Leading marketers” në librin “Jahrbuch des Marketing” që del çdo vit dhe është në treg prej më shumë se 30 vitesh.

“Është një udhëtim i gjatë që e kam kaluar gjatë rreth 11 viteve të fundit dhe ky udhëtim në fund më ka sjellë në Cyrih, në Zvicër. Përgjatë këtyre viteve kam  jetuar dhe punuar më shumë se një vit në Tiranë. Atje kam mësuar ta flas mirë shqipen, kështu që tash i zotëroj madje të dy dialektet, të Kosovës dhe atë të Shqipërisë”, evokon Kristiani rrugën e tij të deritashme jetësore, në bisedë për albinfo.ch.

“Vitet e fundit në Nju Jork ishin të karakterizuara nga puna intensive. Nju Jorku për mua është dhe mbetet qyteti më interesant i botës, por familja ime jeton në Zvicër. Pak kohë më parë edhe prindërit e mi u shpërngulën nga Gjermania në Zvicër, për të jetuar në afërsi me fëmijët”. Kështu e shpjegon ai vendimin për t`u kthyer në Evropë gjegjësisht në Zvicër.

Ndërsa për përvojat nga vendet ku ka jetuar dhe punuar ai thotë se “ndoshta kohën më të bukur e kam kaluar në Tiranë. Atje për herë të parë kam mësuar me të vërtetë se çfarë do të thotë të kesh një rreth miqësor dhe që në mbrëmje të takosh njerëz interesantë. Këto miqësi vazhdojnë të ekzistojnë”.

Zvicra, problemet me mbiemrin shqiptar dhe me gjermanishten letrare

Por cila është “pjesa gjermane” dhe cila ajo zvicerane te Kristiani? “Jam rritur në Gjermani, ku kam kaluar fëmijërinë dhe kam mbaruar shkollën dhe studimet. Për mua nuk ka qenë kurrë problem që të prezantohem si shqiptar, për ndryshim nga ajo se si e shoh që është në Zvicër. Por më duhet të pranoj se kultura gjermane është bërë një pjesë e konsiderueshme e kulturës time. Në Zvicër kam jetuar edhe më parë, para disa viteve. Ende e kujtoj se si pothuaj isha armiqësuar për gjermanishten time letrare dhe për mbiemrin shqiptar. Kjo kohë, kryesisht i takon të kaluarës dhe unë ndjehem vërtet mirë në Zvicër”. Ai thotë të ketë marrë më të mirat nga vendet ku ka jetuar. Dhe ato, sipas duken kështu: “Nga Gjermania kam marrë dashurinë për detajet, nga Shqipëria kam mësuar se çfarë do të thotë miqësia, profesionalizmin dhe zellin e kam mësuar në Nju Jork ndërsa fokusimin dhe caktimin e prioriteteve, në Zvicër”.

Kabashi punon si pjesë e stafit menaxhues të institutit “LINK”, gjegjësisht në “Link.one”. “Ajo është vetëm një njësi e institutiit me renome LINK. LINK është prej më shumë se 3 dekadash instituti lider zviceran në sferën e hulumtimit të tregjeve”, sqaron Kristiani. “Para afër një viti mu ofrua mundësia që të bëhem pjesë e stafit menaxhues dhe ta zgjeroj fushën digjitale si dhe ta ngre atë më tutje, në New Business. Me këtë rast pata mundësi të shfrytëzoj përvojën time të viteve të fundit, për të transformuar njërën nga fushat më interesante e cila bën bashkë ekonominë dhe hulumtimin / hulumtimi i tregut. Ne, tashmë prej një viti, me ndihmën e bashkëpunëtorëve tanë, jemi duke punuar për të përmbushur këtë detyrë”.

Përvojat nga “qyteti që nuk fle”

Të gjithë ata që kanë jetuar në SHBA flasin me admirim për Amerikën, veçanërisht për Nju Jorkun. Kështu edhe Kristiani. “Amerikën dhe para së gjithash Nju Jorkun, e njoh që nga mosha e fëmijërisë pasi që një pjesë e madhe e familjes time të gjerë jetonin në SHBA. Atje secili banor është, ose thënë më mirë, ishte, amerikan”. Sa i përket Nju Jorkut, thotë Kabashi, “ai është vërtet një qytet `që nuk fle` kurrë por edhe orët e punës e pasqyrojnë këtë fakt. Megjithatë, edhe vetë puna e shumtë, marrë në thelb, ishte një pjesë e bukur e jetës atje. Para pothuaj 4 vitesh unë kisha në Nju Jork postin e “Head of Operations” për agjencinë B2B e marketingut gyro, e cila 6 viteve të fundit është zgjedhur si agjencia B2B më e mirë në botë. Detyra ime ishte t`i definoja proceset dhe, sipas rastit, t`i përmirësoja ato. Fokusi im ishte gjithë kohën në fushën digjitale dhe unë isha përgjegjës për zyrat tona në Amerikën Veriore. “Gyro” ka në gjithë botën 14 zyra. Pas afër dy vitesh, gyro u ble nga rrjeti lider botëror i agjenturave, “DentsuAegis”. “Dentsu” ka selinë në Tokio dhe punëson mbi 44.000 veta në gjithë botën. Posti im i ri në kuadër të kompanisë tashti ishte “Head of Operations and innovation” dhe unë isha përgjegjës për integrimin global të gyro brendapërbrenda rrjetit të “DentsuAegis”.

“4 vite Nju Jork janë sikur 15 vite Evropë”

Unë mund të them abosutisht se ajo që kam mësuar atje gjatë këtyre viteve intensive, do të më ndihmojë për pjesën e mbetur të jetës, dhe jo vetëm në punë por edhe nga ana personale”, përfundon bashkëbiseduesi ynë rrëfimin për periudhën amerikane të karrierës së tij. Por ajo që e bëri të braktiste Amerikën duket të ketë qenë largësia nga familja. “4 vite Nju Jork janë sikur 15 vite Evropë. Sado bukur të kesh kaluar në Nju Jork, do ta paguash çmimin. Koha atje shpesh ikën fluturimthi, tërë kohën je duke bërë diçka, kurrë nuk ke qetësi të vërtetë. Ishte koha që të kthehesha sërish në jetë dhe të isha me familjen time. Zvicra është dhe mbetet për mua në radhë të parë vendi i vetëm ku mund të jetosh me të vërtetë me një cilësi të lartë jetese, me mundësi gjithnjë më të mëdha për t`u zhvilluar. Kjo nuk do të thotë se unë do të jetoj përgjithmonë në Zvicër, por gjatë viteve të ardhshme, me siguri. Veç kësaj, posti i ri këtu ishte thjesht tepër joshës për ta refuzuar. Siç e thashë, jeta në Zvicër është me të vërtetë jetë. Duke filluar nga trenat që nuk vonohen pothuajse kurrë, pastaj cilësia e ushqimit, mundësia që brenda më pak se dy orëve të udhëtosh në çdo vend në Evropë dhe që të kesh para derës natyrën ndër më të bukurat. Sigurisht që ka edhe shembuj negativë, para së gjithash sa i përket gjendjes së njerëzve me prejardhje të huaj. Por kur e mendoj si ka qenë dhjetë vite më parë, unë nuk e shikoj më këtë aspak si tragjike”.

Autor i një brendi, shou televiziv, magazina online…

Kristian Kabashi është tashmë autor i një brendi. “The Blank Collar” është një teori të cilën unë e kam zhvilluar para më pak se dy vitesh. Ajo në thelb është zhvillim i mëtejmë i “Blue Collar”, që përmes “White Collar” çon në “Blank Collar”. Për mua  “Blank Collar” është punëtori i së ardhmes ose thënë më mirë, i një të ardhme shumë të afërt. “Blank Collar” është  punëtori që është krijuar nga transformimi digjital dhe në mesin e të tillëve e konsideroj edhe veten.

Ne të gjithë e dimë nga prindërit tanë. Ata kanë punuar deri nga 20-30 vjet në të njejtin vend pune dhe kanë bërë punën e njëjtë. Po kjo deri para 10 viteve vlente edhe për punëtorët “White Collar”. Në vitet që vijnë, do të vdesin profesionet që nuk janë fleksibël. Kush nuk mëson në vazhdimësi, do të nxirret nga procesi. “The Blank Collar” është më shumë se teori. Ajo është po ashtu edhe një filozofi e cila tregon se si puna dhe jeta private shkrihen mes vete.

Pasi që për këtë u kam folur edhe të tjerëve dhe pasi kam shkruar disa artikuj rreth kësaj, nga kjo u krijua një si të thuash lëvizje imja. Pas interesit të rritur rreth “The Blank Collar” unë fillova ta krijoja një brend nga kjo, të cilit i takon edhe një shou televiziv, një magazinë online dhe takimet mujore me pjesëmarrës nga më të ndryshmit. Emisioni emetohet online dhe mund të shikohet edhe në televizionin zviceran. Mund të shihen edhe video rreth kësaj në youtube ose edhe në magazinën online www.theblankcollar.com, ku publikohen edhe artikuj të ndryshëm për çdo javë. Gjermania, SHBA, Zvicra dhe Shqipëria. Të gjitha këto shtete kanë shënuar karrierën e deritashme të tij. Po Kosova a bën pjesë në orbitën e Kristianit? “Unë vetë jam i lindur dhe jam rritur në afërsi të Dyseldorfit, në Gjermani. Prindërit e mi vijnë nga Jahoci (Gjakovë, babai) dhe nga Potërçi (Pejë, nëna). Deri sa kam mbushur 16 vjet unë s`kam pasur të bëj pothuaj asgjë me Kosovën, pasi që familjarët e mi i kam vizituar çdo verë në Nju Jork. Por duke u rritur në moshë, gjithnjë më tepër më tërhiqte Kosova/Shqipëria. Për këtë arsye kam qëndruar një vit e gjysmë në Tiranë. Me Kosovën më lidh viteve të fundit familja por gjithnjë më tepër edhe biznesi. Kështu, mua më takon për shembull platforma tilllate.al e cila ka treguar sukses në Shqipëri dhe në Kosovë dhe të cilën unë me disa bashkëpunëtorë e udhëheq atje prej afër gjashtë vitesh. Aty bëjnë pjesë aplikacionet dhe një website. Synimi im është që në vitet e ardhshme të kem më shumë pika kontakti me Kosovën dhe me Shqipërinë kështu që mund ta paramendoj fare mirë që pas disa vitesh të jetoj atje.

“Kohën më të bukur e kam kaluar në Tiranë”

Është ndoshta interesante të thuhet se kohën më të bukur unë në fakt e kam kaluar në Tiranë. Atje për herë të parë kam mësuar me të vërtetë se çfarë do të thotë të kesh një rreth miqësor dhe që në mbrëmje të takosh njerëz interesantë. Këto miqësi vazhdojnë të ekzistojnë

“Mund ta imagjinoj jetën në Kosovë”

Me Kosovën më lidh viteve të fundit familja por gjithnjë më tepër edhe biznesi. Kështu, mua më takon për shembull platforma tilllate.al e cila ka treguar sukses në Shqipëri dhe në Kosovë dhe të cilën unë me disa bashkëpunëtorë e udhëheq atje prej afër gjashtë vitesh. Aty bëjnë pjesë aplikacionet dhe një website. Synimi im është që në vitet e ardhshme të kem më shumë pika kontakti me Kosovën dhe me Shqipërinë kështu që mund ta paramendoj fare mirë që pas disa vitesh të jetoj atje.