Kosova

Politikani nga Gjeneva krahason sulmin në Ukrainë me sulmet e NATO-s në Kosovë, nxit reagime

Zhvillimet në Ukrainë dhe krahasimet e kësaj situate me Kosovën kanë nxitur debat në Zvicër.

Gjithçka nisi pas një debati në një televizion të njohur në Zvicër, ku politikani nga Gjeneva, Guy Mettan, duke mbrojtur Putinin dhe sulmin rus në Ukrainë, e barazoi atë me sulmet e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, shkruan Albinfo.ch.

Ky konstatim nxiti reagime në Zvicër. Ueli Leuenberger, themelues i Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë dhe ish-Këshilltar Kombëtar, thotë se deklaratat e Mettan ngjajnë me ato të kolonës së pestë të Putinit dhe ultranacionalistëve rusë e serbë.

Ueli Leuenberger

“Zoti Guy Mettan, në verbërinë e tij, fatkeqësisht për një kohë të gjatë ka mbrojtur pozicionet që ushqehen nga qarqet ultra-nacionaliste serbe dhe ruse. Komentet që ai bën këto ditë për Kosovën janë komente që ai i bën prej kohësh dhe tashmë në vitin 1999 kam folur publikisht kundër komenteve të tij të papranueshme që shtrembërojnë faktet dhe të cilat janë plot me të pavërteta. Aktualisht deklaratat e zotit Mettant ngjajnë me ato të kolonës së pestë të Putinit dhe ultranacionalistëve rusë e serbë. Përfitoj nga rasti për të nisur një thirrje urgjente për të gjithë miqtë e mi shqiptarë: mbështesin ukrainasit që duan të jetojnë në pavarësi dhe liri. Ata që e përkrahën Kosovën për pavarësinë e tyre presin që shqiptarët dhe shqiptaret kudo në botë ta shprehin qartë mbështetjen e tyre dhe të marrin pjesë në demonstratat që organizohen nga të gjithë”, tha Leuenberger, transmeton Albinfo.ch.

Nga ana tjetër, edhe nëndega e LDK-së në Zvicër përmes një reagimi thekson se Mettan pa asnjë argument thotë të pavërteta lidhur me Kosovën dhe masakrat që ka kryer Serbia në Kosovë.

“Të dashur bashkëkombas, njerëz pa dinjitet moral e njerëzor ka në çdo popull, Zvicra nuk është si ky lloj i këtij tipi me urrejtje ndaj popujve tjerë e në përkrahje të sllavëve. Qofsh i mallkuar, z. Mettan, nga dhimbjet e familjeve të Reçakut dhe 400 masakrave të tjera në mbarë Kosovën martire”, ka shkruar në emër të nëndegës së LDK-së kryetari Ismet Mjaki.

VIDEO:

https://www.lemanbleu.ch/fr/Actualite/International/2022022491310-Micheline-Calmy-Rey-Vladimir-Poutine-avait-toutes-les-options-en-main.html