Lajme

Bernë: Policia shpërndan kampin e protestuesve para Pallatit Federal

Disa ishin lidhur me zinxhirë për objekte. Ata u liruan nga prangat e tyre nga ekipi i zjarrfikësve me pajisje prerëse

Pushtimi i sheshit Bundesplatz nga aktivistët klimatikë ka përfunduar në mëngjesin e sotëm, pas 48 orësh. Policia e Bernës ka pastruar hapësirën përpara Pallatit Federal natën në mes të të martes dhe të mërkurës, raporton srf.ch.

Policët, me këtë rast kanë marrë një numër të panjohur të aktivistëve dhe kanë regjistruar të dhënat e tyre personale kështu që duhet të presin të merren në pyetje, transmeton albinfo.ch. Rreth tridhjetë veta ishin larguar më parë, vullnetarisht nga sheshi.

Shpërndarja ishte “e qetë dhe paqësore”, ka thënë një zëdhënës i policisë. Sipas informacionit të tij, nuk ka pasur asnjë të lënduar. As protestuesit nuk janë në dijeni se ka pasur të lënduar. Por ata kanë kritikuar vendimin e qeverisë së qytetit të Bernës për të shpërndarë kampin protestues.

“Protesta urgjentisht e nevojshme dhe e ligjshme u ndoq nga rruga sepse atyre që janë në pushtet nuk u pëlqente të dëgjonin mesazhin tonë,” është shprehur Frida Kohlmann nga “Collective Climate justice”.

Lëvizja klimatike i kishte kapur autoritetet në befasi të hënën në mbrëmje kur disa qindra aktivistë kishin ngritur një kamp proteste në Bundesplatz, pikërisht para Pallatit Federal, brenda një kohe të shkurtër.

Ata donin të bënin presion mbi politikanët për të bërë më shumë për klimën. Por deputetët federalë këmbëngulën në ndalimin e demonstratës, transmeton albinfo.ch. Një ndalim për raste të tilla ka qenë në fuqi që nga viti 1925 dhe ai zbatohet gjatë seancave përpara Pallatit Federal.

Qeveria e qytetit të Bernës u kishte ofruar aktivistëve në mënyrë të përsëritur vende të tjera për kampin e tyre, të cilat lëvizja klimatike i refuzoi. Të martën në mbrëmje, aktivistët injoruan ultimatumin e fundit të qytetit për tërheqjen vullnetare nga sheshi Bundesplatz. Autoritetet e qytetit më pas urdhëruan policinë për të shpërndarë protestën.

Të mërkurën, në orën 2 të mëngjesit policia arriti me një kontigjent të madh dhe rrethoi Bundesplatz-in. Pak më vonë pati një thirrje për më shumë se njëqind aktivistë të mbetur që të largoheshin vullnetarisht nga sheshi. Rreth tridhjetë sish, gra dhe burra të rinj, u bindën dhe u larguan.

Evakuimi nga policia filloi në orën 3:30 të mëngjesit. Aktivistët ofruan vetëm rezistencë pasive dhe lejuan policinë t’i mbartte me vete, përcjell albinfo.ch. Disa ishin lidhur me zinxhirë për objekte. Ata u liruan nga prangat e tyre nga ekipi i zjarrfikësve me pajisje prerëse. Atmosfera deri në fund mbeti kryesisht e qetë.