Kosova

Procesehen mbi 99% të votave, Vetëvendosje mbetet e para por shënon rënie, LDK me rritjen më të madhe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar pothuajse të gjitha vendvotimet në mbarë vendin, duke ofruar një pasqyrë të qartë të fituesve dhe lëvizjeve të forcave politike krahasuar me procesin paraprak të fundvitit të kaluar.

​Deri në orët e para të ditës së sotme, janë procesuar 2,483 nga 2,498 vendvotime (99.40%), ku janë numëruar 721,439 vota nga totali prej 1,959,962 votuesve të regjistruar, që përkon me një pjesëmarrje prej 36.81%.

​Lëvizja VETËVENDOSJE! udhëheq bindshëm dhe mbetet partia më e madhe në vend me 42.92% të votave (297,296 vota). Megjithatë, kjo shifër shënon një rënie të ndjeshme prej 6.42% krahasuar me rezultatet preliminare të 28 dhjetorit 2025, ku kishte siguruar 49.34%.

​Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka çimentuar pozicionin e saj si forca e dytë politike me 21.06% (145,856 vota), duke treguar një stabilitet pothuajse të plotë në krahasim me 20.98% sa kishte në dhjetor.

​Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është befasia pozitive e këtyre rezultateve, duke shënuar rritjen më të madhe. LDK ka kërcyer në 17.61% (121,976 vota), nga 13.57% sa kishte në procesin paraprak.

​Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po ashtu ka shënuar progres të lehtë, duke u renditur e katërta me 7.18% (49,705 vota), në krahasim me 5.66% të fundvitit të kaluar.

​Kur kanë mbetur edhe vetëm 15 vendvotime pa u numëruar, rezultati i votave të rregullta konsiderohet i përmbyllur. Pritet që ditëve në vijim të nisë numërimi i votave me kusht dhe atyre nga diaspora, të cilat do të vulosin ndarjen përfundimtare të ulëseve në Kuvendin e Kosovës.