Kosova
Pranvera e ardhshme me liberalizim të plotë
Ai ka shtuar se sipas të gjitha gjasave, me skenarët më të mirë, Kosova mund të marrë liberalizimin në pranverën e vonë të vitit të ardhshëm
Komiteti për Liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE), i cili funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian, ka votuar sot pro heqjes së vizave për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Pas këtij votimi, Kosovës i mbesin të kalojë edhe dy votime të rëndësishme atë të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave, për të përfituar tërësisht heqjen e vizave.
Ekspertja e Integrimeve Evropiane, Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë për Telegrafin se për të përfituar lëvizje të lirë, Kosova do të ketë edhe dy votime.
“Janë edhe dy votime të rëndësishme: do të ketë votim në seancën plenare në Parlamentin Evropian, në të cilin do të vendoset me shumicë për futjen e Kosovës në zonën e lirë të qarkullimit, dhe do të ketë votim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në të cilën duhet të sigurohet shumica e kualifikuar e votave të shteteve anëtare”, ka thënë Lushaku-Sadriu, përcjell albinfo.ch.
Në anën tjetër, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se pas vendimmarrjes pozitive në Komisionin parlamentar për të drejta civile (LIBE), nevojitet edhe vota pozitive nga Parlamenti Evropian si tërësi dhe nga Këshilli për t’u miratuar vendimi për heqjen e vizave për Kosovën.
“LIBE sot dha dritën e gjelbër për arritjen e një marrëveshjeje ndër-institucionale mes Parlamentit dhe Këshillit, të cilat bashkërisht duhet ta votojnë tekstin e harmonizuar nga Komisioni Evropian. Me gjasë votimi nga Parlamenti dhe Këshilli do të ndodhë gjatë vjeshtës, kurse hyrja në fuqi e këtij vendimi disa muaj më vonë”, ka thënë Murati.
Ai ka shtuar se sipas të gjitha gjasave, me skenarët më të mirë, Kosova mund të marrë liberalizimin në pranverën e vonë të vitit të ardhshëm.
Me 30 vota pro, 10 kundër dhe 2 abstenime, Komisioni LIBE ka miratuar raportin e Komisionit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kujtojmë se në pjesën e fundit të muajit korrik, Kosova mori rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian në lidhje me lëvizjen e lirë të qytetarëve në Zonën Schengen, ndërsa votimi në LIBE i hapë rrugë votimeve në instancat tjera të BE-së.
E-Diaspora
-
Osmani në Cyrih: Diaspora në Zvicër i jep jehonë mesazhit ‘rugovizmi jeton’ Në një tubim me bashkatdhetarët në Cyrih të Zvicrës, kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani,... -
Kurti takim me studentët shqiptarë në Zvicër -
Politikanët shqiptarë të Zvicrës kundërshtojnë nismën “Jo Zvicrës 10 milionëshe” -
Rusia sulmon kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev -
Premtimi i Kurtit para mërgimtarëve në Cyrih
Jeta në Zvicër
-
22 raste të dyshuara për abuzim seksual në çerdhe në Zvicrën frëngjishtfolëse Në Zvicrën frëngjishtfolëse janë regjistruar 22 raste të dyshuara për abuzim seksual në çerdhe gjatë pesë... -
Bern: Investime të reja në parkingje për biçikleta pavarësisht përdorimit të ulët -
Osmani në Cyrih: Diaspora në Zvicër i jep jehonë mesazhit ‘rugovizmi jeton’ -
Si u bë Zvicra eksportuesja e dytë më e madhe e kafesë në botë pa e kultivuar? -
Nga 18 shtëpi funerale të anketuara, asnjëra nuk është në gjendje të mirë për sa i përket transparencës së çmimeve













