Tematike

“Primano” përgatit fëmijët për jetë në shoqëri

Projekti u drejtohet familjeve me gjendje të vështirë sociale dhe me prejardhje të huaj, grupe ku bëjnë pjesë shumë familje shqiptare

Nxitja e hershme e fëmijëve për të mësuar gjuhën e vendit dhe për të qenë edhe në aspektet tjera të gatshëm të hyjnë në fazën e arsimit parashkollor po merret gjithnjë më seriozisht nga shoqëria zvicerane. Nevoja për një gjë të tillë vjen duke u rritur me shtimin e rasteve problematike të fëmijëve që në kopshtet parashkollore vijnë pa pasur njohuritë elementare të gjuhës por edhe të shkathtësive duhet t`i kenë për moshën e tyre.

 Nga një “grup i lojërave” i projektit Primano

Këto probleme kanë të bëjnë para së gjithash me familjet me gjendje të vështirë sociale dhe me ato që kanë prejardhje të huaj. Për këtë arsye edhe familjet shqiptare, krahas të tjerave, janë në fokus të projekteve të ndryshme në nivele lokale që zhvillohen gjithandej në Zvicër.

“Primano” është një projekt-pilot që zhvillohet në disa lagje të qytetit të Bernës nga viti 2007. Ai është parashikuar të zgjasë deri në fund të vitit 2012, me shanse të mira për t`u vazhduar edhe në vitet në vijim dhe mbase edhe për t`u zgjeruar në gjithë qytetin e më gjerë.

Kështu u tha në konferencën për medie që u mbajt të premten në lokalet e drejtorisë për shëndetësi të qytetit të Bernës. Në konferencë me referatet e tyre u paraqitën përgjegjësja e drejtorisë për arsim, çështje sociale dhe sport në qeverinë e Bernës, Edith Olibet dhe dy bashkëdrejtuesit e drejtorisë për shëndetësi Annemarie Tschumper dhe Richard Jacob.

Qeveria e Bernës në një komunikatë i ka dhënë “nota të mira” projektit duke e vlerësuar atë për kompetencën profesionale që ofron në përgatitjen e fëmijëve prej moshës një vjet e gjysmë deri në 3 vjet për fazën kur do të ndjekin mësimin parashkollor.

Ndërsa edhe përgjegjësja për arsim në komunën e Bernës Edith Olibet u shpreh se projekti “Primano” ka arsyetuar investimin e bërë nga qeveria dhe nga donatorët privatë. Është vërtetuar se fëmijët të cilët kanë ndjekur mësimet që ofron ky projekt kanë qenë dukshëm më të përgatitur për fazën e mësimit parashkollor se ata që nuk e kanë pasur këtë rast.

E pyetur nga albinfo.ch, bashkëdrejtuesja e resorit të shëndetësisë në komunën e Bernës Annemarie Tschumper ka thënë se projekti ofron tri oferta.”Kemi një rrjet të shtrirë nëpër lagjet e qytetit ku koordinatoret tona shkojnë nëpër kënde lojërash nëpër lagje ose nëpër qendra tregtare etj. ku kalojnë kohën fëmijët të shoqëruar nga prindërit e tyre. Atje bëjnë punën e informimit të prindërve për rëndësinë e ofertës.

I dyti është një program i vizitave nëpër familje. Një bashkëpunëtore jona profesionale shkon në familje të caktuara nga rrethi i saj kulturor gjuhësor dhe në bashkëpunim me nënat, përcjell njohuritë te fëmijët e moshës, kryesisht me lodra fëmijësh, ushtrimin e shkathtësive etj. Këtu bashkëbisedimi bëhet në gjuhën amtare të fëmijës. Në kuadër të këtij programi kemi edhe një bashkëpunëtore shqiptare”, thotë Tschupert. Shkalla ose programi tjetër përfshin vizitat që fëmijët dhe nënat bëjnë në “grupet e lodrave”, ku po ashtu fëmijët nxiten të zhvillojnë aftësitë e tyre komunikatave dhe shkathtësitë motorike etj.

Se sa janë të përfshirë fëmijët shqiptarë në ofertat e projektit, znj. Tscupert nuk mund të japë një shifër gjithëpërfshirëse. Kjo sepse në grupet e lojërave nuk ka ndarje në bazë të prejardhjes. Por, thotë ajo “janë në mes 8 dhe 10 fëmijë shqiptarë të përfshirë në fazën e parë, respektivisht në programin e vizitave familjare. Ato i bën bashkëpunëtorja jonë Florije Rexha”, plotëson ajo.

Në fund bashkëbiseduesja jonë u bën një apel prindërve shqiptarë për të bashkëpunuar me projektin. “Roli i familjeve është shumë i rëndësishëm në këtë projekt dhe lusim prindërit për bashkëpunim, në mënyrë që fëmijët e tyre të përfitojnë sa më shumë nga oferta jonë”, përfundon Annemarie Tschupert, bashkëdrejtuese e drejtorisë për shëndetësi në qytetin e Bernës.