Kosova

Pozimi i kryeparlamentarit austriak me Elvana Shalën ngjall zemërimin serb

Presidenti i Parlamentit, Walter Rosenkranz pozon në parlament me aktivisten kosovare Elvana Shala e cila mban një beretë me simbolin e UÇK-së

Presidenti i Këshillit Kombëtar Walter Rosenkranz (FPÖ) pozon në parlament me aktivisten kosovare Elvana Shala. Ajo mban një beretë me simbolin e UÇK-së, dhe po shkakton zemërim midis organizatës ombrellë të serbëve në Austri, shkruan media austriake, Profil.

Pasi bën një përshkrim të zgjeruar të qëndrimeve tashmë tradiconale proserbe të krerëve të partisë FPÖ (Strache etj.) gazeta kujton se kryeparlamentari që i takon po kësaj partie, duket i sheh gjërat më ndryshe, transmeton albinfo.at.

“Presidenti i Këshillit Kombëtar Walter Rosenkranz duket se ka një qëndrim më pak të rreptë. Tani, çështja e Kosovës po kërcënon të ndajë FPÖ-në dhe Serbinë, të paktën nga perspektiva e organizatës ombrellë pro-regjimit të serbëve në Austri. Arsyeja është një foto e Presidentit të Këshillit Kombëtar.

Të hënën, në një festë në Bursën e Vjenës me rastin e festës kombëtare serbe, Rosenkranz i quajti serbët që jetojnë në Austri “ura njerëzore” që forcojnë kohezionin midis dy vendeve.

Por të nesërmen, më 17 shkurt, data që shënon festën kombëtare të Kosovës, një foto u shfaq në internet që tregonte Rosenkranzin bshkë me aktivisten kosovare Elvana Shala. Ajo mbante në kokë një beretë me simbolin e UÇK-së, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shala kishte marrë pjesë në eventin hapës të Konferencës së Projektit Zero të këtij viti në parlament atë ditë. Ajo shërben gjithashtu si e Dërguara Speciale e Kosovës në Komitetin Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut (IHRC). Shala i tha gazetës profile se mbante beretën me simbolin e UÇK-së në Ditën e Pavarësisë së Kosovës “si një shenjë respekti për vendin tim”.

Ajo tha gjithashtu se pati një “bisedë shumë të shkurtër” me Rosenkranz dhe i shpjegoi atij se ishte Dita e Pavarësisë së Kosovës. Pastaj ai “natyrshëm i përcolli urimet e tij të sinqerta popullit tim”.

Fotografia tregon Kryetarin e Këshillit Kombëtar krah për krah me aktivisten kosovare. Organizata ombrellë e serbëve në Austri reagoi me indinjatë, transmeton albinfo.at. Në një letër të hapur drejtuar Kryetarit të Këshillit Kombëtar, ata shprehën “tronditje të thellë” dhe një “kontradiktë me parimet dhe vlerat që priten nga Këshilli Kombëtar Austriak”.

Shoqata kërkoi një “deklaratë të qartë” dhe një distancim publik të Rosenkranzit nga UÇK-ja. “Duke pasur parasysh komunitetin serb në Austri – i cili numëron më shumë se 300,000 njerëz…”.

Pavarësisht kërkesave të përsëritura nga gazeta profili, Walter Rosenkranz nuk pranoi të komentojë.

Megjithatë, sipas informacionit të disponueshëm, thuhet se ai i është përgjigjur letrës së hapur nga organizata ombrellë e serbëve në Austri. Kryetari i saj, e konfirmoi këtë me kërkesë.

Të premten, organizata publikoi përgjigjen nga zyra e Rosenkranzit. Në të, ai mohon të ketë pasur një bisedë me Shalën. “Dita e Pavarësisë” “nuk u trajtua”, thuhet fjalë për fjalë. Megjithatë, letra shmang marrjen e një qëndrimi të qartë për Serbinë, përcjell albinfo.ch. Në letër flitet për “një vetëdije se çështjet që lidhen me Kosovën dhe Serbinë shpesh formohen nga përvojat historike, perspektivat e ndryshme mbi të drejtën ndërkombëtare dhe lidhjet emocionale”.

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën, Elvana Shala, ka denoncuar përpjekjet e Misionit të Serbisë në OKB në Vjenë për të penguar përfaqësimin e Kosovës në ZeroConference, për shkak të beretës me simbolin e UÇK-së.

Nga ana e saj, zonja Shala në një postim në fb thotë: “Jemi në një konferencë të diplomacisë publike dhe të drejtave të njeriut dhe secili ka një simbol të shtetit të tij. Është e drejta ime të kem simbolet që identifikojnë shtetin tonë”, ka shkruar Shala në një postim në Facebook.

Ajo ka theksuar se përpjekjet e Serbisë për ta ndaluar nuk kanë rezultuar dhe nuk do të mund të ndalojnë zërin e Kosovës.

“Tentuan të më pengojnë, por nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin të ndalojnë zërin tonë asnjëherë”, ka shtuar Shala.