Maqedonia

Premtimet e Pendarovskit pasi u zgjodh president

Urimet e para për zgjedhjen e tij për president në llogarinë e tij erdhën nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe nga eurokomisari për zgjerim, Johanes Han

Me mbi 55.000 vota të fituara më shumë nga kundër kandidatja për presidente, e mbështetur nga LSDM-ja dhe koalicioni, Stevo Pendarovski mbrëmë shpalli fitore pas publikimit të rezultateve në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Zakonisht, urimet nga tabori kundërshtar mungojnë. Pendarovski mbrëmë tha se nuk ka marrë urime nga kundër-kandidatët. Urimet e para për zgjedhjen e tij për president në llogarinë e tij erdhën nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe nga eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, transmeton “Alsat”.

Sot, tha Pendarovski, fituan qytetarët dhe solemnisht dua të njoftoj se do t’u shërbej me përkushtim të gjithëve, do të jem president i shtetit nga i cili nuk do të turpëroheni.

“Në këto zgjedhje vendosët të vazhdojmë së bashku përpara. Sot ishte Maqedonia jonë dinjitoze, populli ynë i mençur, kjo është fitorja e shumicës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së veriut të cilët pavarësisht të përkatësisë etnike apo politike u bashkuan dhe tha vazhdojmë përpara dhe asnjëherë dhe kurrë më regjim. Sot fituan qytetarët dhe solemnisht dua  të publikoj se do t’u shërbej me përkushtim të gjithëve”, theksoi Pendarovski.

Rezultati i zgjedhjeve, theksoi, është sukses i madh sepse këto zgjedhje janë fitore të bashkimit dhe unitetit. Unë bashkohem në udhëheqjen  në këtë shtet për Republikën e Maqedoninë së Veriut euroatlantike. Do të angazhohem  për një shtet juridik dhe do të qëndroj pas çdo qytetari të ndershëm, do të bashkoj nuk do të ndaj. Do të jem faktor i stabilitetit, e jo faktor i krizave. Iu falënderua kryeministrit Zoran Zaev dhe të gjithë Qeverisë si të 31 partive politike, të cilët, siç tha, të gjithë së bashku qëndrojnë pas këtij koncepti. Falënderim të veçantë i dërgoi Gordana Siljanovskës dhe Blerim Rekës për pjesëmarrjen dhe kontributin në zgjedhjet demokratike.

Kryeministri dhe lider i LSDM-së, Zoran Zaev, në fjalimin e tij theksoi se patëm zgjedhje të suksesshme dhe demokratike dhe fituam një president evropian të shtetit, përcjell albinfo.ch.

Në pyetje të gazetarëve prej ku do të fillojë “fshesa”, sipas leksionit të marrë nga qytetarët, Zaev paralajmëroi korrigjim të të gjitha dobësive dhe ndryshime serioze në pushtetin ekzekutiv, ndërsa do të fillojnë, tha, në radhët e LSDM-së.

Për Pendarovskin, rezultati i zgjedhjeve është një konfirmim i qartë i shumicës së qytetarëve dhe vullnetit të tyre për ta mbështetur Marrëveshjen e Prespës dhe rrugën euroatlantike të vendit.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, megjithatë mbrëmë pas kumtimit të rezultateve tha se Gordana Siljanovska Davkova më 5 maj ka humbur së bashku me popullin vetëm me një falsifikim të rëndë ose me inxhinieri zgjedhore.

Kandidatja për presidente e përkrahur nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni Gordana Siljanovska -Davkova në pres konferencë në selinë e partisë opozitare pas publikimit të rezultateve të para të zgjedhjeve e ka pranuar humbjen, por nuk e ka uruar hapur fitoren e kundërkandidati, Stevo Pendarovski.

Ajo ka thënë se mjafton që ka pranuar humbjen dhe se gjithçka që ka ndodhur në debatet gjatë fushatës nuk pritet nga ajo me admirim t’i drejtohet. Thekson se nuk bëhet fjalë për mungesë të kulturës politike.

Sipas të dhënave të KSHZ-së nga mbi 98 për qind e votave të numëruara, ose 3.436 vendvotimeve, Pendarovski ka fituar 423.292 vota ose 51.83 për qind, derisa kundërkandidatja Gordana Siljanovska Davkova ka marrë 363.980 ose 44.57 për qind.