Kosova

Policia: Zgjedhjet në Kosovë kaluan të qeta dhe pa incidente serioze

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se procesi i votimit në kuadër të “Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës” ka kaluar në mënyrë të qetë, pa incidente serioze dhe me nivel të lartë sigurie në të gjithë vendin.

Sipas komunikatës zyrtare, aktivitetet policore janë realizuar në përputhje me planin operativ dhe masat e parapara për garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. Policia thekson se angazhimi i zyrtarëve dhe bashkëpunimi ndërinstitucional kanë mundësuar zhvillimin e zgjedhjeve në ambient stabil dhe të sigurt.

Për sigurimin e rendit gjatë ditës së zgjedhjeve, Policia e Kosovës ka angazhuar rreth 6,300 zyrtarë policorë, 720 automjete dhe rreth 320 patrulla reaguese, duke përfshirë njësi të rendit publik, hetues, zyrtarë të inteligjencës, kufirit, trafikut dhe njësitë speciale.

Në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, gjatë procesit zgjedhor janë iniciuar 17 raste penale që lidhen me zgjedhjet, për veprat penale si cenimi i fshehtësisë së votimit, asgjësimi i dokumenteve zgjedhore, keqpërdorimi i të drejtës së votimit dhe ryshfeti në lidhje me votimin. Si rezultat, 5 persona të dyshuar janë ndaluar.

Policia ka bërë të ditur gjithashtu se ka trajtuar 53 informata të ndryshme, të cilat pas verifikimit nuk kanë rezultuar me elemente për procedim të mëtejmë penal.

Në komunikatë theksohet se procesi zgjedhor është karakterizuar nga qetësia, rendi dhe stabiliteti, ndërsa Policia e Kosovës ka vlerësuar se të gjitha detyrat janë përmbushur me profesionalizëm dhe paanshmëri.

Në fund, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe për sjelljen e tyre gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se kjo ka kontribuar në zhvillimin e një procesi demokratik të qetë dhe të rregullt.